Evazioni fiskal, ekonomia joformale dhe korrupsioni, vazhdojnë të ngufasin sektorin privat, thonë njohës të çështjeve ekonomike.
Sipas një raporti të UNDP-së dhe Institutit “Riinvest”, thuhet se niveli i evazionit fiskal në Kosovë është 40 për qind, po aq sa paraqitet edhe punësimi në mënyrë joformale, ndërkaq ekonomia joligjore llogaritet të jetë 25 për qind e GDP-së në Kosovë.
Evazioni fiskal apo tatim-paguesit e pandershëm që nuk raportojnë të ardhurat, është problem serioz në vendet me zhvillim ekonomik në tranzicion.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest” , thotë se Kosova ka evazionin fiskal më të lartin në rajon.
Bizneset, të cilat nuk i përfundojnë obligimet tatimore, thotë ai, paraqesin një si formë proteste kundër qeverisjes së padrejtë dhe joefektive.
Ndërkaq si shqetësim tjetër, Abdixhiku ngritë edhe mosinspektimin në nivel të duhur të bizneseve nga Administrata Tatimore e Kosovës.
“Rreth 40 për qind e të hyrave biznesore nuk raportohen në Administratën Tatimore. Kjo është një shifër e lartë dhe shkakton jo vetëm kosto të drejtpërdrejtë në mbledhjen e tatimeve, por krijon një ambient të pafavorshëm për bizneset e rregullta, pasi ata që paguajnë shtyhen në një ambient të pabarabartë me mospaguesit e rregullt. Pra, me ata që janë informalitet”, thekson Abdixhiku.
Edhe në raportin e quajtur Zhvillimi Njerëzor në Kosovë 2012, “Sektori privat dhe punësimi” , thuhet se mesatarisht, biznesi kosovar është i inspektuar për katër ditë gjatë gjithë vitit nga ATK-ja , dy ditë nga Dogana dhe afërisht pesë ditë nga zyrtarë komunalë.
Megjithatë, aty thuhet se Kosova ka numrin më të vogël të inspektorëve tatimor në 1000 banorë. Vetëm 350 inspektorë punojnë në terren, thuhet në raport.
Abdixhiku konsideron se pa rritjen e numrit të inspektorëve tatimorë dhe pa fuqizimin e policisë financiare, Kosova nuk do të arrijë të luftojë ekonominë joligjore dhe evazionit fiskal.
“Kujtoj që kemi biznese të mëdha në vend që nuk paguajnë tatime ndaj shtetit, për shkak se janë të lidhura ngushtë me grupe të caktuara të interesit brenda politikë-bërjes”, vlerëson Abdixhiku.
Në anën tjetër, zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pohojnë se pikësynim i këtij institucioni është ngritja e kapaciteteve vepruese, në mënyrë që të jenë të realizueshme objektivat dhe planifikimet.
Megjithatë, Valentina Bytyçi, zëdhënëse në këtë administratë, pranon se ATK-ja ka më pak se 300 inspektorë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Administrata Tatimore e Kosovës me datë 2 nëntor 2011, ka certifikuar 36 inspektorë tatimorë, të cilët u janë bashkangjitur 242 inspektorëve të tjerë tatimorë, ku gjithsej bëjnë 278” .
“Nuk mund të ketë ndonjë llogaritje, e cila do të rezultonte suksesshëm, por ky numër i inspektorëve tatimorë është duke punuar intensivisht, çdoherë duke u bazuar në planifikimet ditore, javore, mujore dhe vjetore”, pohon Bytyçi.
Ndryshe, ekonomistet tashmë kanë kërkuar nga institucionet vendore që hartojnë një strategji që stimulon zhvillimin ekonomik, përmes sektorit privat.