Vetëvendosje fton spektrin politik kundër bisedimeve me Serbinë

Ilustrim

Partitë politike opozitare në Kosovë vazhdojnë të bëjnë thirrje për moshyrjen e Prishtinës zyrtare në dialog politik me Serbinë.

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, me anë të një konference për media të mbajtur të martën, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të refuzojë dialogun politik me Serbinë, pavarësisht kërkesës së faktorit ndërkombëtar.

Njëri nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, tha se qeveria dhe vetë Kosova në rast se hynë në dialog politik me Serbinë, nuk do të fitojë asgjë, veç sa do të humbas.

Ngutja e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverisë për të përfunduar misionin e Zyrës Ndërkombëtare Civile është për të filluar një mision të ri të dialogut politik dhe koncesioneve të reja për Serbinë në veri. Bashkësia Ndërkombëtare tashmë e ka pranuar se oferta Ahtisari për Serbinë është refuzuar nga vetë Serbia, dhe tani ka nevojë për një ofertë të re. Për të bërë ofertën e re me një pako të re duhet të përmbyllet ajo e vjetra. Koncesionet nga pakoja e Ahtisarit neve na mbeten, ndërsa tani na presin të reja duke e bërë Kosovën shtet tërësisht jofunksional”, tha Ahmeti.

Derisa në Këshillin e Sigurimit, ku marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, për Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, ky është një fillim i bisedimeve politike Kosovë- Serbi.

Kjo është uvertura e negociatave të ardhshme politike mes qeverisë tonë dhe Serbisë, bisedime në të cilat është paralajmëruar si temë edhe veriu i Kosovës. Nëse kryeministri i Kosovës takohet me Daçiqin, kjo do të thotë se janë takuar dy njerëz, njëri pasues i projekteve politike të Milosheviqit, kurse tjetri i etur për pushtet dhe i gatshëm që për mbajtjen e pushteti të bëjë koncesione mbi shtetin tonë. Sa për kryeministrin tonë, takimet me Daçiqin e Nikoliqin kishin ndodhë edhe më herët, por takimi nuk ka ndodhur se Daçiqi e Nikoliqi nuk po duan ta takojnë atë”, u shpreh Konjufca.

Veprimet dhe deklaratat e Vetëvendosjes, zyrtarët e partive në pushtet i kanë konsideruar si pretendime për të bllokuar proceset politike në vend, duke mohuar gjithçka me anën e një fjalori, siç kanë thanë ata, “të rrugës”.

Vetëvendosje, ditë më parë, partive politike LDK dhe AAK u ka dërguar një letër- kërkesë për t’u bashkuar kundër politikave të Qeverisë dhe për t’i kundërshtuar bisedimet politike me Serbinë dhe privatizimin e disa ndërmarrjeve publike në vend.

Megjithatë, deri me tash, LDK-ja ka dalë hapur kundër letrës së Vetëvendosjes.

Nga ana tjetër, analistët politikë, kundërshtimet e opozitës kundër bisedimeve politike i shohin vetëm si deklarata që nuk mund të kenë ndonjë ndikim.

Analisti Ismail Hasani konsideron se asnjë nga partitë politike nuk kanë kapital moral për të kundërshtuar bisedimet në nivel ndërshtetëror.

LDK-ja si parti politike me traditë me mbi dy dekada, me veprimtari politike dhe profil të profilizuar, për momentin po kalon prej situatave të kërkimit të gjetjes së kompromiseve të tjera në një kundërshtim që nuk ka shumë qëndrueshmëri. Në ana tjetër, Vetëvendosja me strategjinë dhe veprimet e deritashme, nuk ka treguar aq pjekuri politike sa të ketë kapital politik për të kundërshtuar proceset te cilat janë të aranzhuar nga Brukseli dhe Uashingtoni”, tha analisti Hasani.

Sa i takon dialogut politik në mes të Kosovës dhe Serbisë deri më tash, siç kanë thënë zyrtarët qeveritarë, nuk ka diçka konkrete.

Megjithatë ata kanë shprehur gatishmërinë që të nisin edhe një dialog të tillë me qëllim që të arrihet një traktat paqeje me Serbinë.

Ndërkaq, për dialogun teknik të filluar në mars të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se ai nuk mund të vazhdojë përderisa Serbia nuk i zbaton marrëveshjet tashmë të arritura.