Elvis Kelmendi në duart e EULEX-it

Ilustrim

Zyrtarët e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEXt, kanë bërë të ditur se me datën 24 shtator, kanë arrestuar Elvis Kelmendin i cili dyshohet për tentim vrasje të rëndë të Elvis Hoxhiqit, në vitin 2010 në Bosnjë e Hercegovinë.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë së rasti është duke u hetuar nga një ekip i përbërë nga një prokuror i EULEX-it dhe një prokuror vendor.

“Prokuroria ka hapur një rast dhe rasti është duke u hetuar nga një ekip i përbërë prej një prokurori vendor dhe të EULEX-it. Rasti është duke u hetuar dhe varet nga prokurori se cilët do të jenë hapat e ardhshëm, për momentin ai ndodhet në ndalim policor”,tha Krasniqi.

Kelmendi është arrestuar fillimisht nga Policia e Kosovës më 22 shtator, bazuar në një urdhër arrest ndërkombëtar, por në mungesë të marrëveshjeve për ekstradim në mes të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, Kelmendi pas ndalimit 48 orësh nga policia kosovare është lënë i lirë.


Kush është Elvis Kelmendi?

Elvis Kelmendi është i biri i Naser Kelmendit, shtetasit nga Bosnja e Hercegovina, me prejardhje nga Kosova.

Emri i Naser Kelmendit gjendet në “listën e zezë” të presidentit amerikan, Barack Obama, përkrah atij të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

Vetë Naser Kelmendi dyshohet të ketë hyrë në territorin e Kosovës më 10 shtator të këtij viti. Autoritetet e rendit në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi janë në kërkim të tij, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Në rastin e të birit të tij, Elvisit, EULEX-i duket se ka gjetur një hapësirë veprimi ligjor, në kuadër të, siç thuhet, "Nenit 101 të Kodit të Përkoshëm Penal të Kosovës", mbi zbatimin e ligjeve penale ndaj banorëve të Kosovës dhe personave të tjerë të cilët kryejnë vepra penale jashtë territorit të Kosovës.

Policia e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Elvis Kelmendi ka shtetësi kosovare, por që procedurat kundër tij i takojnë organeve të gjyqësisë dhe jo policisë.

Nga ana tjetër, Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin e Prishtinës, ka sqaruar se mënyra se si ka vepruar EULEX-i në rastin e arrestimit të Elvis Kelemendit, është e drejtë, pasi që sipas tij, është respektuar Kodi Penal i Kosovës.

Kosova si edhe çdo shtet tjetër, ka obligim që të kujdeset për shtetasit e vet, derisa ata gjenden në territorin e shteteve të tjera, njëherazi ka të drejtë edhe t'i dënojë në rastin kur shtetasit e Kosovës kryejnë vepra penale jashtë territorit të Kosovës në shtetin tjetër, kështu që në këtë rast EULEX-i ka vepruar mirë në bazë të Kodit Penal”, deklaroi Salihu.

Profesori Salihu thotë se Policia e Kosovës në momentin kur e ka arrestuar Kelmendin, dhe më pas e ka liruar, mund të ketë ndodhë ndonjë gabim, pasi që personi në fjalë është i dyshuar për tentim vrasje.

Policia mund mos ketë ditur, ndonjë gabim, apo ndonjë mosmarrëveshje. Përndryshe, edhe Policia e Kosovës nuk është dashtur ta lirojë atë person. Madje, sipas Kodit Penal të Kosovës, organet e ndjekjes, policia, gjykata, prokuroria kanë të drejtë ta dënojnë edhe shtetasin e huaj nëse është arrestuar këtu, sipas parimit universal të veprimit”, shpjegoi Salihu.



Neni 101 i Kodit aktual Penal të Kosovës:

ZBATIMI I LIGJEVE PENALE TË KOSOVËS NDAJ BANORËVE TË KOSOVËS DHEPERSONAVE TË TJERË TË CILËT KRYEJNË VEPRA PENALE JASHTË TERRITORIT TË KOSOVËS

(1) Ligjet penale të Kosovës zbatohen ndaj secilit person i cili është banor i Kosovës, nëse personi i tillë kryen vepër penale jashtë territorit të Kosovës dhe nëse kjo vepër po ashtu është e dënueshme në vendin ku është kryer ajo vepër.

(2) Ligjet penale të Kosovës zbatohen po ashtu ndaj cilitdo person i cili nuk është i një shtetësie të huaj nëse personi i tillë kryen vepër penale jashtë territorit të Kosovës dhe kjo vepër është po ashtu e dënueshme në vendin ku është kryer ajo vepër.

(3) Paragrafi 1 i këtij neni zbatohet po ashtu ndaj cilitdo personi i cili pas kryerjes së veprës penale bëhet banor i Kosovës.

Kodi aktual Penal vazhdon të jetë në fuqi, deri në fuqizimin e Kodit të Ri Penal, në janar të vitit 2013.