Kurteshi: Të drejtat e qytetarëve i shkelin pushtetarët

Sami Kurteshi

Ne i shikojmë vetëm shkeljet e të drejtave të njeriut nga institucionet e publike, por jo të gjitha. Ata që kanë kontakte më së tepërmi me qytetarë, ata që kanë pushtet, që kanë forcë në dorë, e që mund t'i shkelin të drejtat e njeriut në radhë të parë është ekzekutivi, në nivelin qendror dhe lokal, si dhe Gjyqësori, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurteshi, keni deklaruar disa herë se në Kosovë ka shkelje të shumta të të drejtave të njeriut. Kush janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut?

SAMI KURTESHI
Deklaratat tona bazohen në të dhënat që ne i mbledhim në institucion brenda një viti, këto janë të dhëna statistikore që ne i mbledhim nga realiteti, nga gjendja në Kosovë. Tash ne i shikojmë vetëm shkeljet e të drejtave të njeriut nga institucionet e autoritetet publike në Republikën e Kosovës, por jo të gjitha.

Në qoftë se duam të bëjmë një krahasim se kush janë, natyrisht se ata që kanë kontakte më së tepërmi me qytetarë, që kanë pushtet, kanë forcë në dorë, që mund t'i shkelin të drejtat e njeriut, ata janë në radhë të parë Ekzekutivi. Kur them Ekzekutivi, mendoj në nivelin qendror dhe atë lokal, si dhe Gjyqësori.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse konsideroni se ka kaq shumë shkelje të të drejtave të njeriut, kur ka shumë ligje në Kosovë?

SAMI KURTESHI
Arsyet janë të shumta, unë mendoj se do të ishte krejt e padrejtë sikur arsyet t'i reduktojmë në një ose dy. Ka shumë faktorë por unë mendoj se një çështje është te gjendja ekonomike shumë e rëndë, mandej është ajo politike, por edhe mungesa e kulturës në atë drejtim.

Sa i përket ligjeve, unë mund të them se kemi një Kushtetutë relativisht moderne, bashkëkohore, dhe kemi shumë ligje po ashtu që në të shumtën e rasteve janë gati se kopje e ligjeve të botës demokratike. Çështja është e para, sa janë ligjet të qarta? Edhe e dyta, para se të jenë të qarta, a zbatohen apo jo? Dhe, ne në Kosovë kemi një problem shumë të madh me moszbatimin e ligjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Avokati i Popullit, por edhe organizata të tjera që mbrojnë të drejtat e njeriut, reagojnë për padrejtësi. A po merren parasysh ankesat dhe kërkesat tuaja?

SAMI KURTESHI
Këtu kemi rezultate të përziera. Nuk mund të flasim në mënyrë të përgjithësuar për të gjitha institucionet me tone të njëjta. Unë mendoj se nivele më të ulëta, domethënë shkalla e përgjigjeve, e atyre pozitive është shumë më e lartë. Sa më shumë të shkojnë në nivele më lartë, aq më pak merren parasysh, sepse ata njerëz mendojnë se kanë fuqi dhe mund t'i lejojnë vetes q të mos i përfillin rekomandimet e Avokatit të Popullit. Ky është problemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat kategori të shoqërisë kosovare mendoni se janë më të rrezikuara nga këto shkelje?

SAMI KURTESHI
Natyrisht, gjithmonë të varfrit janë ata më të shkelurit - kjo është kategoria më e madhe dhe s'mund të flasim për një pakicë po për një shumicë. Mandej kemi edhe pakicat e ndryshme, jo vetëm në kuptimin siç bëhet përpjekje te ne, kur thuhet pakica të mendohet vetëm në ato etnike, kulturore e gjuhësore, po pakica janë të shumta- kemi personat me nevoja të veçanta, po ashtu nuk kemi një barazi gjinore në Kosovë të njohur, kemi personat me orientim seksual. Pastaj edhe në aspektin fetar, por kemi edhe pakica etnike e kulturore.

Pra, nëse mund të flasim për një gjendje shumë të keqe edhe për një diskriminim, mund të flasim sidomos për komunitetet rom, ashkalinj e egjiptas, dhe ajo jo që bëhet në mënyrë të organizuar strukturore nga pushteti, por gjendja e rëndë në gjithë popullsinë, tek ata shprehet shumëfish më shumë.