Qytetarët në Maqedoni: Skeptikë për premtimet elektorale

Shkup

Të premten në Maqedoni përmbyllet fushata zgjedhore, për zgjedhjet vendore të cilat o të mbahen të dielën, më 24 mars.

Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe Rilindja Demokratike Kombëtare, takimet përmbyllëse me elektoratin gjatë këtyre dy ditëve të mbetura do t'i zhvillojnë kryesisht në qendrat më të mëdha si Shkupi, Kërçova, Tetova, Gostivari dhe Struga.

Ndërkaq, qytetarët shprehen skeptikë se me premtimet e dhëna gjatë fushatës, kandidatët që do të marrin besimin për të drejtuar komunat do t'i realizojnë në praktikë ashtu siç zotohen gjatë fushatës.

“Zgjedhjet i vlerësoj si manipuluese, mendoj se nuk janë zgjedhjet fer dhe demokratike, por kush është më i fortë, ai do të fitojë. Përmirësim për gjendjen e popullatës nuk ka, me thënë se ka me pasë punësim ose diçka më mirë për ne, s'e besoj, asgjë nuk ka në këtë drejtim”, shprehet Xhevat Ademi, taksist.

Qytetarët janë të brengosur për gjendjen ekonomike, dhe ne aspak nuk pamë ndonjë ofertë si të përmirësohet kjo gjendje. Cila është oferta për të rinjtë që nuk shohin perspektivë këtu edhe pse kryejnë shkollimin?”, thotë Vanco Atanosavski.

Ndërkaq, një pjesë e qytetarëve mendojnë se në këtë fushatë nuk kanë garuar ofertat për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, siç është papunësia e lartë në vend, po sipas tyre e kandidatët më shumë janë fokusuar për të promovuar vetveten.

Papunësia është e madhe në Maqedoni, kjo është e para pikë për çka duhet të angazhohen drejtuesit e partive politike dhe ata që do udhëheqin me komunat, dhe në vend të kësaj ata në fushatë nuk flasin për këtë problematikë, por i bëjnë marketing vetëm vetvetes”, thotë Feta Demiri.

Me pengon ajo se në këtë fushat ka pasur më shumë fyerje të adresuara ndaj oponentëve politik, se sa oferta për atë se çka synojnë të realizojnë dhe si do ta realizojnë”, shprehet Ana Dimitrova.

Ashtu si edhe para katër vjetëve, është njëjtë, nuk ka ndryshuar asgjë në të mirë të qytetarëve, te shqiptarët veçanërisht ka shumë fukarallëk, nuk kemi asnjë shpresë”, shprehet Ramiz Hasani.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni.

Të parat u mbajtën në vitin 1990, gjersa të të fundit në vitin 2009.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve mbetet mundësia që për herë të parë komuna e Kërçovës të drejtohet nga kandidatë shqiptarë.