Si qëndron e ardhmja e Evropës?

Ilustrim

Njëra nga sfidat e Bashkimit Evropian është procesi i zgjerimit, në njërën anë me vendet e Ballkanit Perëndimor, në anën tjetër me vendet e lindjes.

Shkrimtari dhe historiani britanik, Timothy Garton Ash, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, flet për rëndësinë e zgjerimit me vendet si Ukraina dhe Turqia.

“Është thelbësore. Për të ardhmen e Bashkimit Evropian, në të cilin ka zvogëlim të popullsisë së botës dhe të ekonomisë, ne kemi nevojë për zgjerim të mëtejshëm, duke përfshirë Ukrainën dhe Turqinë, të cilat janë dy shtete të mëdha”, thotë Ash.

Timothy Garton Ash


Blloku evropian ka caktuar një varg kushtet që duhen plotësuar për vendet që aspirojnë anëtarësimin. Pos tjerash, këto të fundit duhet të jenë demokraci liberale, të kenë sundim të ligjit, media të pavarura dhe ekonomi tregu.

I pyetur se si e sheh perspektivën e vendeve të tjera në rajon, përfshirë këtu: Bjellorusinë, Moldavinë, Armeninë dhe Gjeorgjinë, Ash nuk është optimist për anëtarësimin e tyre në BE, në të ardhmen e afërt.

“Kur të përmbushin kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ato do të bëhen anëtare të BE-së. Vë bast se për 20 deri në 25 vjet ato do të anëtarësohen”, thotë Ash.

Për Rusinë, ai thotë se nuk ka vendosur ende çfarë do të jetë: një perandori e një qytetërimi alternativ apo një shtet normal në Euroazi. Vetëm kur të vendosë se çfarë do, Bashkimi Evropian mund të punojë në marrëdhëniet afatgjate me të, thotë Ash.

“Rusia ka humbur një perandori dhe nuk e ka gjetur ende rolin e saj. Rusia duhet të vendosë se çfarë do të jetë. Dhe, siç e dimë ne në Britani, kjo merr ca kohë”, thekson Ash.

Një tjetër sfidë që mundon Bashkimin Evropian është kriza e borxheve, e cila ka vënë në rrezik edhe mbijetesën e monedhës së përbashkët – euro. Qiproja tashmë është bërë vendi i pestë i Eurozonës, pas Greqisë, Irlandës, Portugalisë dhe Spanjës, që ka kërkuar financa ndërkombëtare për të mbijetuar krizën e borxheve.

I pyetur nëse do të mbijetojë monedha euro, Ash jep këtë përgjigje:

“Një politikan i lartë francez ka thënë: Kriza e euros ka marrë fund, kriza në euro vazhdon të jetë e fuqishme. Mendoj se ka të drejtë. Eurozona do të mbijetojë, por pyetja është se çfarë çmimi, sidomos për shoqëritë dhe politikat e Evropës Jugore, të cilat janë duke kaluar nëpër vështirësi vërtet të paimagjinueshme për ne, pesë ose dhjetë vjet më parë”, thotë shkrimtari dhe historiani britanik, Timothy Garton Ash.

Përgatiti: Valona Tela