Kompensimi i pensioneve, çështje e mundshme apo “hile” e Serbisë

Ilustrim

Pensionistët e Kosovës do të shqyrtojnë të gjitha rrugët e mundshme për të fituar të drejtën e tyre për kompensim për pensionet e tyre, të cilat janë ndaluar nga shteti i Serbisë që nga qershori i vitit 1999.

Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e Sindikatës së Pensionistëve të Kosovës, të cilët siç thonë, janë duke u përgatitur që të ankohen në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Nisma e sindikalistëve pensionistë ka pasuar pas vendimit të Gjykatës në Strasburg që Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Republikës së Serbisë t’ua kompensojë pensionet 3 individëve që ishin ankuar në këtë gjykatë.

Nexhat Ibrahimi, nga Sindikata e Pensionistëve të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo sindikatë ka vendosur që t’i deponojë ankesat në Gjykatën e Strasburgut.

Disa pensionistë që janë ankuar privatisht i kanë fituar pensionet. Kemi informata nga disa avokat që na prezantojnë neve edhe në Gjyqin e Strasburgut, prandaj ne po mbledhim shënime sa të mundmi. Mirëpo, ndërkohë, do të mbahet një mbledhje e Kuvendit të Kosovës, me 28 shkurt, lidhur me këtë çështje dhe ne do ta shqyrtojmë, pasi të mbahet ky kuvend, se çka të bëjmë më tutje”, tha Ibrahimi.

Por, lidhur me këtë çështje, përplasje mendimesh janë duke u zhvilluar ndërmjet Sindikatës së Pensionistëve dhe Shoqatës e Pensionistëve të Kosovës.

Këta të fundit mendojnë ndryshe nga sindikalistët.

Kryetari i kësaj shoqate, Shaban Kajtazi, tha për Radion Evropa e Lirë se pensionistët të cilët kanë përfituar kompensimin e pensioneve të tyre nga Serbia, nuk janë shtetas të Kosovës.

Mirëpo, ata tre pensionist që thonë se janë të Kosovës, ata kanë qenë të Kosovës, por janë shpërngulur në Novi Pazar (Serbi). Janë dy boshnjak dhe Shaban Kelmendi, i cili shkon herë në Kosovë e herë nuk e di se ku... Ajo nuk është bazë, ngase pensionistëve të Kosovës, asnjë individi, ende Gjykata e Strasburgut nuk ua ka pranuar atë të drejtë, sepse duhet të shteren të gjitha mjetet juridike në gjykatat e vendit, për të arritur të drejtën për të shkuar në gjykatën ndërkombëtare”, u shpreh Kajtazi.

Në anën tjetër, nën presionin e Gjykatës së Strasburgut, Qeveria e Serbisë më 12 shkurt e kishte hartuar “planin aksional për zgjidhjen e problemit të pagesës së pensioneve në territorin e Kosovës”.

Më pas, Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë ka nxjerrë një dokument, përmes të cilit njoftohen pensionistët e Kosovës për mundësinë e kompensimit të tyre dhe mënyrën e aplikimit.

Por, Kajtazi vlerëson se ky veprim është vetëm një lojë taktike nga ana e Serbisë, për shkak se dokumenti, të cilin e ofron Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë është i papranueshëm për pensionistët e Kosovës.

Ai është një dokumentacion i papranueshëm për pensionistët e Kosovës, ngase dokumentacioni, sipas tij, dikton që të gjithë pensionistët e Kosovës, në një mënyrë, ta pranojnë shtetin e Serbisë dhe të dorëzojnë dokumentacion nga shteti i Serbisë. Pensionistët e Kosovës në asnjë mënyrë atë se pranojnë”, theksoi ai.

Kohë më parë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, pati deklaruar se çështja e kompensimit të pensionistëve të Kosovës duhet të shqyrtohet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po mbahet në Bruksel.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dokumenti apo njoftimi të cilin e ka lëshuar Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë, mbanë në vete kushte, apo siç e quan ai hilen, deri në atë mase sa ai të jetë i parealizueshëm nga pensionistët e Kosovës.

Ata kërkojnë nga administrata e UNIMKU-t që t’ua siguroj vërtetimet për çdo individ se nuk kanë pranuar pensione deri më tash nga sistemi i pensionisteve. Për diçka të tillë, UNMIK-u nuk ka potencial. Në anën tjetër, kompetencat në nivel vendor për sistemin e pensioneve e ka Ministria e Punës. Do të thotë, kjo mund të nënkuptohet sikur të kërkosh diçka nga dikush, për të cilin e dini se nuk e ka. Ndërkaq, nga ai që realisht e ka, ata nuk e kërkojnë”, tha ministri Rashiq.

Sipas tij, është një numër krejtësisht i vogël i pensionistëve të Kosovës të cilët do të mund ta vërtetojnë gjendjen që e kërkon të sqarohet dokumenti që ka lëshuar Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve thonë se janë në kontakt me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe çështjen e kompensimit të pensioneve nga shteti Serb dëshirojnë t zgjidhin në nivelin e marrëveshjes ndërshtetërore Kosovë-Serbi.

Këtë e sheh si të vetmen mundësi edhe ministri Rashiq.

Mënyra e vetme është që të bëhet një marrëveshje, para së gjithash, politike, që problemi i pensionistëve të jetë një nga pikat e rendit të ditës në dialogun politik dhe teknik që po zhvillohet në Bruksel dhe që Ministria e Punës ta ketë një ekip teknik që do të emërohej për këtë çështje”, theksoi ministri Rashiq.

Sidoqoftë, sindikalistët e pensionistëve nuk e përjashtojnë mundësinë që zgjidhja e çështjes së kompensimit të pensioneve të tyre të shqyrtohet në dialogun Kosovë –Serbi, por, ata megjithatë, insistojnë që kjo çështje të dërgohet edhe në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.