Thaçi: Ne s'lëvizim nga propozimi ynë

Hashim Thaçi

"Është në duart e lidershipit të Serbisë të pranojë ose jo marrëveshjen. Ne i kemi dhënë propozimet tona, të cilat janë kushtetuese dhe ligjore, dhe nuk do të lëvizim nga ky pozicion", ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë..


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, pas refuzimit të marrëveshjes nga Serbia, baronesha Ashton ka ftuar Qeverinë serbe ta bëjë përpjekjen e fundit për të arritur marrëveshje. A ekzistojnë më mundësi që Serbia të pranojë marrëveshjen apo kjo çështje ka marrë fund kur flasim për propozimin e fundit të BE-së?


HASHIM THAÇI
Mundësia ekziston. Serbia ka kërkuar që të bëjë dramë me këtë proces në Beograd, dhe këtë e ka thënë hapur në Bruksel, në takimet që i kemi zhvilluar bashkërisht me baroneshën Ashton. Atë dramë e ka krijuar vetë te opinioni publik. Mendoj se tani është momenti që të lëvizet përpara.

Pozicioni i delegacionit të Kosovës është plotësisht i përputhshëm me idetë e baroneshës Ashton, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që normalizon përfundimisht marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë; që hap perspektivë të sigurt euro-atlantike edhe për shtetin e Kosovës edhe për Serbinë, për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Prandaj, dua të shpresoj se në orët dhe ditët e ardhshme gjërat do të lëvizin drejt një vullneti për të arritur marrëveshjen e diskutuar në këta gjashtë muajt e fundit, në nivele të larta politike në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e Bashkimit Evropian, konkretisht baroneshës Ashton dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast se Serbia përgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke bërë thirrje për vazhdim dialogu, çfarë ndryshimesh mund të ketë marrëveshja që Serbia të pranojnë atë?


HASHIM THAÇI
Është në interesin e të gjithëve që Serbia të pranojë marrëveshjen. Serbia është në dilemën midis integrimeve apo izolimit. Serbia, nëse zgjedh rrugën e integrimeve evropiane, duhet të arrijë marrëveshje me Kosovën, nëse vendos të zgjedh refuzimin e marrëveshjes, ai është vullneti i saj për vazhdimin e izolimit.

Por, Serbia nuk do të mund ta mbajë peng të ardhmen evropiane të Kosovës, nuk do të mund ta mbajë peng rajonin dhe nuk do të mund të mbajë peng investimet e Bashkimit Evropian në rajon, dhe nuk do të lejohet diçka e tillë.

Nëse Serbia refuzon, atëherë Kosova do të vazhdojë të shikojë perspektivën evropiane në rrugën e vet dhe Beogradi do të mbetet mbrapa me fajin e vet, nga papërgjegjësia e vet dhe nga logjika e mentalitetit të politikës së kaluar që ka shkaktuar luftërat në Kroaci, Bosnjë, Kosovë dhe kriza të rënda në Serbi.


RADIO EVROPA E LIRË
A mund të ndryshojë marrëveshja e ofruar nga baronesha Ashton që Serbia të pranojë atë?


HASHIM THAÇI
Është në duart e lidershipit të Serbisë të pranojë ose jo marrëveshjen. Ne i kemi dhënë propozimet tona, të cilat janë kushtetuese dhe ligjore, dhe nuk do të lëvizim nga ky pozicion.

Është çështje e Serbisë se a do apo nuk do. Refuzimi nga ana e Serbisë do të ketë kosto për Serbinë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë.

Nëse nuk arrihet marrëveshja në mes të Prishtinës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, duhet si Kosovë të vazhdojmë të punojmë drejtpërdrejtë në perspektivën tonë evropiane, me relacionet Kosovë - Bashkim Evropian dhe natyrisht përgjegjësia për stagnimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal do ta ketë një adresë, dhe kjo adresë do të jetë Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka do të ndodh nëse nuk do të ketë marrëveshje? Si do të rregullohet çëshjtja e veriut te Kosovës?


HASHIM THAÇI
Ne kemi kushtetutën tonë, kemi ligjet tona, kemi prezencën ndërkombëtare, EULEX-in dhe KFOR-in. Ne do t'u shërbejmë të gjithë qytetarëve në veri. Do të punojmë maksimalisht për krijimin e kushteve dhe rrethanave më të mira për ta, për krijimin e ambientit të sigurisë për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, për funksionimin e të gjitha institucioneve të Kosovës.

