Ndërlidhjet

Shqetësime për përhapjen e konfliktit jashtë Sirisë


Kufiri Siri - Turqi...
Kufiri Siri - Turqi...
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Sirisë. Komentet e tij vijnë pas incidenteve të ditëve të fundit ndërmjet Sirisë dhe Turqisë.

“Nëse konflikti fillon të zgjerohet në vendet fqinje si Turqia, mbetet për t’u parë. Por, është fakt që ka shkëmbime zjarri midis këtyre dy vendeve dhe kjo ngre shqetësime për zgjerimin e konfliktit”, ka thënë Panetta.

Duke folur gjatë vizitës në Peru, ai ka thënë se Uashingtoni është duke përdorur kanalet diplomatike për të paralajmëruar Turqinë dhe Sirinë kundër përshkallëzimit të mëtejmë të situatës.

Tensionet e fundit ndërmjet Turqisë dhe Sirisë kanë nisur të mërkurën, kur një predhë nga Siria ka goditur në një qytet kufitar të Turqisë, duke vrarë pesë civilë. Ushtria turke është përgjigjur me artileri. Incidentet e ndërsjella kanë vazhduar për katër ditë.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se është politikë e Turqisë të hakmerret ndaj çdo sulmi të Sirisë në territorin e shtetit turk.

Ai ka deklaruar se autorizimi i Parlamentit të Turqisë për aksione ushtarake përtej kufirit, ka për qëllim të parandalojë përhapjen e dhunës në Turqi.

Ne e dimë se sirianët e kanë marrë këtë mesazh nga informacionet jodirekte. Serioziteti dhe vendosmëria e Turqisë i janë bërë me dije Qeverisë siriane”, ka thënë Davutoglu.

Predhat siriane kanë rënë në Turqi derisa forcat qeveritare të Sirisë kanë bërë përpjekje të rimarrin zonat e kontrolluara nga kryengritësit rebelë, pranë kufirit Siri-Turqi.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Sirisë, të cilat dikur kanë qenë aleate, janë përkeqësuar që nga shpërthimi i revoltës kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad, në mars të vitit 2011.

Turqia ka shprehur mbështetje për rebelët dhe ka strehuar dhjetëra-mijëra refugjatë sirianë në territorin e saj. Qeveria në Ankara i ka bërë vazhdimisht thirrje Assadit të japë dorëheqje.

Rreth 30,000 njerëz, përfshirë civilë, rebelë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, thuhet të jenë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit.

Revolta në Siri ndodh në vazhdën e kryengritjeve të cilësuara si Pranvera Arabe. Protestat në Tunizi, Egjipt, Libi dhe Jemen kanë arritur të ndryshojnë regjimet shumëvjeçare. (v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG