Ndërlidhjet

RSF: Kodi i ri, kërcënim për parimet themelore të gazetarisë


Ilustrim
Ilustrim
Reporterët Pa Kufij (RSF) e kanë dënuar ashpër Kodin e ri Penal të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, në të cilin gjenden edhe dy nene që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e tyre të informacionit në raste të procedimeve krminale.

“Këto provizione janë të papranueshme”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

“Ato qartazi kanë për synim heshtjen e atij lloji të gazetarisë dhe raportimit hulumtues që e bën qeverinë të ndihet jokomod”.

Gazetarët nuk duhet të shkojnë në burg, për shkak të raportimit të tyre ose për shkak se refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre.

E drejta për të ushtruar gazetarinë dhe mbrojtur burimet e informacionit duhet të vazhdojë të jetë e parim thelbësor, ka vlerësuar RSF, duke shtuar se Kodi i ri Penal e vë lirinë e medias në rrezik dhe përfaqëson një sulm serioz kundër demokracisë.

“I bëjmë thirrje presidentes Atifete Jahjaga të refuzojë nënshkrimin e këtij kodi penal dhe ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare".

"Presidentja duhet ta bëjë të qartë se nuk dëshiron të jetë jetë pjesë e kësaj forme të sjelljes, e cila kërcënon gazetarët”,
thuhet në komunikatën e RSF-së.

Kjo organizatë ka ftuar gjithashtu ekspertët evropianë të ndërhyjnë dhe të ndihmojnë në rihartimin e neneve kundërthënëse.

RSF rikujton se neni 37 i Kodit Penal, të miratuar tashmë, mund ta vë një gazetar në shënjestër të ndjekjes penale për një vepër penale të “kryer nëpërmjet medias”.

Por, thuhet në komunikatë, definimi i saktë se ç’do të thotë kjo vepër, lë hapësirë të mjaftueshme për interpretim dhe mund të rezultojë me keqpërdorim nga ana e autoriteteve, posaçërisht në rastin e shpifjes.

Neni 38 ndërkaq thotë se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Zbatimi i këtij neni gjithashtu rrezikon gazetarinë hulumtuese, e cila edhe ashtu është e kufizuar në Kosovë dhe do të forcojë në mënyrë të konsiderueshme monopolin e mediave pro-qeveritare dhe propagandën qeveritare.

Kjo kohë është e vështirë për mediat në Kosovë dhe nëse Kodi Penal nuk tërhiqet, atëherë mediat do të përballen me më shumë keqtrajtime, të cilat komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i mirëpres.

Kosova gjendet në vendin e 87-të nga 179 sa janë në listën e Reporterëve Pa Kufij, në matjet e lirisë së medias. (a.v.)
XS
SM
MD
LG