Punimet në objektin e Zyrës Administrative, të cilën pritet ta hapë Qeveria e Kosovës në veriun e vendit, tashmë janë duke përfunduar.
Dy vetura të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë para objektit, i cili gjendet në të ashtuquajturën “Lagjja e Boshnjakëve”, në anën veriore të Mitrovicës, ndërkohë që ushtarët e KFOR-it vazhdojnë të jetë të pranishëm pranë të ashtuquajturës urës lindore, të këtij qyteti, rreth 50 metra në afërsi të objektit.
Zyra Administrative do të sigurojë 80 vende të reja pune dhe do të ketë buxhetin prej 4 milionë euro në vit, për shërbimet themelore dhe projektet infrastrukturore në veriun e Mitrovicës.
Por, përfaqësuesit politikë të serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, si dhe shumica e qytetarëve serbë të Mitrovicës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se serbët në mënyrë masive do t’i bojkotojnë shërbimet e Zyrës Adminsitrative.
Sekretari shtetëror në largim i Ministrisë për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, thekson se hapja e Zyrës Administrative është e motivuar politikisht dhe se ka për qëllim forcimin e institucioneve kosovare në veri të Kosovës.
“Kështu që, mendoj se ky veprim mundet vetëm ta destabilizojë situatën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës, e cila edhe kështu është e brishtë. Mendoj se nuk do të jetë mirë që të insistohet për hapjen e kësaj zyre”, thotë Ivanoviq.
Në anën tjetër, sipas deklaratave nga Qeveria e Kosovës, për t’u punësuar në Zyrën Administrative kanë konkurruar 1 mijë persona, prej të cilëve, më shumë se 100 janë serbë.
Në opinion janë dëgjuar deklaratat e disa përfaqësuesve të serbëve, të cilat thonë se serbët që do të punonin në Zyrën Administrative, do të sanksionohen sipas ligjeve të shtetit të Serbisë.
Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Mitrovicës, Nebojsha Joviq, për Radion Evropa e Lirë shpjegon se cilat do të ishin ato sanksione.
“Qëndrimi im personal si dhe qëndrimi i të gjithë serbëve të veriut të Mitrovicës është që hapja e zyrës në asnjë mënyrë nuk paraqet zgjidhje të mirë. Nëse në këtë zyrë punësohen serbët, të cilët marrin paga nga buxheti i Serbisë dhe institucionet serbe, gjithsesi që do t’i bartin pasojat, në kuptimin që do t’iu hiqen pagat nga institucionet serbe”.
“Ka disa spekulime se ata njerëz kërcënohen se do të jenë të rrezikuar ose sulmuar fizikisht. Unë me përgjegjësi e them se atyre askush nuk do t’ua rrezikojë sigurinë fizike, por ata do të ballafaqohen me bojkotin e krejt bashkësisë. Po e ritheksoj, se askënd nuk do ta rrezikojmë fizikisht dhe as që kemi të drejtë për këtë. Por, nëse e drejta e tyre është që ta rrezikojnë shtetin e Serbisë, atëherë e drejta e shtetit serb është që të mendojë se a duhet ‘t’i rrezikojë’ edhe ata”, thekson Joviq.
Disa qytetarë serbë, të cilët jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, thonë se nuk do t’i shfrytëzojnë shërbimet e Zyrës Administrative. Milan Bullatoviq, thotë se banorët serbë do ta kundërshtojnë hapjen e kësaj zyreje.
“Do të luftojmë kundër hapjes së zyrës së tillë. Ndërkaq, ata serbë që shkojnë dhe punojnë aty për Qeverinë e Kosovës, mund të presin gjithçka prej ne”, shprehet Bulatoviq.
“Unë absolutisht nuk i shoh serbët në ato institucione. Mund të punojnë aty shqiptarët, boshnjakët, romët, por veten dhe miqtë e mi aty nuk i shoh, sepse nëse do të punonim aty, kjo do të nënkuptonte se ne automatikisht e pranojmë Kosovën si shtet të pavarur. Një gjë e tillë nuk ka gjasa as teorike të ndodhë. Ne këtu ende funksionojmë sipas ligjeve të Republikës së Serbisë dhe kështu do të mbetet”, thekson Bullajiq.
Por, Tatjana Vujisiq, thotë se nga hapja e Zyrës Administrative, dobi mund të kenë vetëm përfaqësuesit politik të të gjitha bashkësive që jetojnë në Kosovë.
Sipas saj, sa më shumë që hapen zyra të ngjashme, nga kushdo, gjendja e njerëzve përkeqësohet edhe më shumë, ndërkohë që jetesa e tyre është e dobët.
Ajo thotë se politikanët vetëm sa po i bëjnë reklamë vetes duke shtirë para popullit se po bëjnë diçka konkrete, ndonëse kjo, siç thotë ajo, nuk është e vërtetë.
Megjithatë, ajo thotë se në asnjë mënyrë nuk i gjykon serbët që do të punojnë në Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës.
“Natyrisht se nuk i gjykoj, sepse, mendoj se secili ka të drejtë që të zgjedhë se ku dhe për kë dëshiron të punojë. Thjeshtë, kjo është një nga të drejtat themelore të njeriut. Ne, fundja, kemi pasur këtu serbë që kanë punuar në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq sot në mënyrë të rreptë kundërshtojnë që disa serbë të tjerë të punojnë për institucionet e Kosovës. Mua nuk më intereson kush për ke dhe ku punon, por vetëm se nuk i dua njerëzit, të cilët e fshehin faktin se për kë dhe ku punojnë”, thotë Vujisiq.
Ndryshe, në veri të Mitrovicës ka edhe qytetarë të tillë serb që fare nuk ju intereson situata aktuale politike. Kështu është edhe në rastin e studentit Jovan Radakoviq.
“Ne studentët nuk mendojmë asgjë. Thënë më saktësisht, përpiqemi që të mos mendojmë asgjë. Për momentin vetëm po mendoj që të përgatitem për ndonjë provim, që ta kaloj, të gëzohemi, të qetësohemi pak dhe të kënaqemi me jetën. Mendoj se politika vret”, shprehet Radakoviq.
Ndryshe, me Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës do të udhëheqë Adrijana Hoxhiq, me përkatësi etnike boshnjake, nga Mitrovica.
Ajo deri më tash ka qenë në krye të ekipit përgatitor komunal pranë Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, si dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare.
Shefi i kësaj zyre Piter Fejth, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Zyrës Administrative është në përputhje me dokumentin e Marti Ahtisarit dhe një gjë e tillë paraqet ecje përpara në drejtim të formimit të komunës së veçantë në veri të Mitrovicës.