Ligji i ri antiduhan - më i ashpër

Ilustrim

Kosova ka një Ligj anti-duhan, zbatimi i të cilit vazhdon të mbetet problematik. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, bëri të ditur se ligji ekzistues ka mungesa të theksuara në zbatimin e tij.

“Ligji duhet të zbatohet, por çështja është se ky ligj, sa mund të monitorohet dhe mbikëqyret në mënyrë efektive me resurse të kufizuara, të cilat vetë ligji i ka mundësuar. Kjo na ka shtyrë që vetë ne të bëjmë ndryshime në këtë ligj dhe të jenë të qarta ndryshimet; të jenë të adresuara ndaj organeve me përgjegjësi ligjore për mbikëqyrjen e zbatimit të tij”, tha Agani.

Sipas Aganit, edhe institucioni që ai udhëheq, do të jetë është shumë i përkushtuar që ta mbikëqyrë këtë ligji, meqë do të ndikojë shumë në shëndetin publik.

“Ministria e Shëndetësisë do të ketë një vendim duke filluar nga institucionet më të larta e deri te restorantet. Është një detyrë me rëndësi strategjike. Vështirësi, sigurisht se do të ketë. Nuk jemi duke e idealizuar situatën, sepse nevojitet përkushtimi i çdo qytetari, dhe çdo qytetar duhet të jetë monitorues i këtij zbatimi”, theksoi Agani.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, pohoi se pirja e duhanit është pandemia më e madhe në historinë e njerëzimit.

Në botën e civilizuar, numri i personave të moshuar duhanpirës po bie, derisa po rritet numri i të rinjve që tymosin duhan. Sipas tij, ky trend po përcillet edhe në Kosovë.

“Në vitin 2005 është bërë një hulumtim nga IKSHP, dhe këto ditë pritet të bëhet një tjetër hulumtim i dytë dhe të krahasohen vlerat se sa kjo e keqe e madhe e ka kapluar popullatën dhe sa janë të përfshirë nxënësit në duhanpirje”.

“Një prej 10 nxënësve në hulumtim doli se përdorte duhanin, nga të dy gjinitë. Tymosja pasive është më shqetësuese. 82 për qind e atyre që kurrë nuk kanë tymosur duhan dhe 95 e atyre që tash tymosin duhan, janë të ekspozuar në thithje pasive të tymit të duhanit dhe këto shifra janë alarmante, sepse ambienti ynë tashmë është i tymosur”,
bëri të ditur Ramadani.

Sipas Ramadant, konsumimi i madh i duhanit dhe lidhshmëria me shumë sëmundje, kanë detyruar OBSH-në që të mblidhet dhe të nënshkruajë një konventë në vitin 2005, dhe kjo konventë kornizë, synon të parandalojë 5 milionë vdekje çdo vit në botë, që shkaktohen si pasojë e duhanpirjes.

Në anën tjetër, shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Llajlla Omar Gat, deklaroi se edhe pse nuk ka të dhëna të sakta rreth konsumimit të duhanit, Kosova është vendi me prevalencën më të lartë në rajon, sidomos mes të rinjve.

“Në Kosovë duhani është rreziku numër një i shëndetit publik që ndikon te të rriturit, gratë shtatzëna dhe fëmijët. Nga një studim që ka bërë OBSh-ja për pirjen e duhanit, është thënë se 20.9 për qind e grave shtatzëna tymosin duhan dhe 53 për qind e të sapolindurve janë të ekspozuar ndaj duhanit. UNICEF-i me përkrahje të institucioneve vendore do të ketë në shënjestër të mbrojtjes nga duhani aktiv dhe pasiv, fëmijët dhe gratë shtatzëna”, potencoi Omar Gat.

Ligji i rishkruar për ndalimin 100 për qind të duhanit në hapësira publike , pritet të miratohet gjatë këtij viti, njoftuan zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë.