Reklamohet duhani kundërligjshëm

Ilustrim

Kosova ka një Ligj kundër duhanit, zbatimi i të cilit vazhdon të mbetet problematik. Ligji i miratuar në Kuvendin e Kosovës parashihte që 70 për qind e hapësirave të mbyllura publike të ndalohej, derisa në 30 për qind të këtyre hapësirave lejohej tymosja e duhanit.

Por, në Kosovë, përpos që nuk respektohet Ligji kundër duhanit, duhani edhe reklamohet dhe promovohet në hapësira publike. Këtë e thonë vetë pronarët e lokaleve, të cilët kanë deklaruar se deri dy herë në javë promovuesit e kompanive të ndryshme të duhanit, frekuentojnë kafeteritë për reklamim të produkteve të tyre.



Lidhur me këtë, Shkumbin Gashi, pronar i njërës nga kafeteritë në kryeqytet, tregon:

“Ka raste që vijnë të reklamojnë dy herë në javë kompani të ndryshme me promovuesit e tyre - afrohen nëpër tavolina dhe i pyesin njerëzit. E bëjnë një lloj marrëveshje me njerëzit që kanë cigare në tavolinë, i ndërrojnë me ato cigare që i promovojnë, kështu që reklamohet cigarja”.

Por, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, thonë se reklamimi i duhanit është i kundërligjshëm. Time Kadriaj, nga ky komision, shpjegon:

“Reklamimi i duhanit është i ndaluar me ligjin që është në fuqi. Gjatë monitorimit të Ligjit të duhanit, që e kemi bërë si komision parlamentar, ju kemi thënë që është i ndaluar çfarëdo lloj reklamimi. Ata që sot po e bëjnë një gjë të tillë, po bëjnë shkelje ligjore dhe duhen të sanksionohen”.

Ndërkaq, Shkumbin Spahija, nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), i cili njëherësh ka qenë pjesë e shkrimit të Ligjit kundër duhanit, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se reklamimi i duhanit është shumë i dëmshëm dhe njëkohësisht i jashtëligjshëm.

“Çfarëdolloj reklamimi apo promovimi i duhanit është i ndaluar me ligj. Po e shoh që kjo dukuri po ndodh në mënyrë sporadike. Po angazhojnë të rinj ose të reja, madje disa nga ta që po reklamojnë, po duken nën moshën 18-vjeçare, e që është e dënueshme me ligj. Sa i përket reklamimit që e bëjnë në formë të dhuratave në kafeteri apo si prezantim i produkteve, është e ndaluar edhe me Ligjin aktual”.

“Kjo ka ndikim sidomos te të rinjtë, se i nxit ata që nuk pinë duhan për ta nisur atë derisa e bën më të vështirë për ata që dëshirojnë ta ndërpresin pirjen e duhanit”, thotë Spahija.

Konsumimi i madh i duhanit në mbarë botën, dhe lidhshmëria me shumë sëmundje, kanë detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të mblidhet dhe të nënshkruajë një konventë në vitin 2005, dhe kjo konventë kornizë, synon të parandalojë 5 milionë vdekje çdo vit në botë, që shkaktohen si pasojë e duhanpirjes.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, rekomandon fuqishëm tek autoritetet e shteteve të ndryshme që të ndalojë çdo formë të reklamimit të duhanit.

Skënder Syla, drejtuesi i kësaj organizate për Kosovën, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se me amendamentimin e Ligjit, parashihet që të mos lejohet asnjë formë e reklamimit të duhanit, në mënyrë që të rinjtë që janë edhe targeti kryesor i kompanive të duhanit, të mos bëhen viktimë si klient të rinj, duke i pasur parasysh pasojat e duhanpirjes në shëndet.

“Reklamimi i produkteve të duhanit është njëra nga format që kompanitë e duhanit t’i joshin të rinjtë për të tymosur duhan. Me ligjin aktual ndalohet reklamimi i duhanit, mirëpo ne e dimë që Ligji aktual nuk është duke u zbatuar në nivelin e kënaqshëm”, deklaron Syla.

Sidoqoftë Ligji nr. 04/L-041 për prodhimin, grumbullimin dhe tregtimin e duhanit, neni 27, ndalon reklamimin dhe promovimin publik të çdo forme të tregtimit të duhanit dhe prodhimeve të tij.