Kujt i konvenon mosmiratimi i Ligjit për konfiskim të pasurisë?

Fotografi ilustruese

Projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, në pjesën e parë të muajit qershor, do të procedohet në Qeveri, thonë të zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë.

Driton Lajçi, këshilltar në këtë ministri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në përgatitjen e këtij projektligji kanë qenë të përfshirë ekspertë vendorë, ndërkombëtarë si dhe shoqëria civile, duke u munduar që ky ligj të jetë sa më efikas, i zbatueshëm dhe në harmoni me standardet ndërkombëtare.
Pra, ekzekutivi i vendit do të jetë i gatshëm që nga mesi i muajit qershor këtë ligj ta procedojë në legjislacion.

“Pastaj do të varet prej agjendës së Kuvendit. Pra, ekzekutivi i vendit do të jetë i gatshëm që nga mesi i muajit qershor këtë ligj ta procedojë në legjislacion. Pastaj do të shkojë edhe në dëgjimin e parë. Mirëpo, mendoj se ne e kemi kryer detyrën tonë sipas dinamikës së paraparë. Në harmoni me strategjinë e legjislacionit të Qeverisë së Kosovës”, thotë Lajçi.

Shoqëria civile vazhdimisht ka kërkuar miratimin e këtij ligji, por me emër tjetër dhe me disa ndryshme, pasi, sipas tyre, persona të shumtë në Kosovë, sidomos përfaqësues të partive politike, të Qeverisë - si në nivel qendror po ashtu edhe atë lokal - deputetë, viteve të fundit janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare “FOL” dhe të Institutit Demokratik të Kosovës, kanë qenë pjesë e grupi punues të këtij projektligji.

Besnik Ramadanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se projektligji nuk duhet të quhet “Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në vepër penale”, por “Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”.

Ai, madje, tregon se shoqëria civile ka kërkuar që ligji të ketë efekt retroaktiv, pasi, sipas tij, ky projektligj anashkalon hetimin e pasurisë së krijuar pas vitit 1999.

“Ajo që kemi kërkuar ne është që ligji të ketë efekt prapa veprues, efekt prapaveprues, pasi është thënë se ky ligj do të hyjë në fuqi nga data e miratimit dhe në këtë formë, në një mënyrë do të amnistohen të gjitha pasuritë e paligjshme që janë krijuar në këto 12 vitet e fundit të pasluftës”, thekson Ramadanaj.

Të njëjtat shqetësime paraqesin edhe përfaqësues nga Lëvizja “FOL”. Petrit Zogaj nga kjo lëvizje pohon se pas miratimit, ligji duhet të mundësojë që pasuria e dyshimtë të hetohet që nga përfundimi i luftës.

“Rekomandimet që kemi dërguar në Ministrinë e Drejtësisë kanë të bëjnë me ligjin si tërësi, me emërtimin, me përkufizimin, me klauzolat tjera brenda ligjit”.
Mënyra se si ka ardhur deri te fitimi i asaj pasurie, është shumë dyshuese.


“Përvoja jonë ka treguar që shumica e pasurisë së deklaruar nga formularë të ndryshëm, daton nga viti 1999-2000, do të thotë pasuri për të cilën nuk tregohet prejardhja, e që dyshohet për mënyrën se si është fituar”.

“Duke pasur parasysh rrethanat e asaj kohe, shumica e zyrtarëve në atë periudhë kanë qenë të papunësuar. Mënyra se si ka ardhur deri te fitimi i asaj pasurie, është shumë dyshuese”,
tha Zogaj

Ndryshe, Burim Ramadani, nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron se zvarritja e miratimit të ligjit po ndodh për grupe të caktuara të interesit.

“Zvarritja që po bëhet nga Ministria e Drejtësisë për KDI-në, është e paarsyeshme dhe kjo po bëhet qëllimisht, pasi edhe ata kanë rezerva dhe kanë frikë nga ky ligj. Ne e dimë, se ligji është kërkesë e vazhdueshme edhe e mekanizmave evropianë si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, shprehet Ramadani.

Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina konsiderohen si të vetmet shtete në rajon që ende nuk e kanë miratuar pakon e ligjeve antimafia, ku bën pjesë edhe Ligji për konfiskimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme.