Dhuna e nxënësve, fenomen i shoqërisë tradicionale

Ilustrim

Plagosja e dy të rinjve me armë të ftohta pas një konflikti që kishte ndodhur në afërsi të Shkollës Ekonomike në Prishtinë, është vetëm edhe një shembull drastik i dhunës së shkaktuar në incidentet, në të cilat janë të përfshirë të rinjtë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, bazuar në statistikat e tyre, thonë se shkalla e incidenteve ku janë të përfshirë nxënësit, ka rënë dukshëm vitin e kaluar, krahasuar me vitet paraprake, por incidentet e tilla ende mbeten shqetësuese.

Sipas raporteve të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2012, janë shënuar 351 incidente në gjithë Kosovën, të natyrave të ndryshme, ku janë përfshirë nxënësit.

Në këto incidente, përveç tjerash, janë shënuar 64 raste të lëndimeve të lehta trupore, 9 raste të lëndimeve të rënda trupore, 10 raste të kanosjes, si dhe nga 9 raste të posedimit të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se organet e rendit, ashtu sikurse e gjithë shoqëria, shfaqin shqetësimin për dhunën ndërmjet të rinjve, sidomos nëpër shkolla, ndonëse ajo ka shënuar rënie.

Policia e Kosovës

Shkollat janë çerdhe e dijes, e jo edhe e zënkave të tilla, mirëpo ja që fatkeqësisht ndodhin edhe raste të tilla, ku policia duhet të intervenojë dhe të hapë raste ndaj nxënësve, të cilët merren me këto dukuri jo të mira. Megjithatë, vetëm një rast i tillë, i ndodhur nëpër shkolla, është shqetësues për policinë dhe në përgjithësi për shoqërinë tonë dhe ne si polici, vërtet jemi munduar që të bëjmë gjithçka që mundemi dhe që është në dorën tonë, që këto raste të minimizohen për të mos ekzistuar fare pastaj”, thotë Kamberi.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë është e vetëdijshme për incidentet që ndodhin nëpër shkolla, sidomos në ato fillore dhe të mesme.

Këtë e konfirmojnë zyrtarët e kësaj ministrie, duke thënë se institucionet qeveritare, përfshirë këtu edhe MASHT-in, janë duke u përpjekur të gjejnë forma adekuate që këto incidente t’i sjellin në minimum, por edhe ta çrrënjosin fare këtë fenomen.

Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, deklaron për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me vitet e kaluara, forma e dhunës në shkolla ka ndryshuar.

“Mendoj që tani jemi te një fazë ku ka ndryshuar forma e dhunës në shkolla. Kryesisht, kemi të bëjmë me ngacmime brenda shkollave, me rrahje ndërmjet fëmijëve, e ndoshta me ndonjë indiferencë të lehtë të mësimdhënësve për t’iu qasur zgjidhjes së problemeve të fëmijëve. Këta shembuj tregojnë se edhe mënyra e zgjidhjes së problemeve duhet të ndryshojë dhe ndryshon varësisht prej formës së dhunës”, shprehet Kadriu.


Faktorët nxitës të dhunës

Por, ekspertët e fushës së psikologjisë, vlerësojnë se janë një numër faktorësh që po e shkaktojnë nxitjen e dhunës te të rinjtë.

Psikologu Dashamir Bërxulli, i cili për një kohë të gjatë është marrë me studimin e fenomenit të dhunës te nxënësit, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se ndër faktorët e parë që e nxisin dhunën nëpër shkolla, është toleranca shoqërore ndaj fenomenit të dhunës.
Mbetemi ende shoqëri tradicionale, e cila bazohet në zgjidhjen e problemeve përmes forcës.

Ky fenomen, sipas tij, nuk manifestohet vetëm në shkolla, por dhe në familje dhe në rrethe të tjera shoqërore, ku zgjidhjet kërkohen duke u bazuar në forcën.

