Kompetencat e asociacionit

Pamje nga veriu i Kosovës - foto nga arkvi

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në kuadër të takimit të gjashtë të mbajtur në Bruksel, nuk kanë arritur ende të tejkalojnë nyjën e përcaktimit të kompetencave për asociacionin e komunave serbe.

Pajtimi i tyre në parim që serbët e Kosovës të kenë një asociacion të përbashkët të komunave, nuk ka nënkuptuar edhe pajtimin për kompetencat e këtij organi.

Prishtina zyrtare insiston që ky asociacion të ketë vetëm kompetenca që i parasheh Ligji për Qeverisjen Lokale i bazuar në Pakon e presidentit Ahtisaari, përderisa Beogradi insiston që ky trup të jetë një bashkësi komunash serbe me kompetenca ekzekutive e legjislative.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami thotë se asociacioni sipas modelit të prezantuar nga delegacioni i Prishtinës në dialog me Beogradin, parashihet me Pakon e Ahtisaarit dhe është në harmoni me ligjet e Kosovës.

Ka bazë vetëm si një institucion i koordinimit të politikave të bashkëpunimit ndër-komunal. Bashkëpunimit të koordinimit të nismave të përbashkëta, por assesi si një mekanizëm i ndonjë kuazi-pushteti, apo krijimit të një pushteti politik, sepse drejtpërdrejtë do të cenonte integritetin territorial dhe rendin unik kushtetues”, thotë Bajrami.

Për ndërtimin e këtij asociacioni, Arsim Bajrami thotë se ka tashmë modele të cilat i ka aplikuar jo vetëm Kosova, por edhe vendet tjera evropiane.

Ky asociacion duhet të ndërtohet sipas modelit të asociacionit të komunave që funksionon në Kosovë, asociacioneve të komunave në shtetet evropiane. Ta zëmë, edhe Shqipëria ka dy asociacione. Por, duke mos lejuar që të ketë asnjë kompetencë ekzekutive".

"Nuk mund të flitet për kompetenca legjislative e gjyqësore sepse ato as që pretendohen, por thjeshtë zbërthimi i kompetencave të këtyre asociacioneve duhet të jetë plotësisht brenda sfondit të legjislacionit të Kosovës
”, thekson Bajrami.

Subjekti politik që kundërshton ashpër dialogun me Serbinë dhe sidomos formimin tani të asociacionit të komunave serbe, është Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i këtij subjekti politik, Glauk Konjufca thotë se marrëveshja ndërmjet Thaçit e Daçiqit tashmë është arritur, pasi që ata tashmë po i diskutojnë vetëm detajet e formimit të këtij organi.

Këto negociata janë tërësisht të gabueshme. Me vetw faktin që Serbia ka dalë me një platformë e cila e postulon mosnjohjen e Kosovës si shkallë të parë dhe si shkallë të dytë synon ta ndajë Kosovën përbrenda dhe ta krijoj një entitet, shtet serb përbrenda Kosovës, këto janë dy arsye të mjaftueshme që të mos mbahen fare këto negociata”, thotë Konjufca.

Ndërkohë, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Liberale Serbe, Petar Milletiq thotë se tash për tash vështirë që mund të gjendet përgjigje nëse përmes dialogut do të mund të përcaktohen kompetencat e asociacionit të komunave serbe.

Partia Liberale Serbe paraqet një subjekt politik që aktivitetin e vet politik e zhvillon në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Milletiq thotë se duhet gjetur një zgjidhje që asociacionit t’i mundësohet t’i ketë disa kompetenca, por që nuk do të rrënonin arkitekturën e institucioneve të Kosovës.

Kompetencat e bashkësisë së komunave serbe janë diskutabile dhe këtu është bllokuar disi ky dialog. Por unë jam optimist që të dy kryeministrat do të tregojnë guxim politik, vendosmëri e forcë që deri në fund të dialogut të arrijnë një rezultat”, thotë Milletiq.

Takimi i gjashtë ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë i mbajtur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton ka përfunduar pa marrëveshje në lidhje me kompetencat e asociacionit të komunave serbe.

Ndërkohë që të dy kryeministrat janë pajtuar që të vazhdojnë rrethin tjetër të dialogut po në Bruksel më 20 mars.