Barrierat në tregtinë e lirë

Ilustrim


Komisioni Evropian ka identifikuar katër fusha në të cilat Kosova duhet të shënojë progres të menjëhershëm me qëllim të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Njëra nga këto fusha është zhvillimi i tregtisë së lirë.

Kosova në këtë fushë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe shoqatave ekonomike, nuk qëndron keq, pasi që ka të nënshkruara marrëveshje për tregti të lirë me disa vende të rajonit si dhe është nënshkruese e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore.

Ata thonë se Kosova është shembull i mirë në respektimin e marrëveshjeve për tregti të lirë.

Por, problemi sipas tyre, është në politikat jo të favorshme tregtare të Qeverisë së Kosovës për bizneset vendore.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku thotë për Radion Evropa e Lirë se ka një ngufatje të tregut nga institucionet e Kosovës.

Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket marrëveshjeve për tregti të lirë, ne jemi shumë më tepër liberal dhe të lirë ne relacion me vendet e rajonit.

Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket marrëveshjeve për tregti të lirë, ne jemi shumë më tepër liberal dhe të lirë ne relacion me vendet e rajonit. Por, tregtia e lirë nënkupton edhe ndërhyrjet institucionale në treg të Kosovës dhe jo vetëm relacionet e Kosovës me vendet tjera, dhe këto ndërhyrje kam përshtypjen se janë shumë të rënda".

"Kemi një ngufatje të tregut nga prezenca e institucioneve në vend, kemi shumë barriera në treg dhe kemi një prezencë të madhe të informalitetit të evazionit dhe trajtim të pabarabartë të bizneseve në treg”, thekson Abdixhiku.

Kosova, e cila është nënshkruese e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore që nga viti 2007, sipas Abdixhikut nuk i ka ndihmuar Kosovës, pasi që vendi ka pasur problem me fuqinë e bizneseve, të cilat nuk ka arritur të konkurrojë në këtë treg të lirë.

Natyrisht duhet theksuar që as CEFTA dhe as një marrëveshje e lirë tregtare nuk nënkupton që vendi të jetë duarkryq. Ka shumë hapësira që të mbrohen prodhuesit vendorë, sidomos ndaj produkteve të subvencionuar prej vendeve tjera".

"Tregtia e lirë nuk do të thotë që ne mund t’i lejojmë produktet e subvencionuar të konkurrojnë në Kosovë, por do të thotë që të krijojmë tregti të barabartë mes vendeve. Nëse një produkt i një shteti fqinj është i subvencionuar, nuk guxon të hyjë në Kosovë dhe të konkurrojë me një produkt kosovar”, thotë ai.

Ndërkohë, ajo që do të ndihmonte në zhvillimin e tregtisë së lirë, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka, është që produktet vendore të jenë në pozitë konkurruese me vendet me të cilat nënshkruhet marrëveshja për tregti të lirë.

Në këtë kontest e kam fjalën për fuqizimin, për rritjen e kapaciteteve prodhuese për rritjen e potencialit eksportues të Kosovës dhe për gjenerimin e kapaciteteve të reja, pasi që aktualisht Kosova përballet me deficit të lartë tregtar".

Arian Zeka

"Realisht, Kosova nuk ka çka t’i importon këtyre vendeve më të cilat nënshkruan marrëveshje për tregti të lirë dhe në këtë kuptim, së paku për Kosovën, humb rëndësia apo efekti i nënshkrimit të marrëveshjeve për tregti të lirë”, shprehet Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Ndërmarrjet prodhuese të cilat kanë eksport në vendet e rajonit dhe dëshirojnë që të kenë treg edhe në vendet e Bashkimit Evropian, sipas Zekës, duhet të punojnë në përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe të punojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Sidoqoftë, arritja e nënshkrimit të marrëveshjeve për tregti të lirë dhe fuqizimi i këtij sektori do të kishte rëndësi të madhe në tërheqjen për investitorëve të huaj.

Arian Zeka thotë se institucionet e Kosovës për zhvillimin e tregtisë së lirë duhet të ndihmojnë në krijimin e politikave ekonomike lehtësuese dhe më të favorshme në veçanti në sektorin e prodhimtarisë.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore i cili do të mundësonte qarkullimin më të shpejt dhe më të lehtë të mallrave nga Kosova në vendet tjera është parakusht tjetër që të ndihmojë zhvillimin e tregtisë së lirë. Po ashtu edhe eliminimi i pengesave politike që mund të vinë nga shtete tjera që janë pjesë e marrëveshjes CEFTA”, bën të ditur Zeka.