Ndërlidhjet

Cila është adresa?


Ura në Mitrovicë
Ura në Mitrovicë
Si të integrohet veriu i Kosovës? - Është kjo një pyetje që nuk ka sjellë ende përgjigje, me gjithë idetë dhe planet e shumta nga vendësit dhe ndërkombëtarët.

Aktualisht, komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, udhëhiqen nga strukturat paralele që konsiderohen jolegjitime, sepse kanë dalë nga zgjedhjet e organizuara nga Serbia në Kosovë.

Komisioni Evropian, së fundi, kërkoi nga Prishtina një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun, duke kërkuar joshjen e popullit të atjeshëm, si dhe nxjerrjen eventuale të ndonjë udhëheqjeje të re.

Nëse pyeten zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, udhëheqja do të gjendej tek ekipet përgatitore për krijimin komunës së Mitrovicës veriore.

Këshilltari i kryeministrit, Dukagjin Gorani, para pak ditësh deklaroi se nuk janë vetëm përfaqësuesit e strukturave paralele adresa e vetme, me të cilën mund të bisedohet për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës.

Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

“Ekipet përgatitore për krijimin e komunave të reja, përbëhen nga qytetarët e veriut të Kosovës. Për aq sa ekziston, po ashtu, një shtresë mjaft e etabluar, edhe e shoqërisë civile, edhe e nëpunësve, edhe qytetarëve të rëndomtë, strukturat paralele, të cilat kanë ndërlidhje të drejtpërdrejtë me grupet kriminele, janë struktura që përpiqen të na imponojnë neve, si adresa e vetme, po natyrisht se ne e dimë që ata nuk janë adresa e vetme”, tha Gorani.

Por, ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, konsideron se anëtarët e ekipeve përgatitore nuk paraqesin ndonjë garanci se vërtet ata mund të jenë personat e duhur.

“Ekipet përgatitore kanë krijuar një përvojë dhe me një përkushtim pothuajse dy vjeçar, janë marrë me atë çështje. Ajo është një strukturë e dobishme, por kur bëhet fjalë për vetë liderin, nga lideri kërkohen edhe veti të tjera. Do të thotë, mund të jenë, po nuk është ndonjë garanci”, deklaron Ferati.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, thotë se ekipet përgatitore nuk mund të përfaqësojnë komunitetin dhe të krijojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në esencë, anëtarët e ekipit përgatitor dhe vetë ekipi nuk kanë një rol që mund të përfaqësojë komunitetin. Ekipi përgatitor ka mandat që të përgatisë ambientin dhe t’i krijojë kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve atje, në mënyrë që qytetarët e tyre t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë. Ky është thelbi i detyrës së ekipit përgatitor komunal dhe nuk pritet nga ta që të përfaqësojnë komunitetin”, thotë Osmani.

Analisti politik, Ardian Arifaj, vlerëson se institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar në Kosovë, kanë dështuar në arritjen e instalimit të mekanizmave të duhur në veri. Tash, sipas Arifajt, vështirë se mund të gjendet ndonjë përfaqësues i qytetarëve, përveç atyre që janë zgjedhur nga strukturat paralele.

“Prishtina dhe Bashkësia Ndërkombëtare nuk kanë qenë në gjendje që të instalojnë mekanizma të tjerë që do të gjenin përfaqësues të komuniteti atje. Pra, është shumë vështirë të gjenden liderë të tjerë, të cilët mund të flasin në emër të popullit, veç atyre që janë votuar në zgjedhje që për ne kanë qenë ilegale”, konsideron Arifi.


Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se grupi punues për themelimin e komunës veriore ka vënë kontakte me organizata dhe individë në vendbanimet serbe.

Mirëpo, për shkak të ndikimit politik dhe ekonomik të Beogradit dhe grupeve radikale serbe brenda Kosovës, një pjesë e madhe e komunitetit serb e konsideron pranimin e decentralizimit si pranimin të propozimit të Marti Ahtisarit, i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për Kosovë, dhe rrjedhimisht pranimit të pavarësisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG