Nuk precizohen “mjetet kushtetuese”

Material zgjedhor (Foto nga referendumi serb në veri për njohjen ose jo të institucioneve të Republikës së Kosovës).

Edhe pse Beogradi zyrtar ka hequr tashmë dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, disa nga përfaqësuesit e banorëve serbë të pjesës veriore të vendit vazhdojnë të insistojnë se më 6 maj do të ketë zgjedhje për kryesitë dhe asambletë komunale të Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Të vendosura janë edhe autoritetet kosovare, kur bëhet fjalë për parandalimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Përfaqësues të Qeverisë së vendit janë shprehur në mbështetje të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të shtetit serb në Kosovë, bazuar në parimin e dyshtetësisë, ndërsa kanë paralajmëruar përdorimin e “të gjitha mjeteve kushtetuese” për parandalimin dhe pengimin e zgjedhjeve lokale.

Në Policinë e Kosovës thonë se ekzistojnë plane operative për këtë çështje, por se deri më tani nuk ka një urdhër të prerë për veprimet që parashihet të ndërmerren në ditën e zgjedhjeve.

Në pyetjen se çfarë veprimesh parashihet të ndërmerren sipas planeve në fjalë dhe se a hyn konfiskimi i materialit zgjedhor në kuadër të këtyre veprimeve, zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, shprehet:

“Sa herë bëhet fjalë për veriun e Kosovës dhe komunat, të cilat janë në pjesën më veriore të Kosovës, sigurisht që veprimet tona nuk duhet gjithmonë të jenë të pavarura duke marrë parasysh kompetencat ekzekutive të partnerëve ndërkombëtarë të sigurisë: EULEX-it dhe KFOR-it. Gjithsesi se veprimet duhet të jenë të koordinuara”.

Rëndësinë për veprime të koordinuara me mekanizmat ndërkombëtar në veri e theksojnë edhe njohësit e rrethanave politike dhe proceseve zgjedhore në Kosovë, duke thënë se konfiskimi i materialit zgjedhor mund të jetë një nga opsionet për t’i penguar grupet e caktuara të mbajnë zgjedhjet lokale serbe në veri, të cilat, qysh tani, janë shpallur jolegjitime.

E rëndësishme në këtë aspekt, sipas profesorit në Universitetin e Prishtinës, Mazllum Baraliu, do të jetë që Beogradi të mos luajë një “lojë të dyfishtë”.
Roli i Beogradit është primar dhe nuk do të duhej të kishte politika dyfytyrëshe...

“Roli i Beogradit është primar dhe nuk do të duhej të kishte politika dyfytyrëshe dhe dy-arshinash. Besoj dhe shpresoj që kësaj radhe Beogradi është i sinqertë në relacion me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe me vetë serbët e veriut - si qytetarë të Kosovës, që të mos lejojë ose të mos përkrahë të paktën mbajtjen e atyre zgjedhjeve që janë jolegjitime dhe këtë do të duhej ta dëshmonte edhe me aktin e moscertifikimit e mospërkrahjes së tyre”, vlerëson Baraliu.

Mirëpo, analistët në Beograd thonë se me tërheqjen e Serbisë nga vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë nuk është ndërprerë mbështetja dhënë, deri më tani, strukturave paralele të instaluara në pjesën veriore të Kosovës.

Jelena Miliq, drejtore e Qendrës për Studime Euroatlantike në Serbi, thekson rëndësinë për një dialog ndërmjet shtetit serb dhe serbëve lokalë në veri për këtë çështje.
Lufta për heqjen e institucioneve paralele, më duket se nuk do të jetë aq e lehtë.

“Lufta për heqjen e institucioneve paralele, më duket se nuk do të jetë aq e lehtë. Edhe pse janë marrë disa vendime në nivelet politike, nuk jam e sigurt se sa do të kenë fuqi institucionet në Serbi t’i realizojnë ato. Natyrisht, është e rëndësishme që t’i sqarohet bashkësisë serbe në Kosovë se një gjë e tillë nuk nënkupton ndërprerjen e komunikimit, por vetëm vendosjen e mekanizmave të rinj, të cilët janë në përputhje me marrëveshjet që Serbia i ka bërë me BE-në, e më pas edhe me Qeverinë e Kosovës”, thotë Miliq.

Zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë ishte përmendur disa herë si parakusht për avancimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të kërkesave të deritashme që disa nga shtetet anëtare të BE-së i kanë bërë qeverisë serbe, ishte dhe mosmbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, meqë me këtë, siç thuhet, do t’u vazhdohej mbështetja politike strukturave paralele ekzistuese.