Profesionet e kërkuara: Ndërtimtaria dhe hoteleria

Punëtorë kosovarë...


Deri para tre muajsh, Kosova nuk i ka pasur të identifikuara profesionet që i kërkon tregu i punës. Por, tani, pas një hulumtimi të bërë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Aleancën Kosovare të Biznesit, është bërë identifikimi i tyre.

Në këtë hulumtim është evidentuar se tregu i punës shpeshherë kërkon profesione që në Kosovë ka mungesë të njerëzve profesionistë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se hulumtimi i bërë ka treguar se tregu i punës në Kosovë kërkon më së shumti njerëz profesionistë në sektorin e ndërtimtarisë së ultë dhe të lartë.

Tregu i punës është aq i zgjeruar, sa që në momente të caktuara kërkon profesione që ne, ose nuk kemi asnjë, ose kemi shumë njerëz profesional në një lëmi. Prandaj, harmonizimi i politikave të aftësimeve profesionale të shkollimit të ndryshëm, duhet të jetë i harmonizuar me nevojat e tregut të punës”, thotë Shahini.

Në Kosovë, thekson Shahini, nevojitet fuqi punëtore e kualifikuar. Sipas tij, fuqi punëtore të mjaftueshme, por të pakualifikuar, ka në sektorin e agrobiznesit.

Sfera agrare është një profesion shumë i lehtë, por që duhet të kalojë në faza trajnuese për treg të punës, në mënyrë që të dinë t’i përdorin preparatet kimike dhe gjërat tjera që të bëjnë punë profesionale, por që në Kosovë kjo mungon”, thekson Shahini.

Një profesion tjetër që po ashtu kërkohet shumë në tregun e punës dhe që në Kosovë mungojnë njerëz të kualifikuar, sipas hulumtimit të bërë nga AKB-ja dhe Ministria e Punës, është sektori i hotelerisë.



Për trajnimin e punëkërkuesve përkujdeset Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo ministri ka 8 qendra rajonale për aftësime profesionale. Numri i atyre që regjistrohen vazhdon të mbetet i lartë, por trajnime në vit, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, mund të ndjekin mbi 3 mijë punëkërkues.

Hafiz Leka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të trajnuar më shumë punëkërkues.

Por, sipas tij, ato profesione, të cilat i kërkon tregu i punës, për ato profesione i trajnojnë punëkërkuesit.

Kapacitet që i kanë ato qendra për aftësime profesionale, pra ku përgatiten kuadro për tregun e punës, janë të pamjaftueshme për shkak të buxhetit për shkak kapaciteteve teknike dhe kuadrove”, shprehet Leka.

Prej këtyre personave që trajnohen në këto qendra për profesione të ndryshme, sipas Hafiz Lekës, punësohen rreth 60 për qind.

Sistemi i aftësimeve profesionale në Kosovë, siç thotë Leka, është njëri nga sistemet më të përgatitura në Ballkan. Ai thekson se personat, të cilët trajnohen në këto qendra, për profesione të caktuara, kanë treguar suksese të mëdha.

Ne ofrojmë forcë pune të trajnuar tregut të punës, por ekonomia e Kosovës nuk është në gjendje t’i absorbojë edhe gjithë ato kuadro që ne i plasojmë në tregun e punës”, bën të ditur Leka.