Mbi 50 për qind më pak investime të huaja

Ilustrim

Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës tregon se investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie prej mbi 50 për qind. Kjo rënie e madhe nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të organizatave ekonomike në Kosovë konsiderohet mjaft shqetësues.

Në raportin e fundit të BQK-së thuhet se zhvillimet në sektorin e jashtëm u reflektuan edhe te investimet e huaja direkte, të cilat në periudhë janar-qershor 2012 shënuan rënie prej 53.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Dërgesat e emigrantëve po ashtu, sipas këtij raporti, shënuan rënie vjetore prej 0.7 për qind, derisa vlera e remitencave thuhet të jetë 261.5 milionë euro.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se arsyet e rënies së investimeve të huaja direkte përveç tjerash janë si pasojë e mungesës së sundimit të ligjit në Kosovë.

Kriza financiare në shumë vende të Evropës domosdoshmërish i ka pasur efektet edhe në rënien e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Realisht kjo është arsyeja kryesore e rënies së investimeve. Arsyeja tjetër është edhe dështimi i institucioneve të Kosovës për të ofruar diçka konkrete për investitorët e huaj”, thekson Zeka.

Kosova me një ekonomi të pa zhvilluar, vlerëson Zeka, ka nevojë për investime të shumta direkte. Mungesa e këtyre investime sipas tij, pamundëson përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është duke tentuar që të sjell investitorët amerikanë në Kosovë, por që sipas Arian Zekës, ardhja e tyre në Kosovë bëhet vetëm në momentin kur kemi një ambient më të mirë biznesor dhe eliminimin e nivelit të lartë të korrupsionit në institucionet vendore.

Mungesa e sundimit të ligjit i cili rezulton në shkallë të lartë të korrupsionit ndikon në ikjen e investitorëve. Investitorët e huaj nuk dëshirojnë të rrezikojnë as veten e as biznesin e tyre”, thotë Zeka.

Ndërkohë, raporti i fundit i Banës Botërore i publikuar në tetor në vlerësimin për mbrojtje të investitorëve, e kishte renditur Kosovën shumë mirë. Nga vendi i 174 e kishte radhitur në vendin 117, duke e bërë ngritjen më të madhe krahasuar me indikatorët tjerë të këtij raporti.

Pavarësisht përmirësimit të kësaj fushe, profesori i ekonomisë, Mejdi Bektashi mendon se në Kosovë mbrojtja e investitorëve është nën nivelin e duhur.

Në mungesë të funksionimit të mirë të sistemit gjyqësor shumë investitorë të huaj, thotë Bektashi nuk arrijnë t’i zgjidhin problemet që mund t’i kenë.

Mbrojtja e investitorëve besoj se është më e dobëta krahasuar më vendet e rajonit, dhe në këtë rast problemi kryesor paraqitet në funksionimin e sistemit gjyqësor në veçanti në rastet kur partnerët e huaj ankohen për shkeljet që iu bëhen ndaj investimeve të tyre”, shprehet Bektashi.

Investimet e huaja nga profesor Bektashi konsiderohen si mjete gjeneruese të ekonomisë së Kosovës dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Pa investime të huaja thotë Bektashi Kosova nuk mund të dal nga kriza aktuale ekonomike.

Kosova nuk mund të pres që nga akumulimi vetanak e më së paku nga buxheti të hapen vende e reja të punës, dhe e vetmja mundësi për të pasur zhvillim të shpejtë ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës është tërheqja sa më e madhe e investimeve të huaja, kryesisht nga shtetet e Bashkimit Evropian nga Turqia etj”, vlerëson Bektashi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, që nga viti 2000 deri në tremujorin e parë të vitit 2012, investimet e huaja direkte në Kosovë kapin shifrën rreth 2.4 miliardë euro.