Ekspertët: Jahjaga ka 5 vjet mandat

Atifete Jahjaga

Mediat kosovare raportuan se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i ka dërguar një letër Gjykatës Kushtetuese, në të cilën ka argumentuar se propozimi i Komisionit Kushtetues për ndërprerjen e mandatit të saj është antikushtetues.

Por, anëtarët e këtij komisioni thonë se presidentja e vendit duhet ta këtë parasysh marrëveshjen e partive politike për zgjedhjen e saj në postin e presidentes.

Kryetari i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, shpjegon:

“Mos të harrojmë që komplet reforma kushtetuese dhe zgjedhja e presidentes ka qenë në një kontest politik për kalim të krizës dhe shkuarjes së zgjedhjes së presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli”.

“Mendoj se presidentja do të duhej t’i bindej kësaj marrëveshjeje dhe kjo marrëveshje duhet të realizohet, sepse do të humbë besimi i populli i Kosovës në lidership, për shkak se kjo marrëveshje është lidhur në nivelin më të lartë politik me mbështetjen e autoriteteve të tjera ndërkombëtare në Kosovë”,
thotë Bajrami për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se presidentja e ka dërguar letrën e saj në gjykatë, konform rregullave kushtetuese.

Sido që të jetë, për mandatin e presidentes do të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, zyrtarët e së cilës nuk janë prononcuar deri më tash, siç kanë thënë ata, “pa u shqyrtuar çështja”.

Ndërkohë, profesori dhe eksperti i çështjeve kushtetuese juridike, Riza Smaka, mendon se presidentja e Kosovës ka të drejtë në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Smaka thotë, po ashtu, se Kushtetuta duhet të respektohet dhe marrëveshjet politike nuk janë më të rëndësishme sesa akti më i lartë juridik i vendit - Kushtetuta.

“Meqenëse, presidentja është zgjedhur në procedurë kushtetuese, mandati i saj është pesë vjet. Nuk luan rol fare marrëveshja politike e tre udhëheqësve të tri partive politike. Ajo, fundi i fundit, nuk mund ta ndryshojë absolutisht dispozitën kushtetuese. Ajo procedurë do të mund të ndryshojë në procedurë të caktuar, mirëpo do të vlente prej çastit të miratimit e tutje, e jo retroaktivisht”, vlerëson Smaka.

Lidhur me letër- kërkesën që presidentet Jahjaga e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, kanë reaguar edhe përfaqësuesit e partive politike që patën arritur marrëveshje për zgjedhjen e Jahjagës si presidente.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca Kosova e Re, kanë thënë se nuk ka arsye që presidentja të mos zbatojë marrëveshjen e arritur më 6 prill të vitit të kaluar.

Po ashtu, zyrtarë të këtyre partive politike, kanë deklaruar se moszbatimi i marrëveshjes së arritur në prill të vitit të kaluar, do të bëjë që qytetarët të humbin besimin në lidershipin politik.

Mirëpo, profesori Smaka thotë se qytetarët edhe ashtu e kanë humbur besimin te liderët e vendit.

“Unë besoj që shumica absolute e qytetarëve janë të zhgënjyer pikërisht me lidershipin, sepse nuk e zbatojnë aktin ligjor, nuk janë konsistentë, nuk luftohen dukuritë negative. Pra, pa marrë parasysh se çka do të ndodhte - besimi, fitimi apo humbja - Kushtetuta është Kushtetutë dhe duhet të përfillet”, thekson Smaka.

Atifete Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit, pas një marrëveshjeje mes liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, e cila i pati dhënë fund krizës institucionale.

Marrëveshja ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, e cila është votuar edhe në Kuvend në formë rezolute, ka paraparë përfundimin e mandatit presidentes aktuale para mandatit kushtetues.

Komisioni i udhëhequr nga Arsim Bajrami ka dërguar në shkurt të këtij viti njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kjo e fundit ka kërkuar qëndrimin e presidentes rreth këtyre ndryshimeve.