Qytetarët në veri janë të mashtruar dhe të gënjyer nga Beogradi për këto 14 vite dhe Serbia nuk është e interesuar për serbët në veri, por është interesuar për territorin në veri. Ndërsa, përkushtimi im është që t'u shërbej atyre qytetarëve; ata janë qytetarë të Kosovës, kanë të drejtën e dyshtetësisë dhe do të krijojmë një ambient të qetë integrues dhe zhvillimor. E di që do të ketë vështirësi dhe sfida, por gjërat do t’i lëvizim përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të ketë pengesa në këtë që ju thoni? Deri kur mund të funksionojnë strukturat paralele të sigurisë në veri?

HASHIM THAÇI
Me marrëveshje përfshihet shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave paralele të sigurisë, që nënkupton edhe të MUP-it serb, por edhe të inteligjencës.

Dhe nëse Serbia refuzon marrëveshjen atëherë duhet të vazhdojmë dhe të arrihet marrëveshja në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kështu ka ndodhur edhe në Rambuje, kështu ka ndodhur edhe me veprimet e koordinuara në mes të Kosovës dhe Bashkësisë ndërkombëtare dhe në Vjenë.

Pra, Serbia nuk mund ta mbajë peng Kosovën në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, asnjë kusht dhe në asnjë zhvillim të sotshëm dhe të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë afat kohor për arritjen e marrëveshjes? Ka deklarata të ndryshme që thonë se së shpejti do të ketë një takim...

HASHIM THAÇI
As Prishtina e as Beogradi nuk mund të vendosin afate kohore njëra tjetrës. Afatet kohore, mund t’i prezantojë vetëm baronesha Ashtnon, por unë mendoj që baronesha Ashton ka qenë shumë e qartë dhe periudhat kohore i ka prezantuar në opinionin publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri kur mund të pritet Serbia që të ndryshojë qëndrim karshi Kosovës dhe a mendoni se nëse zgjatet koha për një përgjigje, baronesha Ashton do të humb durimin?


HASHIM THAÇI
Ne kemi qenë të vetëdijshëm se dialogu është zgjidhja e vetme për të lëvizur përpara, për t'i normalizuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Baronesha Ashton ka berë një punë të çmuar, me udhëheqjen e saj briliante të këtij procesi, për çka edhe e falënderoj.

Bashkimi Evropian ka qenë unik në mbështetjen të angazhimeve të baroneshës Ashton. Propozimet e baroneshës kanë qenë plotësisht në përputhshmëri me standardet me të larta evropiane, të Kartës evropiane për vetëqeverisjen lokale.

Prandaj, ne do të punojmë maksimalisht që edhe kjo pak kohë që ka mbetur, pasi që jemi edhe në kontakt të vazhdueshëm me baroneshën Ashton, të shikojmë edhe mundësinë më të vogël që ekziston për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të nënkuptonte qartë shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në veri; krijimin e kushteve të përshtatshme për organizimin e zgjedhjeve të lira, që atje njerëzit të zgjedhin liderët e tyre, institucionet lokale, të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, pa mandat legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.

Të kemi një sistem unik të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovë dhe një sistem unik policor sipas standardeve dhe ligjeve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe nëse dialogu dështon, cilat do të jenë pasojat për Kosovën?


HASHIM THAÇI
Ne, do të lëvizim në arritjen e marrëdhënieve të drejtpërdrejta në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për të ecur Kosova sa më shpejt drejt proceseve integruese evropiane, gjithmonë më barrën e rëndë të veriut Mitrovicës dhe me përgjegjësinë direkte të Beogradit për cenimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Pra, e ardhmja evropiane e Kosovës nuk është e varur nga Serbia, por normalizimi i marrdhënieve Kosovë – Serbi, do t'a lehtësonte perspektivën.

E kam theksuar edhe më herët, arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk është e mirë vetëm për Kosovën, është edhe në interesin e Serbisë, është në interesin e qytetarëve para së gjithash në veri dhe nese nuk ndodh marrëveshja humbësit me të mëdhenj do të jenë serbët në veri.

Por, nëse nuk ndodh marrëveshja në të njëjtën kohë është edhe një humbje e madhe e kredibilitetit të Bashkimit Evropian në angazhimet që i ka pasur në këto relacione Kosovë - Serbi.

Nëse nuk ndodh marrëveshja askush nuk mund t’i mbyll sytë dhe veshët në Bruksel dhe adresa e pergjegjësisë për mosarritje të kësaj marrëveshjeje, është ajo e Beogradit, siç ka qenë shkaktar i të gjitha problemeve në rajon që nga viti 1990.