Kosova pa reforma - as pas 500 vjetësh në BE

Ilustrim

Derisa normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit theksohet si një nga parakushtet për avancimin e agjendës evropiane të të dyja vendeve, Bashkimi Evropian po vazhdon të këmbëngulë në realizimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve në fushën e sundimit të ligjit për të gjitha vendet që, një ditë, dëshirojnë të jenë pjesë e këtij mekanizmi.

Paralelisht me çështjet e pazgjidhura me shtetin serb, Kosova, e cila ka mbetur e fundit në rajon me hapërimin drejt BE-së, vazhdon të marrë kritika sa i përket luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit, pavarësisë së sistemit gjyqësor, funksionimit të administratës publike dhe të tjera.

Brukseli po shpenzon miliona euro për t’i ndihmuar institucionet vendore dhe misionin e tij-EULEX, në mënjanimin e problemeve ekzistuese të vendit, por rezultatet e deritashme vlerësohet të jenë jo të kënaqshme.

Ndonëse kishin theksuar rëndësinë për përmirësimin e raporteve Prishtinë-Beograd, diplomatët evropianë të angazhuar në Kosovë kishin thënë se për Kosovën nuk do të ketë BE derisa ajo të mos realizojë reformat e kërkuara.

Në vend se kjo çështje të trajtohet si prioritet qeveritar, sipas ekspertit për integrime, Avni Mazreku, janë bisedimet me palën serbe ato që janë bërë “super-prioritet”.

“Fatkeqësisht, Kosova ka neglizhuar veten; fatkeqësisht Kosova ka mbetur shumë prapa në funksion të reformës së saj publike dhe rrjedhimisht kjo çon deri te një mungesë kapacitetesh për t’u përballur me procesin e përmbushjes së kritereve të Kopenhagës që janë tri: kriteri politik, ekonomik dhe juridik”, u shpreh Mazreku për Radion Evropa e Lirë.

Në strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian për vitin 2012-2013, për Serbinë theksohet, ndër të tjera, nevoja që “të ketë një përmirësim të dukshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që të dyja të jenë të gjendje të vazhdojnë rrugën e tyre drejt BE-së duke mos e penguar njëra-tjetrën në këto përpjekje”.

Përveç përmirësimeve në fushën e sundimit të ligjit, Kosova dhe zbatimi i marrëveshjeve (me theks te ajo për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit), mbesin parakushte kryesore që Serbia të marrë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Për Kosovën, ndërkaq, ishin caktuar disa prioritete afat-shkurtra dhe afat-gjata në mënyrë që ajo në të ardhmen të jetë në gjendje të nisë negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

Në këtë kuadër, bisedimet aktuale për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin serb mund të mos i kryejnë shumë punë Kosovës, në rast se vendi nuk i përmbush këto prioritete.

Eksperti Shenoll Muharremi tha për Radion Evropa e Lirë se pa i përmbushur reformat e kërkuara, Kosova as pas 500 vjetëve s’do të mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Shenoll Muharremi

“Ka një keqkuptim te lidershipi i Kosovës që ky dialog do ta shpie Kosovën në Bashkimin Evropian dhe këtë kryeministri Thaçi e ka përmendur personalisht. Dialogu është shumë i rëndësishëm në integrimin e vendeve në BE, por nëse nuk plotësohen kushtet dhe reformat, Kosova edhe 500 vjet nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha Muharremi.

Muharremi theksoi se Kosova duhet të ndalet së shërbyeri integrimit evropian të Serbisë dhe, në vend të kësaj, “t’i kryejë detyrat e veta të shtëpisë”.

“Është për keqardhje që kjo qeveri që e kemi sot nuk e ka një koncept zhvillimor të Kosovës dhe shumicën e aktiviteteve të saj i ka të bazuara në dialogim, për shkak se ky dialog është ai që dinë ta bëjnë më së miri. Është shumë me rëndësi që të investohet në sektor që çojnë në zhvillim të Kosovës. Këto kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin e sektorit privat dhe arsimin kualitativ”.

“Nëse e shikoni projekt-buxhetin e vitit 2013 e shihni që minimalisht është investuar në këto elemente në krahasim me, për shembull, sa po investohet në politikat e transportit. Andaj është shumë me rëndësi që ta kemi një koncept zhvillimor, të kemi koordinim më të mirë, në mënyrë që Kosova të zhvillohet, përbrenda të jetë më e fortë. Përndryshe, ky dialog nuk mund të na shpie në BE”, vlerësoi Muharremi.

Dialogu, megjithatë, pritet të vazhdojë në pjesën e parë të dhjetorit ku kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, pritet të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të deritashëm “teknik” ndërmjet palëve-me theks te marrëveshja për IBM-in (Integrated Border Management Agreement).