Çfarë po ndodh me Pranverën Arabe?

Pamje nga protestat në Egjipt

Pranvera Arabe ka nisur me shpresa të mëdha për një të ardhme më të mirë. Dy vjet më vonë, gjërat duken më të komplikuara.

Ka qenë një vit i vështirë për Pranverën Arabe. Egjipti është në grahmat e krizës më të keqe politike, që nga rrëzimi i presidentit Hosni Mubarak në vitin 2011. Dhe, në Siri, lufta civile përkeqësohet çdo ditë.

Këto realitete, plus problemet në shumë shtete arabe, dallojnë shumë nga optimizmi që kishte rrethuar fillimet e Pranverës Arabe.

Optimizmi erdhi me rrëzimin e katër diktatorëve - në sfidën më të madhe të sundimit autoritar që nga shpërbërja e bllokut sovjetik.

Por, nëse revoltat e 2011-ës në Tunizi, Egjipt dhe Jemen kanë qenë kryesisht fitore pa gjak, ato janë mjegulluar me luftën civile në Libi dhe frikën se ndërtimi i shteteve të reja demokratike mund të jetë më i vështirë sesa rrëzimi i diktatorëve.

Në vitin 2012, këto frika janë bërë realitet.

Në Egjipt, laikët dhe islamikët, të cilët janë bashkuar për të rrëzuar Mubarakun, janë ndarë në dy kampe – në mbështetës dhe kundërshtarë të presidentit të ri islamik, Muhammad Morsi.

Protesta të dhunshme në mes të tyre ka nxitur kushtetuta e re, e hartuar nga islamikët.

Një protestues, Ezz Abdel Aziz, e shpjegon në këtë mënyrë:

“Është e papranueshme që çdo president në Egjipt ndërhyn në hartimin e kushtetutës. Një president i zgjedhur në mënyrë demokratike nuk duhet të ndërhyjë fare në kushtetutë. Ai vetëm duhet të mbikëqyrë punën e Komisionit Kushtetues. Kjo është e tëra”, thotë ai.

Në Tunizi, vendin ku ka nisur vala e protestave pro-demokratike në rajon, laikët dhe islamikët janë po ashtu në grindje.

Qeveria e tranzicionit, e udhëhequr nga islamikët, thotë se kushtetuta e re nuk do të përfshijë ligjin islamik. Por, grupet laike druajnë se ajo mund të ndryshojë para se të finalizohet diku në fillim të këtij viti.

Maha Azzam, nga Instituti Catham i Londrës, thotë se ndarjet midis laikëve dhe islamikëve nuk janë asgjë e re në botën arabe. Por, ato janë zgjeruar me Pranverën Arabe.

“Ndarja ka qenë gjithmonë atje. Ajo çfarë kemi parë me hapjen e procesit politik, është se ndarja është bërë më e dukshme tani, kur ka forca të ndryshme politike që konkurrojnë për pushtet dhe ndikim”, thotë Azzam.

Sipas saj, pyetja që shtrohet për vitin 2013 është nëse vendet e pas-Pranverës Arabe do të normalizohen apo do të mbeten të paqëndrueshme politikisht. Por, çfarëdo që të ndodhë, ajo thotë se rruga drejt demokracisë është e pakthyeshme.

“Shoqëritë në botën arabe, që kanë përjetuar Pranverën Arabe, kanë shkuar shumë larg duke shprehur kërkesat e tyre për shoqëri të lirë, për përgjegjësi më të madhe. Andaj, është vështirë të shihet kthimi prapa”, thotë Azzam.

Në Sirinë e shkatërruar nga lufta, sfida është ndryshe. Atje, pyetja për vitin 2013 është nëse forcat rebele mund të mposhtin presidentin Bashar al-Assad, pa ndërhyrje nga jashtë.

Edhe në rajonin e Gjirit, ku Pranvera Arabe ka ende për të arritur – përveç në Bahrejn – e ardhmja duket e pasigurt.(v.t.)