Ndërlidhjet

Pastrimi i parave mbulon aktivitetet e paligjshme


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Fenomeni i krimit financiar apo pastrimit të parave në Kosovë është mjaft i përhapur dhe terreni për shtrirjen e këtij aktiviteti është shumë i përshtatshëm, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se ekzistenca e këtij fenomeni në vend, përveç dëmeve që i shkakton ekonomisë, zvogëlon edhe reputacionin e Kosovës para faktorit ndërkombëtar.

Bektashi thotë se pastrimi i parave në Kosovë ndodh në forma të ndryshme.

“...në formë të transaksioneve të paligjshme, të shpëlarjes së parave nga shtetet e tjera. Në Kosovë bëhen transaksione pa u verifikuar se a qëndrojnë apo a është vlera reale e bartjes së transferit të këtyre parave”.

“Nënkuptohet se për këtë pastrim gjithmonë ekziston një provizion mjaft i madh, që është përafërsisht 1/3 e vlerës së parave të pastruara”,
shpjegon Bektashi.

Sipas tij, ky fenomen bart shumë rreziqe të tjera, sepse përmes pastrimit të parave zhvillohen edhe aktivitete të tjera të paligjshme.

“...duke filluar nga ato të terrorizimit, të përkrahjes së këtyre organizatave, apo krijimi dhe zhvillimi i ekonomisë joformale në shtetin tonë”.

“Pasojat janë shumë të mëdha. Përmes këtij fenomeni dëmtohet edhe buxheti i shtetit, ndërsa disa njerëz pasurohen në mënyrë të paligjshme”,
thekson Bektashi.

Edhe autoritetet e rendit pranojnë se fenomeni i krimit financiar është i pranishëm në Kosovë. Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, ekziston një numër i madh i rasteve të krimit financiar, të hetuara nga policia.

Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se vetëm gjatë vitit të kaluar për këtë çështje janë hetuar 22 raste.

“Gjatë vitit 2010 janë trajtuar dhe hetuar gjithsej 22 raste. Prej tyre, 3 raste janë dërguar në prokurori, 6 persona janë arrestuar, ndërsa janë ngritur 7 kallëzime penale, sa u përket veprave të kësaj natyre”, sqaron Sadriu.

Me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni, vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Institucioni, i cili e mbikëqyr parandalimin e shpëlarjes së parave, është Qendra Inteligjente Financiare, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave. Para një viti, kompetencat e kësaj qendre janë bartur nga EULEX-i tek autoritetet vendore.
XS
SM
MD
LG