Serbët me protesta kundër Zyres Civile në Mitrovicë

Serbët në veri, foto nga arkivi

Disa qindra serbë sot rreth orës 10:00 kanë protestuar në rrugën “Mreti Petër” në veri të Mitrovicës, në shenjë kundërshtimi të funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përkatësisht hapjes së Zyrës Administrative për veriun e Mitrovicës, kanë njoftuar zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se protesta ka kaluar pa incidente.

Në këtë protestë, e cila zgjati rreth 1 orë, çdo gjë përfundoi në mënyrë të qetë dhe pa incidente. Të tubuarit janë shpërndarë, ndërsa Policia e Kosovës e ka monitoruar për së afërmi këtë protestë, e cila u përmbyll pa ndonjë incident”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, përveç bllokimit të rrugës kryesore, gjatë kohëzgjatjes së protestës nuk është regjistruar ndonjë incident tjetër, që do të rrezikonte sigurinë e përgjithshme.

Megjithatë, ka shtuar Hoti, Zyra Administrative, deri në këtë moment, ende nuk është bërë funksionale.

Ndërtesa e Zyres Administrative në veri të Kosovës

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë theksuar se përmes kësaj protestë ata kanë shfaqur pakënaqësinë për siç kanë thënë “presionin gjithnjë e më të shpeshtë dhe rrezikimin e sigurisë së serbëve në Kosovë.

Para protestuesve ka folur Nemanja Jakshiq i Partisë Demokratike të Serbisë.

Ne kërkojmë që të zbatohen tërësisht vendimet e Kuvendit të Serbisë të 30 korrikut të vitit 2011, ku kërkohet që situata në Jarinjë dhe Bërnjakë të kthehet në gjendjen që ka qenë para 25 korrikut të vitit 2011”.

Kërkojmë që Kuvendi i ri dhe Qeveria në Beograd t’i anuloj marrëveshjet e arritura ndërmjet Edita Tahirit dhe Borko Stefaniviqit, sepse në mënyrë konkrete ato e thyejnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë”, ka thënë Jakshiq.

Dragisha Milloviq, përfaqësues i serbëve të Zveçanit ka thënë se përgjegjësinë për përkeqësimin e situatës së përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë e bartin para së gjithash KFOR-i, EULEX-i dhe institucionet e Kosovës.

Fatkeqësisht, kohët e fundit po shohim se po ushtrohet presion i tmerrshëm mbi të gjithë ne që jetojmë në territorin e veriut të Kosovës. Unë them se ky është tentim për të na frikësuar , në mënyrë që dalë ngadalë ne t’i lëshojmë këto hapësira dhe të heqim dorë nga përpjekja jonë e qetë dhe demokratike për mbijetesë dhe qëndrim këtu”.

Ne nuk po e kërcënojmë askënd, ne jemi në shtëpitë dhe pasuritë tona. Kjo është porosi për KFOR-in dhe EULEX-in që ata t’i përmbahen neutralitetit dhe ta respektojnë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e jo që të pozicionohen në njërën anë dhe të sillen si diskriminues”, ka thënë Milloviq.

Ndryshe, organizues të protestës, e cila ka kaluar e qetë dhe pa incidente, kanë qenë përfaqësuesit e të ashtuquajturave katër komunave serbe të veriut të Kosovës.