Në Bruksel shqyrtohen temat e dialogut

Bruksel...

Në selinë e shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian, është zhvilluar të enjten dialogu teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, me takimin e grupeve punuese të cilat janë duke u orvatur të gjejnë zgjidhje për hollësitë për implementimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, gjegjësisht për doganat dhe mënyrën se si do të mblidhen ato në pikëkalimet kufitare.

Nga Bashkimi Evropian vetëm është konfirmuar se takimi është zhvilluar dhe se ai do të vazhdojë edhe nesër, mirëpo nuk janë dhënë shumë hollësi.

Është thënë se ky takim, përpos për doganat, do të jetë rast për të shqyrtuar edhe temat tjera të dialogut si energjinë dhe telekomunikacionin, sikur edhe për të përgatitur raundin e ardhshëm të takimit në nivel të lartë politik, takimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me homologun e tij të Serbisë, Ivica Daçiq, që parashihet të zhvillohet me 17 janar.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton ka thënë se takimi është duke u zhvilluar dhe se ai do të shërbejë për të përgatitur edhe disa tema në prag të takimit të dy kryeministrave, mirëpo ajo nuk dha hollësi tjera.

Kocijançiq nuk deshi të komentoi as platformën dhe rezolutën që ka miratuar Qeveria e Serbisë, duke thënë se nuk ka koment për ato, mirëpo për BE-në, sipas saj, me rëndësi është që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë të jenë të kyçur në mënyrë konstruktive dhe me përkushtim në dialogun që po zhvillohet në Bruksel.

Sa i përket temave të dialogut, palët vazhdojnë të japin interpretime të ndryshme lidhur me mundësinë e mbledhjes së doganave në pikëkalimet.

Qeveria serbe vazhdon të thotë se nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete, dhe se duhet të gjendet marrëveshja ndërkohë, ndërsa Qeveria e Kosovës thotë se nuk ka pasur ndonjë pajtim që serbët në veri të mos paguajnë doganë.

Burimet në BE pohojnë se po kërkohet një modalitet, sipas të cilit, paratë që do të mbledhen në doganë do të mund të shkojnë përsëri për nevojat e serbëve në veri të Kosovës, mirëpo vetëm përmes një buxheti të Qeverisë së Kosovës.

Këto janë vetëm pritje, mirëpo edhe në BE pohojnë se për momentin nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete, dhe se kjo është arsyeja qe po takohen grupet punuese për të gjetur zgjidhje për këtë, si dhe për temat tjera.