"Tre skenarët" e Serbisë për bisedime

Hashim Thaçi, Catherine Ashon dhe Ivica Daçiq në Bruksel.

Në Beograd mbahet të dielën takimi i kreut shtetëror për Kosovën, derisa ai është i mbyllur për media dhe nuk planifikohet të ketë deklarata pas tij, njoftojnë mediat serbe.

Ndërkohë, gazeta Blic, shkruan se kreu shterëror po shqyrton tre skenarë mbi vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe mundësinë e marrjes së datës nga BE-ja.

Opsionet janë që: 1) deri në fund të insistohet në formimin e bashkësisë së komunave serbe me të gjitha përgjegjësitë; 2) nëse kjo nuk ka sukses, të niset me përmbushjen e kushteve të vëna nga BE-ja në dhjetor dhe 3) që koalicioni qeverisës të konfirmojë se data e bisedimeve është çmim tepër i lartë nga ajo që i kërkohet Beogradit .

Raundi i ardhshëm i bisedimeve mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq do të mbahet më 4 mars.

Në raundin paraprak palët kanë biseduar për veriun.

Nuk është arritur pajtim, derisa Prishtina këmbëngul që zgjidhja të jetë sipas planit Ahtisaari, derisa Serbia kërkon një lloj autonomie për komunat e banuara me shumicë serbe.

Në takimin e së dielës në Beograd marrin pjesë Tomisllav Nikolliq, kryeministri Ivica Daçiq, zv/kryeministri Aleksandër Vuçiq, ministri i ekonomisë, Mlaxhan Dinkiq dhe drejtori i Zyrës për Kosvën, Aleksandër Vulin.

Ndaj këtyre skenarëve ka reaguar Këshilli Nacional Serb përmes një njoftimi.

Për serbët dhe Këshillin Nacional Serb për veriun e Kosovës e vetmja gjë e pranueshme është që të konfirmojë se marrja e datës për bisedime është çmim tepër i lartë për Beogradin.

“Vetëm ky opsion, që këtyre ditëve nga zyrtarët serbë, edhe po paralajmërohet me deklaratat si ‘nuk është fundi i botës nëse nuk e marrim datën për fillimin e negociatave me BE-në’, mund të sjellë sukses në luftën e shtetit serb në ruajtjen e Kosovës në përbërjen e saj dhe të pranisë institucionale të saj atje”, thuhet në njoftimin e KNS-së.

(a.isufi)