Kuvendet Komunale: Prokurimi, fusha më e korruptuar

Ilustrim

Korrupsioni është i pranishëm në shumicën e komunave të Kosovës. Keqmenaxhimi dhe mosrespektimi i praktikave të prokurimit publik, ka bërë që qeverisja lokale të jetë e korruptuar dhe joefikase, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Petrit Zogaj, nga Lëvizja “ Fol” thotë se niveli i lartë i korrupsionit në komuna nuk është i ndarë nga përmasat e korrupsionit në nivel qendror.

“Nëse shohim prokuroritë e Qarkut, sigurisht se prokuroria e Prishtinës është më e ngarkuara me vepra anti-korrupsion, por nuk mbeten anash Mitrovica, Prizreni dhe as komunat tjera”.

“Do të thotë prokuroritë e Qarkut kanë një volum të punës anti- korrupsion, ndoshta jo në nivelin e duhur, por që janë tregues të mjaftueshëm që niveli i korrupsionit në komuna nuk është i ndarë nga korrupsioni në qendër
”, thotë Zogaj.

Ai konsideron se shkelja e procedurave të tenderimit, si dhe mosrespektimi i Ligjit për prokurimin publik, është fusha ku më së shpeshti zhvillohen aferat korruptive.

Si shqetësim tjetër në këtë sektor, Zogaj thekson keqpërdorimin e pronës publike nga zyrtarë komunalë.

“Ajo çfarë ndodh nëpër komuna është edhe procesi i pronës publike, ku zyrtarë komunalë abuzojnë me pushtetin e tyre për të dhënë me qira, apo për t’i futur në listat e privatizimit, parcelat që nuk kanë definim të qartë të pronës publike. Dhe, në këtë mënyrë, ata arrijnë që të kenë përfitime nga matrapazllëku që bëjnë karshi publikut”, thekson Zogaj,

Edhe përfaqësues të Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsion nuk e mohojnë prezencën e korrupsionit në nivel komunal. Në një përgjigje përmes postës elektronike, Hasan Preteni, drejtor i kësaj agjencie, njofton se gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 56 raste për veprime të mundshme korruptive, 13 raste nga këto janë dërguar në prokuroritë kompetente.

Edhe Preteni thotë fusha më e atakuar me këtë dukuri, është fusha e Prokurimit.

Në anën tjetër, zyrtarë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, theksojnë përpjekjet për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel komunal.

Sazan Ibrahimi, nga ky asociacion, thotë se në bashkëpunim me zyrtarë komunalë për integrime evropiane janë duke punuar rreth forcimit të luftës kundër kësaj dukurie.
Asociacioni i Komunave të Kosovës, angazhohet që të përmirësohet zbatim i kornizës ligjore anti-korrupsion dhe luftës kundër korrupsionit.

Në përgjithësi, Asociacioni i Komunave të Kosovës, angazhohet që të përmirësohet zbatim i kornizës ligjore anti-korrupsion dhe luftës kundër korrupsionit. Do të thotë, që Asociacioni i Komunave punon në këtë drejtim, që t’i informojmë zyrtarët komunalë që kanë të bëjnë me integrime evropiane, dhe procese tjera sa i përket forcimit të luftës kundër korrupsionit”, shprehet Ibrahimi.

Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion, në fund të vitit të kaluar, pati bërë të ditur se kanë gjetur parregullsi dhe dyshime për konflikt interesi në pesë komuna të Kosovës. Kjo agjenci i pati bërë thirrje institucioneve tjera, të cilat kanë për obligim ligjor rregullimin e fushës së Prokurimit që të marrin masa ligjore për parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike.

Monitor Corruptus