Presidentja ia kthen Kuvendit Kodin Penal

Atifete Jahjaga


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka marrë vendim sot që t’ia kthejë Kuvendit të Republikës së Kosovës për rishqyrtim Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i miratuar në seancën plenare të Kuvendit më 20 prill 2012.

"Bazuar në kompetencat e Presidentes së Republikës së Kosovës, sipas nenit 84 pika 6 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendimi për rishqyrtimin e Kodit Penal 5shtë marrë se u vlerësua se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj", thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i presidentes.

Kodi Penal ka arritur në zyrën e presidentes më 4 maj 2012.

Dy nenet e kontestueshme nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare të mediave, neni 37 dhe 38, janë cilësuar si “përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese”.

Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.


AGPK dhe UGK mirëpresin vendimin e presidentes

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës mirëpret vendimin e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga që të kthejë Kodin e Ri Penal në Parlamentin e Kosovës, thuhet në njoftimin e këtij asociacioni.

"AGPK-ja vlerëson se me një vendim të tillë është shpëtuar Liria e Shtypit në Kosovë, e cila rrezikohej seriozisht nga përmbajtja e Kodit aktual".
Asociacioni i ka bërë thirrje Kuvendit "që të pranojë kërkesat e komunitetit të gazetarëve", kurse subjektet politike në pushtet dhe opozitë ka ftuar "të mbështesin
kërkesat e gazetarëve".


Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës, këtë veprim të presidentes, e konsideron si një vendim të arsyeshëm dhe të domosdoshëm, për të mundësuar, lirinë medieve dhe zhvillimin e tyre, thuhet në njoftimin e UGK-së.

Unioni kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që "nenet e diskutueshme që prekin drejtpërdrejtë lirinë e medieve dhe të gazetarëve të modifikohen dhe të specifikohen në atë mënyrë që të mos rrezikohet njëri nga parimet themelor të demokracisë – lirinë e medieve".


OSBE gjithashtu mirëpret vendimin

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer mirëpriti sot vendimin për të kthyer në rishikim në Kuvendin e Kosovës dispozita të caktuara të kodit të ri penal të cilat kërcënojnë të zvogëlojnë lirinë e mediave.

“Unë e mirëpres vendimin për t’i kthyer nenet 37 dhe 38 të kodit të ri penal të Kosovës për rishikim në Kuvend. Këto dy nene në formën aktuale minojnë lirinë e mediave”, citohet të ketë thë Almhofer, në një komunikatë shtypi.

“Neni 37 i veçon mediat dhe gazetarët nga të gjithë personat tjerë apo entitetet ligjore të cilët potencialisht mund të kryejnë një vepër penale duke shpërndarë disa lloje të caktuara të informatave. Për më tepër, ai lejon që një person të mbajë përgjegjësi penale për ndonjë keqbërje të një personi tjetër.”

“Neni 38 dështon të themelojë një të drejtë pozitive për media për të mos zbuluar burimet e informacionit dhe nuk e specifikon qartë situatën në të cilën medias do t’i kërkohej ta bënte këtë”.


Almhofer i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që edhe një herë t’i rishikojë këto dispozita dhe t’i adresojë brengat e ngritura nga organizatat për lirinë e mediave dhe vetë mediat.(a.v.)