Ndërlidhjet

Kosova larg integrimit ekonomik


Ilustrim
Ilustrim
Në aspektin ekonomik drejt rrugës së integrimeve evropiane, Kosova duhet të bëjë reforma të mëdha të politikës monetare, fiskale dhe tregtare. Pa reformimin e këtyre tri politikave ekonomike, Kosova nuk do të integrohet në ekonominë evropiane, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Kosova ende nuk ka të nënshkruar asnjë marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian. Kjo, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, është vetëm një fakt që tregon se Kosova është shumë larg integrimit të saj ekonomik në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se është bërë shumë pak progres në përmbushjen e kritereve ekonomike, drejt integrimit ekonomik.
Duhet të bëhen reforma te politikat tregtare, politikat integruese reformuese; politika që i sigurojnë investitorit ambient të mirë për investime.

“Reformat drejt integrimit ekonomik evropian, janë shumë të nevojshme. Duhet të bëhen reforma te politikat tregtare, politikat integruese reformuese; politika që i sigurojnë investitorit ambient të mirë për investime. Politikat duhet të jenë të harmonizuara me ato të BE-së”, thotë Shahini.

Megjithatë, ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se edhe pse Kosova nuk ka një marrëveshje zyrtare me Bashkimin Evropian, asgjë nuk mund ta ndalojë atë në përmbushjen e kritereve ekonomike drejt integrimit.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka riafirmuar, kohë më parë, gatishmërinë e BE-së për mbështetjen e Kosovës në përpjekjet e saj për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare me Brukselin.

Ndërkaq, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kishin thënë se Kosova ka bërë përparim të dukshëm drejt fillimit të negociatave për marrëveshjen për tregti të lirë. Po ashtu, kishin vlerësuar se marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së janë përmirësuar.

Në aspektin legjislativ, thekson eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, Kosova qëndron mirë, pasi që, siç thotë ai, ligjet ekonomike në Kosovë janë bërë në harmoni me ato të BE-së
Sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me ekonominë e vendit, nuk jemi shumë larg...

“Sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me ekonominë e vendit, nuk jemi shumë larg, sepse këto ligje, me rastin e hartimit, janë bërë në harmoni me parimet e ekonomisë evropiane”, thekson Shatri.

Sipas Shatrit, ajo çka e pengon më shumë ekonominë e Kosovë të integrohen në ekonominë evropiane, është evazioni fiskal dhe korrupsioni. Shatri konsideron se pa luftimin e këtyre dukurive, ekonomia e Kosovës nuk do të mund të integrohet në BE.

“Evazioni fiskal, konkurrenca jo e drejtë janë disa veprime që e bëjnë një ambient të pafavorshëm ekonomik në Kosovë. Të gjitha këto dhe janë probleme të mëdha që e pengojnë ekonominë e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, vlerëson Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Komisioni Evropian, i cili raporton për progresin e arritur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian, në raportin e fundit raporton shumë pak progres në përmbushjen e kritereve ekonomike.

Ndryshe, kriteret ekonomike nënkuptojnë një ekonomi funksionale tregu, si dhe aftësi për t’u përballur me konkurrencën dhe fuqinë e tregut në BE.

Lexoni edhe këto:
Pengesa të mëdha për eksport në BE
Kuotë individuale për eksport në BE

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG