Shumë kushte për liberalizimin e vizave

Pasaporta e Kosovës


Kosova duhet të japë shembuj konkretë të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëse dëshiron përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave.

Ky vlerësim ka dalë si konkluzion i debateve të së hënës për procesin e liberalizimit të vizave.

Në këto debate u tha se krahas politizimit të këtij procesi në rastin e Kosovës, për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vendet anëtare të BE-së, sundimi i ligjit është vendosur tashmë si një prej sfidave, krahas kushteve të njëjta që kanë vlejtur për vendet e tjera siç janë: siguria e dokumenteve personale, riatdhesimi dhe ri-integrimi, menaxhimi i integruar i kufijve dhe çështje tjera.

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli tha se vendet e rajonit e rajonit e kanë kaluar këtë proces kualifikues brenda 18 deri në 30 muajve.

Por, Kosova, vijoi ai, i ka plotësuar tashmë shumë aspekte teknike, kështu që tash e tutje, sipas tij, mbeten për t’u tejkaluar aspektet politike si dhe ato të luftimit të krimit e korrupsionit.

Pa dyshim që çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si fenomene dhe dukuri të cilat nuk janë vetëm të Kosovës, por janë për të gjitha vendet e rajonit dhe që ne në masë të madhe tashmë pjesën teknike e kemi plotësuar dhe duhet ta adresojmë edhe aspektin politik".

"Nëse për shumicën e vendeve të rajonit ka qenë proces pak më shumë teknik, në rastin e Kosovës është një proces shumë më tepër politik
”, ka thënë Kasapolli.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se për Kosovën BE-ja do të aplikojë një kujdes të shtuar.

Dinamika e procesit deri te liberalizimi i vizave, sipas deputetit Haziri, do të varet kryekëput nga puna e institucioneve të Kosovës.

Ne duhet të mbështetemi në një afat kohor, por, ai mund të jetë më i shkurtë a më i gjatë, varet nga qeveria në radhë të parë, do të varet nga gjyqësori dhe në fund nga parlamenti me miratimin e të gjitha akteve dhe pjesëve të ligjit që do të duhet të adoptohen me kërkesat që tashmë janë bërë”.

Mos të harrojmë se lufta kundër të gjitha llojeve të krimit dhe matja e këtyre rezultateve do të jenë parametrat kryesor që Kosova të përfitojë në këtë proces”, është shprehur Haziri.

Haziri i ka cilësuar si shumë optimiste pritjet e disa zyrtarëve nga qeveria, se kosovarët do të udhëtojnë pa viza brenda 6 muajve.
Ndërkohë, zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku, tha se Komisioni Evropian i ka lënë mundësitë hapur që të kthejë procesin prapa, nëse në Kosovë shënohen zhvillimet që cenojnë rendin dhe ligjin.

Sipas saj, politizimi i skajshëm i procesit mund ta bëjë atë mision të pamundur.

Në fund të dokumentit është një fjali e cila mua më shqetëson shumë, e ku thuhet se nëse situata ndryshon substancialisht, komisioni në konsultim me këshillin dhe shtetet anëtare, mund të vendosin ta ndryshojnë këtë udhërrëfyes”.

Ju e dini shumë mirë se me një Serbi çfarë e kemi ne fqinje, e cila ka struktura paralele ilegale përbrenda Kosovës, sidomos ato të sigurisë, destabilizimi i situatës në Kosovë në mënyrë substanciale mund të ndodhë në çdo çast. Prandaj këto janë disa nga sfidat që unë i shoh se e bëjnë këtë proces të vështirë e po thuajse të pamundur”, ka vlerësuar Demaku.

Më 14 qershor, Brukseli pritet t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për vizat, kurse takimi i radhës me Komisioni Evropian pritet të mbahet në vjeshtë, pas publikimit të raportit të progresit.

Kosova dhe qytetarët e saj aktualisht mbeten më të izoluarit në Evropë, sa i përket lirisë së lëvizjes, kurse një faktor që ka ndikuar në këtë aspekt ka qenë edhe droja e vendeve evropiane se nëse i heqin vizat për kosovarët, shumë të rinj do t’ia mësynë Evropës për strehim dhe punë, për shkak të kushteve të rënda ekonomike në vend.