Fondet e BE-së rrisin bashkëpunimin rajonal

Ilustrim

Fondet e ndara nga Komisionit Evropian, do t'i ndihmojnë rajonit që të arrijë prosperitet ekonomik dhe stabilitet politik, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Gjatë kësaj jave, Komisioni Evropian, ka njoftuar se do të investojë 272.75 milionë euro për promovimin e bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, për periudhën 2012-2013.

Këto fonde do të mbështesin zhvillimin e shoqërisë civile, skemat e arsimit, si programet për lëvizjen e studentëve, dhe për të ndihmuar përfituesit në plotësimin e kërkesave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Lidhur më këtë, Bedri Selmani, profesor për marrëdhënie ekonomike në Universitetin privat “Viktoria”, thekson se këto mjete janë të mirëseardhura për Kosovën, pasi sipas tyre, bashkëpunimi rajonal është ndër faktorët kyç për zhvillim të përgjithshëm ekonomik.

“Nuk e di sa është për Kosovën, por sa do që të jetë është e mirëseardhur, që këto të shfrytëzohen për projekte dhe gjithë herë e kam fjalën për sektorin privat dhe ndërmarrjet private".

"Por, një gjë që është prezente në Kosovë, është se edhe në të kaluarën grantet të cilat janë paraparë për Kosovën dhe zhvillimin e saj, nuk janë përmbush me projekte që i plotësojnë kriteret, që i kanë dhënë këto organizata ndërkombëtare financiare apo edhe fondacione të ndryshme”, thekson Selmani për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, eksperti tjetër i ekonomisë, Naim Gashi, thotë se bashkëpunimi rajonal është një ndër nga kriteret kryesore të Bashkimit Evropian për procesin integrues apo për përparimin e vendeve në aspektin e integrimeve evropiane.

Të gjitha projektet të cilat kanë të bëjnë më bashkëpunim rajonal dhe atë ndërkufitar, sipas tij, janë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin, për arsye se ato ndihmojnë në lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve.

Projekti i parë i bashkëpunimit rajonal në këtë aspekt ka qenë ndërtimi i pikës doganore të Muriqanit, në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe aty është bërë një unifikim i doganave dhe policisë kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi, që ka ndikuar jashtëzakonisht pozitivisht në lehtësimin e qarkullimit në mes dy vendeve. Unë mendoi se praktika të tilla duhet të aplikohen në mes vendeve tjera të Ballkanit”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, Gashi, shpreh shqetësimin se për shkak të mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Kosova më së paku ka përfituar nga projektet rajonale, edhe pse, thotë ai, Kosova ka më së tepërmi nevojë, për shkak të tranzicionit të vonuar.

“Një arsye tjetër pse Kosova duhet të përfitojë më tepër se sa vendet e rajonit, sa i përket projekteve rajonale, ka të bëjë më tranzicionin e vonuar në Kosovë, pasi ne jemi një shtet i krijuar në pesë vitet e fundit, me një liri që kemi prej 12-13 vjetëve, dhe për dallim prej të gjitha vendeve të rajonit, transicioni ekonomik - politik dhe shoqëror në Kosovë ka filluar me vonesë”.

"Prandaj, Bashkimi Evropian duhet të ketë parasysh këtë fakt, dhe të shtojë shumën dhe vëllimin e projekteve ndaj Kosovës, sepse në këtë mënyrë do të krijohet një balanc ndërmjet nivelit të zhvillimit ekonomik të vendeve të Ballkanit dhe përafrimit të tyre më nivelin e zhvillimit ekonomik në Bashkimin Evropian”, shprehet Gashi.

Në një komunikatë për shtyp të Komisionit Evropian, thuhet se këto fonde do të kompletojnë financimin e programeve kombëtare individuale përmes fokusimit në aspekte rajonale dhe do të ndihmohen vendet që të mësojnë nga përvoja e njëra tjetrës.

Nuk dihet shuma e saktë sa ka përfituar Kosova, por në komunikatë gjithashtu thuhet se programet për bashkëpunim ndërkufitar 2012 - 2013 , Kosovë - Shqipëri, kapin shumën e 2 milionë e 400 mijë eurove, që është miratuar në nëntor të vitit të kaluar.