“Mbetemi ende shoqëri tradicionale, e cila bazohet në zgjidhjen e problemeve përmes forcës. Nxënësit, realisht, modelet që mësojnë në familje dhe në shoqërinë e gjerë në komunitet, ato tentojnë t’i zbatojnë edhe nëpër shkolla. Kjo është e para".

"Ndërkaq, e dyta, mendoj se në shkollat tona nuk bëhet një punë shumë e mirë, do të thotë, punë me nxënësit që të kanalizojnë energjinë tyre. Veçanërisht nuk punohet mirë dhe nuk mësohen ata se si t’i zgjidhin problemet në mënyrë kreative, në mënyrë konstruktive, duke mos kërkuar që t’i zgjidhin problemet e tyre nëpërmjet dhunës”,
shpjegon Bërxulli.


Ndëshkimi, përjashtohet si masë për ndërprerjen e dhunës

Por, cili duhet të jetë hapi i parë i institucioneve arsimore, por edhe i krejt sistemit arsimor, për ndërprerjen e fenomenit të dhunës në shkolla?

Zyrtarët e MASHT-it e përjashtojnë mundësinë e ndëshkimit, me përjashtimin e nxënësve të dhunshëm nga shkollat. Mendim të ngjashëm kanë edhe ekspertët e psikologjisë.
Qëllimi i shkollës nuk është që t’i përjashtojë njerëzit nga sistemi...

Kadriu thotë se MASHT-i nuk lejon masa të tilla ndaj nxënësve, sepse ato mund të jenë kundër-produktive.

“Qëllimi i shkollës nuk është që t’i përjashtojë njerëzit nga sistemi dhe ndoshta pastaj të krijojë raste edhe më të rënda jashtë sistemit, por të gjejë dhe të ofrojë zgjidhje brenda sistemit të arsimit. Do të thotë, t’i integrojmë dhe të ballafaqohemi me ata që bëjnë probleme dhe të ofrojmë zgjidhje konkrete. Jo të bëhet eliminimi i tyre, sepse çdo hedhje në rrugë e rrit problemin”, thekson Kadriu.

Psikologu Bërxulli thotë se ndëshkimi është fenomen normativ, por në rastin me nxënësit, sistemi duhet të hedhë një hap më tutje. Sipas tij, një pjesë të madhe, kushtimisht thënë, të fajit, e ka vetë sistemi.
Duhet t’i shohim shkaqet e vërteta të dhunës. Shpeshherë nxënësit nuk ndiehen mirë në ambientet e shkollës, sepse shkollat janë ende të mbipopulluara.

“Ne duhet të shkojmë përtej gjërave normative. Duhet t’i shohim shkaqet e vërteta të dhunës. Shpeshherë nxënësit nuk ndiehen mirë në ambientet e shkollës, sepse shkollat janë ende të mbipopulluara".

"Plan-programet, në momente të caktuara, apo puna që bëhet me nxënësit, nuk është aq interesante për ta, meqenëse metodat mund të jenë deri diku edhe të vjetruara. Pra, kërkohet një reformim, në përgjithësi, i punës me nxënësin, duke i kuptuar shkaqet reale të dhunës dhe në këtë mënyrë, neve ia ndërpresim rrugën në mënyrë imediate dhunës”,
vlerëson Bërxulli.

Ndryshe, edhe psikologu Dashamir Bërxulli, por edhe Drita Kadriu, pohojën faktin se në mjaft shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë, mungojnë profilet e profesionistëve që do të punonin me nxënësit, siç janë psikologët, pedagogët dhe sociologët.

Drita Kadriu thotë se sistemi i arsimit është i decentralizuar dhe komunat e kanë obligim të kujdesen për punësimin e këtyre profileve. Por, ajo gjithashtu bën të ditur se MASHT-i, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të mirë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, por edhe me partnerë të tjerë, siç janë UNICEF-i dhe Qendra për Arsim e Kosovës, janë duke e rishikuar një protokoll për parandalimin e dhunës në shkolla, protokoll ky i cili pritet të finalizohet së shpejti.