Gjuhët e huaja, të domosdoshme

Pamje nga hapësira universitare në Prishtinë

Mësimi i shumë gjuhëve, përveçse pasuron njohuritë e njeriut, është edhe mundësi praktike për komunikimin e tij jashtë vendit ku jeton, ndërkohë që në Kosovë, njohja e së paku një gjuhe të huaj, është bërë gati se domosdoshmëri, vlerësojnë disa të rinj kosovarë.

Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë, VOX, ata thonë se të rinjtë në Kosovë kryesisht orientohen për të mësuar dhe zotëruar gjuhët, të cilat janë dominuese në komunikimet ndërkombëtare në Evropë, por edhe më gjerë.

Sipas tyre, disa e mësojnë për kënaqësi, disa për shkak të nevojave për shkollim, e disa për shkak se kjo ua lehtëson gjetjen e vendeve të punës.



Granit Vishi, student në Fakultetin Teknik, Dega e Ndërtimtarisë, thotë se e flet rrjedhshëm gjuhën angleze, ndërkohë që po përpiqet ta mësojë edhe gjuhën gjermane.

“Arsyeja se pse duhen ato është për shkak se jetojmë në një botë, ku gjuhët e huaja janë prioritet dhe nuk mund të kuptohesh me njerëz nëse nuk e di një gjuhë të huaj, me njerëz që vijnë prej vendeve tjera e që momentalisht janë të shumtë. Secili e ka profesionin e tij, por në secilin profesion nevojiten gjuhët e huaja. Për të kontaktuar me njerëzit brenda, nuk është problem, por jashtë duhet ta dish një gjuhë të huaj. Kryesisht, gjuha zyrtare është gjuha angleze”, thotë Graniti.

Justina Gërguri, e cila sivjet fillon shkollimin universitar, beson se shumica e të rinjve në Kosovë, kanë mësuar të paktën një gjuhë të huaj, gjë që, sipas saj, është mjaft pozitive.

“Mjaft i dinë, anglishten, gjermanishten... U duhen për gjithçka. Pa një gjuhë të huaj, të paktën, nuk mund të bësh asgjë. Për shembull, të duhet edhe në Kosovë, për punë, për të ardhmen, për komunikim jashtë. Të nevojitet për profesionin në të ardhmen. E di gjermanishten, madje, them më mirë se gjuhën shqipe. Anglisht di vetëm sa për të komunikuar”, shprehet Justina.

Donjeta Demelezi e quan të domosdoshme për çdo të ri apo të re, njohjen e një gjuhe të huaj dhe, sipas saj, interesimi i tyre është mjaft i madh në këtë drejtim:

Tash është e domosdoshme që ta dish një gjuhë të huaj, së paku për ata që mendojnë të studiojnë jashtë ose për ta gjetur një vend pune të përshtatshëm. E di gjuhën angleze. I kam kryer disa nivele të larta të (kursit) gjuhës angleze dhe besoj se e di rrjedhshëm. Italishtja shumë më pëlqen dhe lexoj fjalorë dhe libra të ndryshëm, por ende nuk i jam qasur ndonjë kursi intensiv. Por, shumë më pëlqen”.

Edhe Faton Demiri, po ashtu student, thotë se është i dukshëm interesimi i të rinjve në Kosovë për zotërimin e gjuhëve të huaja. Ai është i angazhuar edhe me punë dhe aty domosdo i nevojitet njohja e një gjuhe të huaj.

“Shumica po. I kam parë edhe nëpër shkolla që e mësojnë gjuhën angleze. Pak a shumë ka që e mësojnë edhe gjuhën gjermane, por anglishten po. Anglishtja është gjuha më e mirë që mund t’i duhet dikujt. Nëpër të gjithë Evropën duhet, madje në tërë botën. E di gjermanishten, por anglishten sa për t’u kuptuar me njerëz. E di gjermanishten se kam jetuar edhe vetë në Gjermani. Na duhet më shumë në punë, sepse punoj në një qendër të sigurimit shëndetësor për Zvicër”, tregon Fatoni.

Por, Shkëndije Krasniqi nuk beson se të rinjtë në Kosovë njohin gjuhët e huaja, pavarësisht faktit se kanë nevojë për këto njohuri:

“Të rinjtë e Kosovës nuk i dinë edhe aq shumë gjuhët e huaja. Por, u nevojitet shumë, sepse pa gjuhë të huaja nuk ka asgjë. E di pak a shumë anglishten dhe gjermanishten e kuptoj. Duhet t’i mësoj patjetër, sepse nevojiten për gjithçka. Por, këtu në Kosovë, të rinjtë shumë pak preferojnë për t’i mësuar”.

Mendim të përafërt ka edhe Pranvera Kastrati, studente. Sipas saj, të rinjve, gjatë shkollimit të mesëm u mungon interesimi për gjuhët e huaja, deri në momentin kur arrijnë te shkollimi universitar.

“Të rinjtë, derisa po vijnë në fakultet, unë mendoj se nuk po angazhohen, do të thotë në shkollën e mesme. E, kur vijnë në fakultet, atëherë po, sepse e shohin se u nevojitet shumë, për literaturë sidomos dhe po kanë ambicie për të dalë jashtë për të studiuar. Gjuha gjermane më pëlqen shumë edhe si theks dhe krijon mundësi për të studiuar jashtë. Por, është edhe anglishtja dhe, pasi që më pëlqen, kam shprehur dëshirën që të shkoj në kurse. Po tentoj që t’i mësoj të dyja”, thotë Pranvera.

Murat Shabani thotë se i zotëron dy gjuhë të huaja, me të cilat komunikon për çdo ditë:

“Dy gjuhë të huaja i di dhe më duhen shumë, sepse me to punoj, gjuhën gjermane dhe gjuhën angleze. Mund të komunikoj shumë mirë. Gjuhën gjermane e kam mësuar në shtëpi, sepse faktikisht, në Gjermani s’kam qenë kurrë. Kam jetuar vetëm në Kosovë. E kam mësuar nga mami dhe më shumë nga televizioni, gjuhën gjermane”.

“Ndërkaq, gjuhën angleze e kam mësuar në shkollë. Për shembull, gjuha angleze është gjuha që flitet më se shumti nëpër botë dhe të nevojitet, sepse pa këtë gjuhë nuk mund të shkosh askund. Në qoftë se e di gjuhën angleze, ke për të komunikuar me gjithkënd. Sipas meje, të rinjtë i njohin shumë, sidomos gjuhën angleze, e gjuhët e tjera më pak”.


Rina Kryeziu, nxënëse e klasës së tetë të shkollës fillore, thotë se komunikon rrjedhshëm në gjuhën angleze dhe shpreh mendimin se njohja e gjuhëve të huaja nuk është e nevojshme vetëm për të rinjtë, por për të gjitha moshat.

“Normalisht se të gjithë të rinjve, e po ashtu edhe atyre që janë pak më në moshë, u duhen gjuhët e huaja. Për momentin, mësojmë edhe në shkollë gjuhë të huaja, e mësojmë gjuhën angleze. Disa shkojnë edhe në kurse, por gjithçka që mësohet në shkollë, mësohet edhe në kurse. Është shumë e thjeshtë dhe nuk na vjen vështirë. Sot po jetojmë në vitin 2012. Sot më shumë mësojmë edhe përmes internetit, televizionit dhe filmave të ndryshëm, por edhe në shkollë mirë është të mësojmë. Na duhen gjuhët e huaja për të komunikuar, sepse jo në çdo shtet flitet shqipja, por në çdo shtet flitet anglishtja, sepse është gjuhë ndërkombëtare, mund të them”, shprehet Rina.