Qytetarët përshëndesin vendimin e Hagës

Qytetarët e pritën kthimin e Ramush Haradinajt...

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, i cili të enjten e liroi nga akuzat Ramush Haradinajn dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, nga qytetarët në Prishtinë është vlerësuar i drejtë dhe si një vendim, i cili jo vetëm se i shpall të pafajshëm të akuzuarit, por që nxjerr në pah edhe vlerësimin për një luftë të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarët e mbledhur pranë ekraneve të mëdha në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, e kanë përcjellë me mjaft emocione, vendimin për lirimin e Ramush Haradinajt.

Shaip Jusufi nga Podujeva, i përlotur, tha se vendimi i Gjykatës në Hagë, lidhur me Haradinajn dhe bashkëluftëtarët e tij, e çoi në vend drejtësinë, ndonëse, sipas tij, pak me vonesë:

“Vendim shumë me vend. Ramushi ka qenë luftëtarë i lirisë... si i tillë nuk është dashur të burgoset. Sot është dita më e bukur në këto 100 vitet e fundit, përveç pavarësisë”.

Zheraldina Çeku theksoi se drejtësia për luftëtarët kosovarë ishte vënë në vend nga Gjykata e Hagës:

“Drejtësi e vonuar apo e pa vonuar... por, kurrë nuk është vonë. Vendim me vend. Normalisht, sepse është vetëmbrojtja dhe mbrojtja e popullit. Mirëpo, këtë moment e përjetuam të gjithë, shumë të gëzuar dhe të lumtur. Ka qenë moment i shumëpritur dhe shpresojmë dhe besojmë se do të ecim përpara”.

Lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Mahmut Raxhepi e quajti moment shumë të rëndësishëm për Kosovën:

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën. Është momenti i lirimit të Ramush Haradinajt. Me këtë verdikt, Gjykata e Hagës vërtetoi pafajësinë e Ramushit, si dhe luftën e pastër të UÇK-së për lirim”.

Sadete Vitia tha se lirimi i Haradinajt është një lajm shumë i mirë për Kosovën:

“Nuk po kam shumë fjalë për të komentuar, për arsye se jemi shumë të emocionuar edhe unë, por edhe në përgjithësi qytetarët që po i shoh. Por, me një fjalë, u bë shumë mirë. Më në fund, drejtësia doli në shesh dhe u bë shumë mirë. Dashtë Zoti e kthehen mirë ata”.

Për Idriz Gashin është fitore të drejtësisë lirimi i Haradinajt, Brahimajt dhe Balajt nga akuzat, me të cilat u përballën në Gjykatën e Hagës:

“Mendoj se drejtësia ka fituar. Tribunali i Hagës e ka dhënë atë verdikt që e ka merituar Kosova, çfarë e ka merituar prijësi i luftës. U vërtetua se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë luftë e drejtë, ka qenë luftë mbrojtëse dhe kjo rezultoi me lirimin e sotëm të zotit Haradinaj dhe dy të tjerëve të akuzuar. Është fitore e madhe për popullin e Kosovës, sepse ai do t’i kthehet Kosovës me atë vrullin dhe elanin që e ka lënë në vitin 2005”.

Halit Shabani nga Gjakova, lirimin e Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, e quajti moment të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët:

“Megjithatë, thonë se e vërteta gjithsesi del në shesh dhe kjo korrespondon me atë që edhe vetë Ramushi me shokët e tij u lirua dhe bota e ka parë se ne kemi zhvilluar një luftë të drejtë dhe të pastër. Kështu që, kjo korrespondon me atë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për çlirimin e vendit. Ky është një moment jashtëzakonisht i mirë, jo vetëm për këta luftëtarë, por për krejt kombin shqiptar”.

Arritja e Ramush Haradinajt në Prishtinë, u prit me kremte nga qytetarët. Ata ishin dyndur drejt sheshit “Nëna Terezë” duke ardhur nga rajone të ndryshme të Kosovës.

Demush Mehmeti tha se lirimi i Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, është shkak për të festuar në gjithë Kosovën:

“Kjo për mua dhe besoj se për të gjithë qytetarët e Kosovës është një kënaqësi e madhe, sepse më në fund fitoi drejtësia. U lirua njeriu i pafajshëm, u arsyetua lufta e drejtë e UÇK-së, u vlerësua lufta çlirimtare e popullit të Kosovës me në krye komandant Ramush Haradinaj dhe të gjithë komandantët e tjerë. Populli shqiptar, së paku në aspektin shpirtëror, ndjen një liri dhe kënaqësi”.

Edona Jusufi theksoi se vendimi i Gjykatës së Hagës ka qenë mjaft domethënës për figurën e Haradinajt dhe bashkëluftëtarët e tij:

“Kjo do të thotë shumë. Pas 7 vitesh u pa që përnjëmend ka qenë e drejtë krejt ajo që ka folur ai (Haradinaj) dhe ajo çfarë ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Miftar Brahimaj, nga Jabllanica e Gjakovës tha se Gjykata e Hagës e vërtetoi atë që, sipas tij, kosovarët e kanë ditur që moti:

“Vlerësojmë që lufta jonë ka qenë e drejtë dhe kjo u vërtetua nga drejtësia e Tribunalit”.

Halit Rexhepi nga Gjilani, vlerësoi se kthimi i Ramush Haradinajt nga Haga do të bëjë kthesë edhe në skenën politike në Kosovë:

“Sigurisht do të jetë një promotor në politikën kosovare, i cili shumë gjëra do t’i shtyjë përpara, sepse ai e ka dëshmuar me aktivitetin dhe punën e tij edhe në periudhën sa ka qenë 100 ditë kryeministër i Kosovës. Prandaj, shpresat e kësaj popullate janë që do të bëhet një kthesë në politikën kosovare”.