Festa e një kombi

Ilustrim

Përvjetori i njëqindtë i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, i cili do të shënohet më 28 nëntor, për të rinjtë shqiptarë në Kosovë do të jetë një festë, e cila në vete përmbledh gëzimin, por edhe përkujtimin e luftërave dhe sakrificave të shumë brezave të shqiptarëve, për bërjen e shtetit të tyre të pavarur, vlerësojnë disa të rinj, të cilët jetojnë në Prishtinë.

Në rubrikën tonë të përjavshme, VOX, ata flasin për domethënien që ka 28 Nëntori për ta, si i shohin rrethanat, në të cilat është krijuar shteti shqiptar një shekull më parë, si dhe për domethënien që ka për ta flamuri kombëtar, që njëkohësisht është edhe flamuri shtetëror i Shqipërisë.



Kushtrim Veliu, student, thotë se festa e 28 Nëntorit është e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë ata.

“28 Nëntori është festë kombëtare e shqiptarëve që simbolizon shpalljen e pavarësisë më 1912. E di që kanë luftuar shumë në atë kohë, për të ardhur deri te shpallja e pavarësisë dhe aty ( Vlorë) ka pasur edhe delegacion nga Kosova. Më duket sa janë vonuar, por ka pasur shumë delegatë. Kosova ka mbetur jashtë (kufijve të shtetit shqiptar). Nuk kanë mundur ta bëjnë bashkimin e trojeve shqiptare, në përgjithësi, por gati se 100 vjet më pas, e shpallën edhe Kosovën shtet”, thotë Kushtrimi.

Lumturije Rashiti, studente, thotë se shqiptarët e Kosovës, po e mirëpresin datën 28 Nëntor:

“28 Nëntori është një festë për të gjithë shqiptarët. U shpall pavarësia e Shqipërisë. U ngrit flamuri në Vlorë nga Ismail Qemali. 28 Nëntori, sivjet është 100-vjetori i shtetit shqiptar, është shumë festë e mirë dhe jemi duke e mirëpritur”.

Por, sa i njohin të rinjtë rrethanat, në të cilat u krijua shteti shqiptar 100 vjet më parë?

Ylber Avdijaj, student, thotë se pavarësia e Shqipërisë ishte shpallur në rrethana mjaft kritike dhe të rrezikshme për të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët . Megjithatë, sipas tij, Shqipëria kishte edhe miq që e mbështesnin shpalljen e pavarësisë së saj dhe lirinë e shqiptarëve.

“Shteti i parë që ka ndihmuar në krijimin e kësaj lirie, ka qenë Austria, e cila pati thënë se me shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, ajo do të jetë e para që do ta njohë pavarësinë e Shqipërisë. Do të thotë, kur delegatët janë nisur ta shpallin pavarësinë, prej Durrësit deri në Vlorë kanë bërë afër tri ditë, për shkak se shteti aq shumë ka qenë i okupuar dhe ka qenë me rreziqe. Në momentin që është kuptuar se do të shpallet Shqipëria shtet i pavarur, armiku është forcuar edhe më shumë, për t’i penguar kosovarët që të marrin pjesë në shpalljen e pavarësisë. Isa Boletini ka arritur pasi që është shpallur ajo”, thotë Ylberi.

Ndryshe, ditëve të fundit, në qendrat e Kosovës tashmë kanë nisur përgatitjet për shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që nënkupton edhe festën e flamurit kombëtar.

Jo rrallë, rrugëve të kryeqendrës së Kosovës, defilojnë të rinjtë dhe fëmijët, me flamujt kuq e zi, ngjyra këto që e karakterizojnë flamurin kombëtar të shqiptarëve.

Por, si i shohin fëmijët simbolikat e këtij flamuri, me shqiponjë të zezë dykrerëshe në sfondin e kuq, si dhe të datës 28 nëntor?

Lidhur me këto, ata jo rrallë ndërmjet tyre komentojnë dhe shkëmbejnë mendime. Ulis Hamiti, nxënës i shkollës fillore, thotë se Ismajl Qemali është figura historike që shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

“Me këtë 28 nëntor, Shqipëria mbushë 100 vjet që kur është shpallur shtet i pavarur. Atje ka shkuar Isa Boletini, Ismail Qemali. Ka pasur edhe shumë njerëz të tjerë që kanë ndihmuar për ngritjen e flamurit në Vlorë. Atë e ka ngritur Ismail Qemali. Flamuri për mua është një simbol shtetit, i kombit dhe i dashurisë”, shprehet Ulisi.

Feniks Mehaj, po ashtu fillorist, thotë se që moti e ka mësuar emrin e femrës që ka qëndisur flamurin, i cili u shpalua më 28 nëntor 1912 në Vlorë:

“Flamurin e ka bërë Marigona. Në atë flamur është shqiponja mbi ngjyrën e kuqe. Njëra kokë e shqiponjës është për Kosovën e tjetra është për Shqipërinë”.

Edhe bashkëmoshatari i Ulisit dhe Feniksit, Sokol Makolli, jep mendimin tij:

“ 28 Nëntori është dita e flamurit dhe e Shqipërisë, e cila mbush 100 vjet që është shpallur shtet i pavarur. Me ngjyrën e shqiponjës (e zezë) unë nënkuptoj se si kanë mbajtur zi nënat dhe me ngjyrën e kuqe unë nënkuptoj se sa kanë derdhur trimat gjak për ta shpëtuar atë, sepse simbolizon gegën dhe toskën, që janë dy koka, por edhe ato janë të njëjta. Secili krah i ka nga 9 fletë, si dhe nga tri fletë në dy anët e bishtit”.

Por, studenti Ardian Cakolli, thotë se pavarësisht që shënohet 100-vjetori i shtetit dhe flamurit shqiptar, ky flamur, sipas tij, është simbol që daton shumë më parë dhe është bartur nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, hero kombëtar i shqiptarëve, i cili në shekullin XV u kishte prirë me sukses shqiptarëve, për më shumë se një çerek shekulli, kundër Perandorisë Osmane.

“Prej kohës së Skënderbeut, kur është ngritur për herë të parë (flamuri), është festa e flamurit. Për herë të dytë është ‘Nëntori i dytë’ në Vlorë, më 1912. Flamuri bashkon të gjithë shqiptarët në një komb të vetëm. Gjithsesi, ne jemi vëllezër dhe pa marrë parasysh se jemi shtet i ri (Kosova), për ne ka rëndësi kjo festë”, thekson Ardiani.

Edhe Njomëza Maksutaj, studente, vlerëson se, 28 Nëntori si dhe flamuri kombëtar, i bashkon në festë të gjithë shqiptarët. Por, sipas saj, në këtë ditë duhet rikujtuar të gjithë ata që luftuan për krijimin e shtetit shqiptar:

“Kjo datë përkujton luftën, e cila ka zgjatur me vite për bashkimin e një kombi. Edhe vetë flamuri është kuq e zi, ku shqiponja me dy koka e simbolizon Kosovën dhe Shqipërinë. Dyzet delegatë kanë bërë nënshkrimin e pavarësisë së Shqipërisë, ku ka pasur edhe pjesëtarë të Kosovës, si Hasan Prishtina dhe Isa Boletini. Ky i fundit ka arritur më vonë, ky është fakt. Por, i gjithë mesazhi është që për 100 vjet kemi luftuar që të jemi një komb dhe vazhdojmë ta kemi ende atë dëshirë dhe shpresë që një ditë do të bashkohen Kosova dhe Shqipëria”.