Zbehja e shpresave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Fotot e personave të pagjetur në rrethojën e Kuvendit të Kosovës.

Me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, rrjedhimisht mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, familjarët e personave të pagjetur, kanë humbur shpresat edhe më tepër për zbardhjen e fatit të rreth 1800 personave të pagjetur.

Edhe 13 vjet pas luftës, institucionet e Kosovës, ende nuk kanë arritur të veprojnë në mënyrën e duhur për zgjidhjen e fatit të personave që mungojnë, thotë Nesrete Kumnova, kryetare e Organizatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.

Sipas saj, të gjitha institucionet e vendit dhe në veçanti Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, po e humbin mundësi që përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare të bëjnë presion në Beograd për të pagjeturit.
Institucionet tona asnjëherë nuk kanë mundur ta kushtëzojnë Serbinë me ndonjë gjë për çështjen e personave të pagjetur.

“Ne, me bashkësinë ndërkombëtare, kemi mundur që ta shtojmë presionin në Serbi që të japin informacione dhe t’i kthejnë të gjithë të dashurit tanë që mbeten nëpër varreza masive të Serbisë. Institucionet tona asnjëherë nuk kanë mundur ta kushtëzojnë Serbinë me ndonjë gjë për çështjen e personave të pagjetur”, thotë Kumnova.

Edhe Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë se mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare do të ndikojë në edhe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për fatin e personave të pagjetur.

“Mendoj që edhe më tutje duhet të kërkojmë që të ketë trysni mbi palën serbe, sepse ata kanë informacione, kanë të dhëna dhe e dinë. Por, normalisht se kjo do të jetë një hendikep edhe për ne. Sigurisht se çdo mungesë e ka efektin e vet, por mendoj se tani Kosova ka kapacitete dhe ka raporte me partnerët edhe ndërkombëtarë, të cilët do të luajnë rol edhe më tutje në çështjen e ndriçimin të fatit të personave të zhdukur”, pohon Gjetaj.

Gjetaj thotë se bisedimet me palën serbe duhet të avancojnë në nivel të bisedimeve teknike dhe jo, siç shprehet ai, ato të mbetën në baza humane njerëzore siç kanë qenë deri më tash.



Përfaqësuesit e asociacioneve dhe shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, deklarojnë se familjarët e të pagjeturve vazhdojnë të jenë në ankth për fatin e më të dashurve të tyre.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës theksojnë se institucionet e vendit, duhet të angazhohen sa më shumë në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Deputeti Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se Kosova nuk duhet të lejojë që faktori ndërkombëtar të largohet nga Kosova pas zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
A do të lejojmë që mbikëqyrja e pavarësisë të mbyllet pa pasur një hap konkret?

“A do të lejojmë që mbikëqyrja e pavarësisë të mbyllet pa pasur një hap konkret? Ne duhet ta ushtrojmë presionin, ndaj gjithë faktorëve prezent në Kosovë që ata të bëjnë presion te Serbia që Serbia të lëvizë”.

“E vetmja mënyrë mbetet që në te kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare - e cila po bën nganjëherë presione jo korrekte ndaj Kosovës dhe po e detyron Kosovën të pranojë kompromise mjaft të dhimbshme - që ajo së paku në këtë çështje humanitare të tregohet korrekte dhe të ushtrojë presione ndaj Serbisë që kjo të ushtrojë detyrimet ndërkombëtare që ka karshi të pagjeturve”,
thekson Bajrami.

Deputeti Bajrami konsideron se institucionet kosovare për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duhet të kenë edhe strategji shtetërore, ku sipas tij, Qeveria, Kuvendi dhe mekanizmat e tjerë do të përcaktonin obligime dhe afate kohore lidhur me këtë çështje.

“Por, le të veprojmë si shtet, me plot përgjegjësi, me plot vendosmëri gjithçka që mund të bëhet në mënyrë që të kemi një veprim pro-aktiv të bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që cilado qeveri në Serbi, qoftë qeveria e vjetër apo ajo e reja të detyrohen që më në fund të veprojnë karshi detyrimeve ndërkombëtare dhe të fillojnë të bashkëpunojnë”, konsideron Bajrami.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 1800 persona ende mungojnë.