Dyzet anesteziologë për krejt QKU-në

Ilustrim

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si dhe të gjitha spitalet rajonale të Kosovës, kanë mungesë të anesteziologëve.

Në Qendrën Klinike Universitare, vitin e kaluar janë kryer 14 mijë e 500 operacione, si dhe 5 mijë e 182 pacientë janë trajtuar në mjekim intensiv, dhe gjithë këtë punë e kanë bërë vetëm 40 anesteziologë.

Drejtori i anesteziologjisë, Nehat Baftiu, thotë se të gjitha spitalet rajonale të Kosovës, duke përfshirë edhe Qendrën Klinike, kanë mungesë të anesteziologëve.

Kosova vuan për numër të anesteziologëve. Jo vetëm QKUK-ja, por e gjithë Kosova. Vetëm QKUK-së i duhen rreth 75 anesteziologë, minimum për 32 salla, dhe 3 mjekime intensive".

"Por, edhe spitali i Mitrovicës, e ka vetëm një anesteziolog, Vushtrria një, Peja dy. Në të njëjtën situatë janë edhe spitalet në Ferizaj, Gjilan, e kështu me radhë
”, thekson Baftiu.

Por, sipas doktor Baftiut, mungesa e anesteziologëve ka të bëjë me punën e vështirë.

Në botë, kuadri më i privilegjuar është ai i anesteziologëve. Është profesion shumë i vështirë dhe shumë i pa-falënderueshëm, andaj edhe i ikin këtij profesioni mjekët e rinj”, shprehet ai.

Ndërsa Agron Balaj, anesteziolog-reanimator, thotë se janë të stërngarkuar me punë.

Sipas tij, një anesteziolog brenda QKUK-së, ndodh që në të njëjtën kohë t’i mbajë 3 deri në 4 salla operative.

Mungesa e anesteziologëve është e madhe. QKUK-ja ka shumë nevojë për anesteziologë, por edhe e gjithë Kosova. Jemi të stërngarkuar me punë”.

Ndodh që një anesteziolog i mban 3 apo 4 salla në të njëjtën kohë. Ka pasur raste kur pacienti ka vdekur, por jo për shkak të mos profesionalizmit të anesteziologëve”, thotë Balaj.

Doktor Baftiu pohon se Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë program të caktuar, sa i përket shtimit të numrit të anesteziologëve, duke e parë nevojën për ta, edhe pse, siç shton ai, kohëve të fundit ka pasur disa lëvizje pozitive.

Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë shumë kujdes lidhur me anesteziologët, për shkak se ka shumë mungesë të tyre. Kohëve të fundit kemi pasur një program më të mirë nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak se 11 anesteziologë të rinj janë pranuar, deri tash nuk ka pasur ndonjë program të veçantë”.

Sidoqoftë, Kosova ka rreth 90 anesteziologë. Vetëm në QKUK, numri i anesteziologëve do të duhej të ishte 90, për t’i mbuluar nevojat e pacientëve; aty aktualisht janë vetëm 40 anesteziologë për tërë klinikat e QKUK-së.