Sa e kuptojnë të rinjtë fjalorin politik?

Prishtinë...

Jemi krenarë që jemi shqiptarë. Por, a mund të jemi krenarë edhe me fjalorin që përdorin politikanët kosovarë në ditët e sotme?

Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje, e aq më shumë kërkon një zgjidhje.

Qytetarë të ndryshëm në kryeqytet, në rubrikën e përjavshme VOX, vlerësojnë se në të shumtën e rasteve ata nuk arrijnë të kuptojnë mesazhet të cilat duan t’i japin politikanët, ose në debatet të cilat zhvillohen në Kuvendin e Kosovës.



Arta Gashi, studente e Universitetit të Prishtinës, thotë se fjalori i politikanëve në përgjithësi është i pakuptueshëm.

Varet, por ka raste kur me të vërtet nuk arrij ta kuptoj fjalonit e politikanëve. Ata shpesh flasin fjalë që nuk janë në gjuhën tonë”.

Kurse, Shyhrete Bytyqi, një e re nga Prishtina e cila studion në Fakultetin Juridik, thotë se jo vetëm që nuk e kupton fjalorin e politikanëve, por thotë se “ata shpesh përdorin fjalë banale”.

Fjalori i tyre nuk është shumë i vështirë për ta kuptuar, por herë - herë është edhe banal. Shpeshherë fjalori i tyre është i pakapshëm, dhe kjo nuk më pëlqen. Ndodh shumë herë që ata përdorin ndonjë fjalë, që as vet nuk e dinë kuptimin saj. Ndoshta ata e bëjnë për blof politik”.

Dardan Gashi nga Prishtina, thotë se çdo ditë përcjell zhvillime politike. Ai thotë po ashtu se shpesh dëgjon politikanë, që në të shumtën e rasteve, në fjalorin e tyre politik kanë fjalë që nuk janë në fjalorin e gjuhës shqipe.

Shumë pak i kuptoj. Edha ata vetë shpesh nuk e dinë çka flasin dhe i ngatërrojnë kuptimet e fjalive. Kjo është shumë keq, ata nuk po arrinë t’i qartësojnë as fjalët që i thonë. Kjo ndodh për faktin se nuk kanë shkollë, aty është problemi”, tha ai.

Nga ana tjetër, Drita Jaja nga Maqedonia, e cila ka kishte ardhur për një vizitë të shkurtë në Prishtinë, shprehet po ashtu kritike për fjalorin e politikanëve shqiptarë, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni e Shqipëri.

Sipas saj, në vend se politikanët të luftojnë për mos përdorimin e fjalëve të huaja, ajo thotë se ata kanë filluar ta bastardojnë gjuhën, duke e zëvendësuar atë me fjalë dhe shprehje të huaja.

Fjalori i politikaneve është i përzier me shqipen dhe maqedonishten. Nuk e di për besë, por nuk po arrij t’i kuptoj shumë nga fjalët që përdorin ata”, shprehet Jaja.

Pasqyra e popullit është Kuvendi. Por, çfarë mund të presim në një Kuvend në të cilin nuk flitet gjuha e pastër shqipe, thotë Arben Ibrahimi, qytetar rreth moshës tridhjetë vjeçare.

Kjo do të thotë se e nënçmon gjuhën tënde. Nëse gjuhën tënde nuk e preferon edhe nuk e flet mirë, çka do?

Kurse Genc Berisha thotë:

Me të vërtetë politikanët flasin shumë fjalë që i përdorin, dhe kurrë nuk di si me t’i shpjegoj. Ka edhe deputetë që janë në Kuvend dhe nuk kanë shkollë”.

Por, ka edhe nga ata qytetarë të cilët thonë se arrijnë t’i kuptojnë deri në një masë politikanët dhe fjalorin e tyre.

Ardian Xhuxha thotë:

I kuptoj se di çka po ndodh. Kurse, sa i takon shprehjeve, varet nga profesioni i politikanit – atë fjalor ata e përdorin edhe në politikë. Nëse një politikan është ekonomist, ai përdorë edhe shprehje ekonomike”.

Qytetaret kanë sugjeruar se “do të ishte mirë që në Kuvendin e Kosovës, në një të ardhme të afërt, të zhvillohet një seancë parlamentare, ku të diskutohet për rregullat bazë të kulturës, për mirësjelljen, dhe fjalorin.