Nishani: Bisedimet të zhvillohen nën garancinë ndërkombëtare

Bujar Nishani, foto nga arkivi

Opozita në një vend të lirë dhe demokratik është një element i rëndësishëm i zhvillimit të demokracisë. Kështu ka deklaruar të premten presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, derisa ka vazhduar vizitën e tij treditore në Kosovë, duke u takuar me përfaqësuesit e partive politike opozitare.

Presidenti Nishani, fillimisht është takuar me zëvendëskryeministrin Sllobodan Petroviq, nga Partia e Pavarur Liberale. Me ketë rast, presidenti shqiptar ka vlerësuar kontributin e komunitetit serb të inkuadruar në institucionet e Kosovës.

“Gjeta rastin të shpreh dhe vlerësimet e mia, për kontributin personal të zotit Petroviq dhe të partisë së tij, një kontribut i cili shkon në interes të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, atyre të kombësisë serbe, por edhe të çdo qytetari tjetër të Kosovës. E ardhmja e Kosovës është një e ardhme e shkëlqyer. E ardhmja e Kosovës u përket gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë Nishani.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq, ka thënë se në takim me presidentin është diskutuar, veç tjerash, edhe për sfidat, të cilat e presin Kosovën. Një nga sfidat, sipas zëvendëskryeministrit Petroviq, është dialogu Prishtinë - Beograd.

“Me siguri që një nga sfidat që në të ardhmen e presin Kosovën, është edhe dialogu Prishtinë-Beograd. Shfrytëzova rastin t’i bëj apel presidentit të Shqipërisë që në kuadër të mundësive të tij, të ndihmojë që ky dialog të zhvillohet në interes të qytetarëve, respektivisht që rezultatet e këtyre bisedimeve të jenë shumë më të mira se sa deri më tash”, është shprehur Petroviq.

Kurse, presidenti Nishani ka thënë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të rëndësishme që të zhvillohen nën garancinë ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me presidentin Nishani, ka thënë se sa më shumë që ka takime dhe bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, do të jetë në të mirën e kombit shqiptar.

“Ne e njoftuam zotin president(Bujar Nishani) për qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje, që kombi shqiptar të forcohet e faktorizohet, dhe që kjo të mos jetë vetëm në fushën e kulturës, arsimit, gjuhës e simboleve, po njëkohësisht edhe në rrafshin politik, institucional, e sidomos ekonomik”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka shtuar se bashkë me presidentin Nishani kanë rënë dakord se tashmë ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të bëjë kurrfarë presioni mbi Kosovën, por, siç është thënë, presioni për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bëhet në Beograd.

Në takim me presidentin Nishani kanë qenë edhe përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i kësaj partie, Blerim Shala, ka theksuar se me presidentin shqiptar kanë diskutuar për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Në takim arritëm në një konkludim të përbashkët: që drejtimi që ka marrë kombi shqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë, është i mbarë dhe i mirë”, ka thënë Shala.

Presidenti Nishani është takuar edhe me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës.

Liderët politikë nga Lugina kanë thënë se në takim me presidentin Nishani kanë kërkuar një angazhim më të madh të politikanëve të Kosovës dhe Shqipërisë për gjendjen, në të cilën ndodhen shqiptaret në Luginë.

Galip Beqiri, nga Këshilli Kombëtar i Pakicës kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës, ka thënë se në takim me presidentin Nishani është diskutuar mundësia e përfshirjes së Luginës në bisedimet Prishtinë-Beograd.

“Ne kemi vullnet dhe dëshirë që të jemi pjesë e bisedimeve, por ju e dini se nuk varet prej nesh. Por, ne vazhdimisht kërkojmë që të jemi pjesë e bisedimeve dhe e cekëm atë pikën e reciprocitetit, që nëse janë pjesë e bisedimeve serbët që jetojnë në Kosovë, pse mos të jemi edhe ne pjesë e bisedimeve”, ka thënë Beqiri.

Pas këtyre takimeve presidenti i Shqipërisë, ka vizituar edhe Universitetin AAB, ku ka mbajtur një ligjëratë para profesorëve dhe studentëve.

“Ne jetojmë në epokën e teknologjisë së informacionit dhe arritjeve të mëdha shkencore në të gjitha fushat, ndërsa festojmë 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Ne shqiptarët kemi luftuar pareshtur kundër pushtueseve shekullor për gjuhën dhe arsimin kombëtar dhe kemi fituar me sakrifica të mëdha. Nuk ka komb tjetër në botë që të ketë në altarin e tij të historisë kaq shumë dëshmorë për mbrojtje të arsimit kombëtar, siç kanë shqiptarët”, ka thënë mes tjerash presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Gjatë vizitës treditëshe, presidenti Nishani, i shoqëruar nga një delegacion i Qeverisë së Shqipërisë, ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë të Kosovës. Presidenti, po ashtu, ka qenë i shoqëruar edhe nga Princi Leka II.