Shërbimi diplomatik, sukses a ngecje?

Ilustrim

Shërbimi diplomatik i Kosovës, sipas anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme nga opozita, është në një gjendje katastrofike dhe pa elemente të përmirësimit të shpejtë.

Opozita kritikon ashpër politikën e Ministrisë së Jashtme, rrjedhimisht edhe të ambasadave. Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, nga LDK-ja, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Ministria e Jashtme nga viti 2010 nuk ka hapur asnjë ambasadë apo konsullatë, gjë që, sipas tij, tregon se në çfarë gjendje është shërbimi diplomatik i vendit.

“Gjendja në diplomacinë e Kosovës është katastrofike, do të thosha unë, sepse është një diplomaci që absolutisht ka dështuar në të gjitha segmentet. Fatkeqësisht, në dy vjetët e fundit kjo diplomaci nuk ka arritur të hapë asnjë zyrë konsullore të vetme, e të mos flasim për ndonjë ambasadë”.

“Informacionet që unë kam, flasin për mungesë totale të komunikimit të rregullt midis qendrës, do të thotë të Prishtinës dhe ambasadave të Republikës së Kosovës. Flasin për mungesë totale të përpunimit të informacioni që ambasadorët e dërgojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme ”,
thotë Hyseni.

Mirëpo, anëtari tjetër i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Hydajet Hyseni, thotë se shërbimi diplomatik i vendit, është ende në një fazë të zgjerimit dhe të kompletimit të tij. Sipas deputetit Hydajet Hyseni nga PDK-ja, Kosova është duke u përballur me sfida që nuk janë të zakonshme për shërbimet diplomatike të vendeve të tjera.

“Kam informacione për angazhime të shumta të diplomatëve tanë në kontaktet që ata i kanë dhe angazhimin e tyre për lobim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, mendoj që edhe kur kjo finalizohet pastaj në nivelin më të lartë, nuk vlerësohet gjithmonë angazhimi i niveleve më të ulëta, për të cilat unë mendoj që janë të rëndësishme dhe shpesh jam dëshmitar se ato edhe qëndrojnë si pjesë e përpjekjeve për të krijuar raportet e duhura bilaterale, parlamentare e diplomatike midis vendeve të ndryshme”, shprehet Hydajet Hyseni.

Ai, po ashtu, thekson se për punën e shërbimit diplomatik kosovar ka vlerësime pozitive nga autoritetet ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur disa vizita në vende të ndryshme, për shembull në Zvicër, kam biseduar me përfaqësues të Hungarisë, të Francës personalisht kam biseduar me ta edhe me vendet e tjera. Vlerësimi i autoriteteve vendore për shërbimin tonë diplomatik kanë qenë përtej asaj që prisnim, po ashtu imazhi që kanë krijuar ata. Kjo dëshmohet edhe në raportet që i dërgojnë ata Qeverisë së Kosovës, e ndonjëherë edhe komisionit parlamentar”, thekson Hydajet Hyseni.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës është prioritet i lartë shtetëror.

Po ashtu, zyrtarët e MPJ-së theksojnë se në vitin 2011 është hartuar dokumenti strategjik, siç është strategjia për arritjen e njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, ish-shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, konsideron se efekti i strategjive matet me rezultate konkrete dhe rezultatet konkrete, sipas tij, flasin për dështim.

“Sukseset duhet të shihen në efekte praktike, jo në propagandë. Bëhet kjo, kemi kaq strategji, kemi bërë kaq plane e programe - të gjitha këto tingëllojnë bukur për veshin, mirëpo gjithsesi rezultatet në diplomaci janë shumë konkrete dhe ato flasin vetvetiu. Vetë numri i njohjeve që arrin gjithsej në 5 më duket në këtë vit, është një rënie e madhe për dallim nga vitet e tjera dhe flet më së miri”, potencon Hyseni.

Njohësit e rrethanave në Kosovë sa i takon çështjes së lotimit, kritikojnë institucionet kosovare, pasi, sipas tyre, ato nuk e kanë shfrytëzuar në masën e duhur mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Edhe analistët politikë kosovarë vlerësojnë se diplomacia kosovare duhet të jetë më aktive, pasi që, sipas tyre, Kosova nuk ka arritur numrin e mjaftueshëm të njohjeve.