Në prag të heshtjes zgjedhore në Maqedoni

Ilustrim

Sonte në mesnatë mbyllet fushata elektorale e partive politike për zgjedhjet lokale të së dielës, ndërsa fillon heshtja zgjedhore, e cila do të zgjasë deri në mbylljen e vendvotimeve, më 24 mars, në orën 19.

Ndërkohë, partitë politike kanë dhënë vlerësime të ndryshme për rrjedhën e fushatës zgjedhore, e cila, kësaj radhe ishte më e qetë te partitë shqiptare.

Pritjet tona janë shumë pozitive dhe shpresojmë se edhe ditën e zgjedhjeve qytetarët masivisht do të dalin dhe të votojnë PDSH-në, do të votojnë kundër qeverisë, e cila në thelb është antishqiptare. Për këtë fushatë edhe pse në shikim të parë duket se është e qetë, ne kemi vërejtje që kanë të bëjnë me kërcënimet që iu bëhen të punësuarve në administratë që të votohet BDI-ja, andaj i bëjmë thirrje atyre që ti lënë këto kërcënime dhe ti mundësojnë qytetarëve të votojnë sipas bindjes së tyre”, u shpreh Bekim Fazliu, kryetar i shtabit zgjedhor të PDSH-së.

Por, nga BDI-ja thonë se zgjedhjet në Maqedoni gjithmonë kanë qenë të lira dhe demokratike kur në pushtet ka qenë subjekti i tyre politik.

Ermira Mehmeti, deputete dhe anëtare e kryesisë së BDI-së, thotë se zgjedhjet e së dielës kanë rëndësinë e tyre, pasi mbahen para publikimit të raportit të vjeshtës të Komisionit Evropian, dhe sipas saj,kjo është një arsye shtesë që të besohet se partitë politike do të sillen me përgjegjësinë më të lartë dhe nuk do të lejojnë që për interesat e tyre partiake të rrënojnë interesat e shtetit.

Urojmë që procesi zgjedhor të kalojë në një atmosferë fer dhe demokratike, ashtu sikur kjo fushatë zgjedhore në veçanti tek partitë politike shqiptare ka shënuar një përmirësim cilësor duke qenë se partitë politike nuk janë fyer, nuk janë ofenduar, por në fakt kanë garuar oferta dhe idetë politike të kandidatëve të tyre”, thotë Ermira Mehmeti nga BDI-ja.

Për dallim nga partitë shqiptare, që fushatën e tyre elektorale e kanë zhvilluar në atmosferë më të qetë në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore, te partitë maqedonase ajo ka qenë e tendosur, madje përplasjet mes kanë vazhduar edhe në ditën e fundit të fushatës.

Nga opozita maqedonase, tani disa ditë kanë prezantuar të dhëna mbi siç thonë përgatitjen e pushtetit për të falsifikuar zgjedhjet me maqedonas të sjellë nga Pushteti i Shqipërisë.

LSDM-ja beson se qytetarët nuk do të bien në provokime dhe do të dalin në votime për të dënuar siç thonë, regjimin e Nikolla Gruevskit.

“Pres që populli të vendosë dhe më vërtetë të dënojë këtë pushtet jo popullor, diktatorial. Duke qenë se çdo ditë jemi në kontakt me qytetarët, i inkurajojmë ata që të mos bien në provokime, kërcënime dhe ta kuptojnë se në duart e tyre është e ardhmja e këtij vendi".

"Unë shpresoj se zgjedhjet do të kalojnë në atmosferë demokratike edhe pse ditëve të fundit ishim dëshmitarë të skenarëve të ndryshëm nga ana e pushtetit për të sjellë votues fiktiv me qëllimin e vetëm falsifikimin e zgjedhjeve më 24 mars”, ka deklaruar Vesna Bendevska, nga Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja kanë hedhur poshtë pohimet e këtilla duke thënë se ato janë vetëm se alibi e LSDM-së për të mos pranuar disfatën në zgjedhjet e të dielës.

Ilija Dimovski, drejtor qendrës për komunikim me opinion pranë VMRO-DPMNE-së, thotë se fushata e tyre ka qenë e qetë dhe dinjitoze dhe se para qytetarëve janë prezantuar veprat që ka bërë që planifikon të bëjë qeveria aktuale.

“LSDM-ja ishte e detyruar të lëshojë pe dhe të kapitullojë për shkak të presioneve të fuqishme nga jashtë për të marr pjesë në zgjedhje ndërsa tani kërkon alibi për të mos pranuar rezultatin zgjedhor. Pretendimet e saj nuk mbajnë, lista zgjedhore është pastruar dhe këtë e ka pranuar edhe vetë LSDM-ja”, u shpreh Dimovski.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e vet administrimit lokal.

Në zgjedhje garojnë dy koalicione të mëdha të partive maqedonase të grumbulluara pranë VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së si dhe tri parti shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe Rilindja Demokratike Kombëtare.

Zgjedhjet kësaj radhe kanë edhe karakterin e garës etnike mes partive shqiptare dhe maqedonase në qytetet e Strugës dhe Kërçovës, në veçanti në këtë të fundit, e cila, pas bashkimit me disa komuna rurale për herë të parë në pritet të drejtohet nga kuadro shqiptare.

Por, për të pamundësuar këtë, është bërë edhe koalicioni më i pazakontë deri më tani, ai mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, të cilat kanë dalë me një kandidatë të përbashkët.