Rruga e Kombit - suksesi më i madh për pesë vjet

Ilustrim

Pesë vjet pas shpalljes së shtetësisë, Kosova ka realizuar mbi gjysmën e projektit kapital - autostradën nga Vërmica në Prishtinë.

Projekti infrastrukturor që vlerësohet të jetë më i madhi në historinë e Kosovës, dhe një nga vendimet më të rëndësishme strategjike e zhvillimore në Kosovë, konsiderohet i rëndësishmi, kryesisht për faktin që lidh Kosovën me Shqipërinë.

“Rruga e Kombit” e quajnë atë politikanët e të dyja vendeve.

Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës, shpjegon se deri më tani janë shtruar gjithsejtë 60.4 kilometra të autostradës nga Vërmica në Gjurgjicë.

Puna, sipas tij, është bërë në një kohë rekorde rreth 8 muaj para planit të paraparë dinamik.

Tashmë është duke u punuar në segmentin 9, ndërsa që vijon procesi i shpronësimeve në segmentet 7 dhe 8. Bazuar në planifikimet e Qeverisë dhe ministrisë së infrastrukturës si dhe në dinamikën e punës nga punëkryesi, presim që i tërë projekti të finalizohet deri në fund të vitit 2013”, thotë Nitaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë për të shtuar se në gjatësinë e ndërtuar rrugore ndërtuar 14 ura, 23 mbikalime, 20 nënkalime dhe 37 km rrugë lidhëse lokale.

Autostrada, që mban emrin e presidentit të ndjerë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte filluar të ndërtohet më 12 prill të vitit 2010.

Në nëntorin e vitit 2011, u patën lëshuar për qarkullim fillimisht 38 kilometrat e para, deri në fshatin Sllapuzhan të Therandës, ndërsa më në korrik të vitit 2012 u lëshuan në qarkullim edhe 4 kilometra tjera nga Sllapuzhani në Duhël.

Segmenti i pestë, nga Duhla në rrugën nacionale Prishtinë- Pejë u lëshua për qarkullim me 27 nëntor 2012, në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Përfitimet e bizneseve nga autostrada

Lëshimi për qarkullim i 60 kilometrave të autostradës ia hapi rrugën zgjerimit të veprimtarive për bizneset nga Kosova dhe ato nga Shqipëria, ndërsa u rritën shkëmbimet tregtare në mes të dyja palëve.

Kompania “Pestova”, e cila bën prodhimin dhe përpunimin e patates, është njëra nga kompanitë kosovare së cilës autostrada i krijojë mundësi të mirë për të zgjeruar biznesin edhe në Shqipëri.

Bedri Kosumi, pronari i kësaj kompanie, thotë se realizimi i projektit ka hequr shumë pengesa për depërtimin e patates së tij në tregun shqiptar.

Duke iu falënderuar pikërisht kësaj rruge, ne kemi filluar kultivimin e patates të hershme në Shqipëri përball Laçit në Fushë Kuqe, dhe është pikërisht rruga që na ka mundësuar këtë, se sikur të na duhej të shkonim nga Qafë Thana, ka qenë e pamundur. Shpresoj që edhe pengesat që kanë qenë në të kaluarën siç është referenca doganore më nuk do të ndodhin dhe rruga është ajo që na mundëson që të kemi një treg gjithëkombëtarë”, shprehet Kosumi.

Ai tha se eksporti i kësaj kompanie ka shënuar po ashtu rritje.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës thonë se kjo autostradë i bën ata të krenohen dhe të ndjehen si kudo në rrugët e Evropës.

Adrian Morina, duke kujtuar kohën se kur ka filluar ndërtimi i kësaj rruge, thotë se ishte befasuar me koston e lartë që kishte autostrada, por që tani thotë pavarësisht gjërave është një projekt që është i qëlluar.

Sot do të shkojmë në Tiranë. Shumë mirë që kemi këtë autostradë. Kam udhëtuar në rrugën e vjetër që ishte përmes Kukësit dhe po ashtu rrugës nga Maqedonia, kemi bërë 12 orë rrugë ndërsa tani shkojmë për 2 orë e gjysmë. Kur po e vendosim në bilanc mundin si qytetarë dhe këtë pjesën tjetër që ndoshta të keqpërdorimeve që bëhen për shkak të çmimeve shumë të shtrenjta , prapë po them që më mirë që e kemi autostradën”, thotë ai.

Në ndërtimin e autostradës nga Vërmicë në Prishtinë ka qenë e angazhuar edhe kompania nga Kosova “Vëllezërit e Bashkuar”, në Prizren .

Kjo kompani mësohet se ka bërë furnizimin e konsorciumint “Bechtel&Enka" me produktet që ka kompania, si gypa të betonit, skajor, kanaleta, kubëza etj.

Safer Susuri, drejtori gjeneral i kësaj kompanie tha se angazhimi i tyre në ndërtimin e autostradës ka qenë simbolik për shkak të barriera që janë paraqitur.

Përkundrazi, i ka bëre barrierë biznesit tonë dhe bizneseve të kësaj fushe, sepse shërbimet dhe lëndën e parë të cilën e prodhojnë firmat tona vendore ata (ndërtuesi), i ka prodhuar nëpër punishtet e veta. E ne (qoftë kompanitë e kësaj fushe, ashtu edhe fuqia punëtore kosovare, te cilët kanë mundur më shumë të angazhohen në këtë projekt, (me çmim edhe ashtu shume të lartë) kemi luajtur rolin e spektatorit të ndërtimit te autostradës”, i tha Susuri Radios Evropa e Lirë në një prononcim dërguar përmes postës elektronike.

Derisa autostrada po ndërtohet, ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë shprehen mjaft kritik.

Eksperti i çështjeve ekonomike Lumir Abdixhiku thotë për Radion Evropa e Lirë se projekti i autostradës ka qenë i ngutshëm për kohën që është bërë.

Sipas tij, ky projekt nuk ka lënë mundësinë e adresimit të shumë nevojave tjera ekonomike që ka pasur Kosova, siç janë ato sociale, edukimi shëndetësia e deri tek krijimi i politikave adekuate për sektorin privat.

Autostrada është një projekt madh, është një projekt i domosdoshëm, rrugët janë të domosdoshme, por jo me formën si është bërë jo me ngutin siç është bërë dhe jo me koston se si e njëjta është bërë”, shprehet Abdixhiku.

Ndërtimin e autostradës është duke e bërë konsorciumi“Bechtel&Enka”.

Deri në përfundim të vitit 2012 për autostradën janë shpenzuar rreth 580 milion euro, por kostoja përfundimtare do të dihet saktësisht pas përfundimit të punëve finale.