EULEX-i kërkon bashkëpunimin e serbëve për kapjen e “sulmuesve”

Foto nga arkivi

Shefi i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Bernd Borchardt, u ka bërë thirrje qytetarëve në veri të Mitrovicës që të bashkëpunojnë me EULEX-in për zbulimin e autorëve të sulmeve me bomba në këtë zonë, ku serbët përbëjnë shumicën.

Duke folur për mediat serbe, Borchardt ka thënë se EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë rritur ndjeshëm praninë policore në veri.

“Çdo natë, së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, aplikojmë kontrollin e automjeteve të caktuara dhe marrim në pyetje individë të ndryshëm. Po ashtu ofrojmë mbështetje dhe bashkëpunojmë me policinë në hetimet që janë duke u zhvilluar”, ka thënë kreu i EULEX-it.

Sipas tij, qytetarëve në veri të Kosovës u janë shpërndarë fletushka, si dhe janë bërë njoftime përmes mediave, se roli i misionit evropian në zgjidhjen e problemeve në veri do të rritet dukshëm.

“Asnjë shërbim policor nuk mund të jetë i suksesshëm pa bashkëpunimin dhe ndihmën e gjithë shoqërisë. Andaj, me anë të këtyre fletushkave dhe përmes njoftimeve tona për media, duam të inkurajojmë banorët që të na informojnë nëse kanë çfarëdo informacioni për shpërthimet. Ne duam të gjejmë autorët”, ka thënë Borchardt për "Beta"-n.

Shefi i EULEX-it nuk ka dashur të komentojë hetimet që janë në zhvillim e sipër, por ka thënë se hetuesve u mungojnë dëshmitarët, “ndihma e të cilëve do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme”.

Borchardt po ashtu ka thënë se nuk është i kënaqur me lirinë e lëvizjes së misionit të EULEX-it në veri të Kosovës.

Veriu i Mitrovicës, në kohën e fundit, është tronditur nga shpërthime të shpeshta, të cilat kanë pasur në shënjestër prona të individëve të caktuar.

Analistët thonë se sulmet janë pasojë e bisedimeve midis kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, të cilët po bëjnë përpjekje të zgjidhin problemin e strukturave paralele serbe, të cilat kontrollojnë këtë pjesë të qytetit, ashtu si edhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri.

Banorët e kësaj pjese të Kosovës nuk e njohin autoritetin e Prishtinës zyrtare.(v.t.)