Mundësitë e pashfrytëzuara ekonomike

Fotografi ilustruese

Kosova edhe pse është anëtare e disa mekanizmave ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe së fundi anëtare edhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për ekspertët e çështjeve ekonomike, autoritetet kosovare nuk po i shfrytëzojnë mundësitë për të përfituar nga këto institucione të rëndësishme.

Eksperti Muhamet Sadiku, thekson se mekanizmat financiarë ndërkombëtarë kanë ndihmuar Kosovën në ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe financiar, por që Kosovës i mbetet ende punë për të bërë që të përftojë më shumë nga ajo se çfarë ofrojnë këta mekanizma ndërkombëtarë.

Kosova është anëtarësuar në këto vitet e fundit në institucione financiare ndërkombëtare, dhe Kosovës do t’i duhet përvojë e madhe që të behet një shfrytëzues më i madh mbështetjes dhe shfrytëzimit të kësaj mbështetjeje me projektet konkrete, me projekte të cilat do ta ndryshojnë situatën socio- ekonomike në Kosovë”.

Prandaj, kuptohet se ky është një proces i gjatë, por Kosova në anën e vet duhet t’i kryejë detyrat të cilat i takojnë, e ajo ka të bëjë kryesisht me fuqizimin e administratës publike në të gjitha nivelet”, tha Sadiku.

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore, në BERZH, është parë si mundësi e mirë për ta rritur besimin e investitorëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, që Kosova është një vendi i mirë për të investuar.

Por, eksperti për çështje ekonomike Safet Gërxhaliu, njëherësh kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se nuk mjafton vetëm të jesh anëtar i një mekanizmi ndërkombëtar, por edhe të dish ta shfrytëzosh atë.

Nuk ja vlen të jemi vetëm pjesë ose partner i këtyre institucioneve, nëse benefitet nga ky partneritet nuk reflektohen në ambientin ekonomik në Kosovë. Dua ta tërheq një paralele, Kosova e ka pasur një konferencë të donatorëve para ca viteve, dhe zotimet për ndihmë Kosovës kanë qenë më tepër se një miliard e 200 milionë euro”.

Lind pyetja sa janë absorbuar ato mjete? Duhet të kuptohet një herë e përgjithmonë që rruga e komunikimit ose mekanizmi i komunikim me këto institucione janë projektet – sundimi i rendit të ligjit dhe fizibiliteti i projekteve me të cilat do të aplikohet”, deklaron Gërxhaliu.

Gërxhaliu, shprehet kritik ndaj punës se institucioneve të vendit në këtë drejtim, duke theksuar se tash është koha kur duhet të ketë një qasje tjetër të komunikimit profesional me mekanizmat ndërkombëtarë, ku Kosova është anëtare.

Nëse nuk do të ketë projekte të mirëfillta dhe nuk do të ketë dëshmi se ato projekte të financuara përmes këtij partneriteti do të zgjerojnë zhvillim ekonomik, punësim dhe promovim të vlerave të Kosovës”.

Vërtet është diçka që duhet të na brengosë të gjithëve, sepse nuk duhet të jemi dekor i këtyre institucioneve, po nga këto institucione ta nxjerrim substancën. Për fat të keq, nga kjo substancë Kosova shumë pak ka përfituar në vitet e fundit”, deklaron Gerxhaliu.

Edhe Muhamet Sadiku thotë se Kosova nuk ka kapacitete absorbuese për përftimin e ndihmave që sjellin këto institucione, e sidomos nga ndihma që ofron Komisioni Evropian.

Shtrohet çështja se a ka Kosova kapacitet absorbuese për thithjen e kësaj ndihme ndërkombëtare, sidomos për e ndihmën e cila vjen nga Komisioni Evropian? Sigurisht që Kosova ka probleme serioze, ka deficite në administratë dhe në vende të tjera thithja e ndihmave që vjen nga jashtë është e kushtëzuar nga kapacitetet administrative. Dhe vërtet Kosova ende nuk ka arritur që të ndërtojë struktura administrative të cilat do të jenë në gjendje që të pranojnë ndihmën nga jashtë”, thekson Sadiku.

Ndryshe, edhe përfaqësues të bizneseve kanë deklaruar se që nga anëtarësimi i Kosovës në dy mekanizma financiarë si FMN –ja dhe BB-ja, nuk është parë ndonjë zhvillimin i hovshëm ekonomik i Kosovës.