Kosova, “çerdhe “ për pastrim parash

Ilustrim

Kosova është bërë çerdhe për personat që merren me pastrimin dhe falsifikimin e parasë, thotë Musa Limani, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai madje konsideron se terreni për shtrirjen e këtij aktiviteti është mjaft i përshtatshëm, përderisa autoritetet kompetente nuk kanë shumë përvojë në luftimin e kësaj dukurie.

“Ajo që ne e shohim jashtë, do të thotë, situatën jostabil ekonomike dhe politike, unë mendoj se terreni i Kosovës është shumë i përshtatshëm për pastrimin e parave që janë fituar pa djersë. Prandaj, mendoj se është një çerdhe ku njerëzit që dëshirojnë të shpëlajnë paratë, kanë terrenin e sigurt dhe një ambient shumë të mirë për realizimin, përkatësisht pastrimin e parasë”, thotë Limani.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend theksojnë se korrupsioni dhe shpëlarja e parave, është një ndër problemet më të mëdha, me të cilat po përballet aktualisht Kosova.



Merita Mustafa, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se paratë e fituara me aktivitete të dyshimta që synojnë të legalizohen përmes investimeve të ndryshme, nuk është shumë vështirë të zbulohen në Kosovë.

Por, mungesa e gatishmërisë së autoriteteve kompetente, sipas saj, po krijon hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve të tilla.

“Kemi mjaft ndërtesa që po ndërtohen vazhdimisht, sidomos në kryeqytetin e Kosovës dhe kërkojnë investime prej miliona eurosh. Prandaj, kjo dukuri është shumë e shprehur dhe mund të jetë si rezultat i mungesës së vullnetit të njerëzve në politikë, për të krijuar mekanizma të fortë që do ta luftonin këtë dukuri”.

“Por, është edhe tjetra, që personat, të cilët janë në politikë janë të lidhur me aktet e tilla dhe për këtë arsye mungon ndëshkimi apo kundërshtimi i këtyre dukurive”,
shprehet Mustafa.

Zbulimi i rreth një milion dollarëve të falsifikuara, ditën e mërkurë, nga autoritetet e rendit në Kosovë, tregon më së miri, se sa lehtë është të zhvillohen këto aktivitete kriminale në vend, thotë profesori Limani.

Musa Limani

“Kjo dukuri na tregon se Kosova është një terren i përshtatshëm për gjëra të tilla jo ligjore. Po, të mos ishin zbuluar këta dollarë, do të ishin në qarkullim duke ngritur inflacionin, pastaj do të shkonte deri te çrregullimi i tregut dhe ngritja e çmimeve”, vlerëson Limani.

Por, për luftimin e kësaj dukurie, në mbledhjen e fundit, Qeveria e Kosovës, ka miratuar Strategjinë për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizimi, bën të ditur Lulëzim Rafuna, drejtor ligjor në Doganat e Kosovës.

Ai thotë se luftimi i kësaj dukurie, vetëm qe dy muaj ka kaluar në kompetencë të Qeverisë së Kosovës.

“Ne do të themelojmë Zyrën Kombëtare për monitorim dhe koordinim të të gjitha agjencive që hetojnë këtë dukuri, pastaj do të themelojmë edhe Institutin, i cili do të merret ekskluzivisht me trajnime të zyrtarëve hetues, që hetojnë shpëlarjen e parave”.

“Fatkeqësisht, qe 13 vjet kjo ka qenë kompetencë e UNMIK-ut, më pas ka kaluar tek EULEX-i, ndërsa kompetencë e Qeverisë së Republikës së Kosovës është vetëm qe dy muaj”,
thekson Rafuna.

Institucioni kryesor për luftimin e pastrimit të parave në Kosovë është Njësia e Inteligjencës Financiare, njësi kjo që tashmë ka kaluar nën kompetencat e Ministrisë së Financave.

Monitor corruptus