Miratohet Rezoluta

Kuvendi i Kosovës

Me 68 vota për, tri kundër dhe katër abstenime, pas një debati më se katërorësh, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që parasheh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

E paraqitur këtë javë nga Partia Demokratike e Kosovës, rezoluta u miratua me disa ndryshime nga dokumenti fillestar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe fqinjësia e mirë, janë parakusht për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Thaçi theksoi se normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin do të nxisë pesë shtetet evropiane që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e vendit, ta bëjnë këtë, ndërsa hodhi poshtë mundësinë që me palën serbe të diskutohet ndonjë status special për veriun e Kosovës
Kosova është një, unike, e pandarë, me unitet të plotë territorial të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht...

“Kurrë, në asnjë rrethanë askush dhe nuk do të ndodhë që të ngrejë statusin special apo autonomisë, për dikë në Kosovë. Kosova është një, unike, e pandarë, me unitet të plotë territorial të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht!”, deklaroi Thaçi.

Në kohën kur Kuvendi po vazhdonte diskutimet për rezolutën, Qeveria serbe mbajti mbledhjen e saj të radhës, pas së cilës kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri të ditur se është marrë vendim që të vazhdojnë bisedimet lidhur me Kosovën.

Por, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, thanë se me rezolutën e miratuar Qeveria synon t’i japë vetes një mandat të ri për të biseduar për çështjen e veriut të Kosovës.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, theksoi nevojën që në vend të normalizimit të raporteve me Serbinë, Prishtina zyrtare ta kushtëzojë dialogun me të me një varg çështjesh politike, morale e humanitare.

“Qeveria nuk ka vullnet, përveçse nuk ka program, sepse ka interes për këtë gjendje. Kushtet në politikë nuk bën të shndërrohen në tema. Kjo është mënyrë se si vuloset josovraniteti. Procesi i sovranizimit është nëpërmjet kushtëzimit”, u shpreh Kurti.

Protesta e Vetëvendosjes në Kuvend, kundër nënshkrimit të Rezolutës...

Duke e cilësuar rezolutën tradhti për Kosovën, dy anëtarët e Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe Liburn Aliu, mbajtën lart një pankartë me mbishkrimin “Rezoluta e nënshtrimit ndaj Serbisë”, në kohën kur rezoluta finale po lexohej nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Ky i fundit, bëri të ditur se në mesin e disa ndryshimeve, në rezolutë është futur edhe rëndësia për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të deritashëm teknik Prishtinë-Beograd, të cilin e ka ndërmjetësuar Brukseli që nga marsi i vitit të kaluar.

BE-ja pritet ta vazhdojë rolin ndërmjetësues edhe në fazën më politike të bisedimeve ndërmjet palëve që thuhet se kanë për synim normalizimin e raporteve ndërmjet tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Serbia, aktualisht, është në pritje të datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian, ndërsa Kosova duhet të përmbushë disa parakushte për të nisur negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.