Beogradi s’do t’i njohë zgjedhjet në veri (?)

Veri - foto nga arkivi


Në Zveçan dhe Zubin Potok tashmë kanë nisur aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve lokale serbe, përkundër faktit se zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se Beogradi zyrtar nuk do t’i organizojë këto zgjedhje, duke thënë se UNMIK-u nuk i mbështet ato.

Ditë më parë, Goran Bogdanoviq, ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka theksuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, nga ana e të ashtuquajturave vetëqeverisjeve lokale, do të ishte në kundërshtim me interesat e shtetit serb dhe se rezultatet e zgjedhjeve nuk do të njihen.

Por pavarësisht nga kjo, drejtuesi i kuvendit komunal paralel të Zveçanit, Dobrosav Dobriq, ka bërë të ditur se në atë komunë kanë nisur aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve, ndërkaq, që deklaratat e ministrit serb Bogdanoviq, i ka cilësuar si personale dhe jo si qëndrim të shtetit serb.

Por, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në ministrinë për Kosovë i qeverisë serbe ka e ka quajtur të pakuptimtë deklaratat e Dobriqit.

E konsideroj absurditet politik kur dikush thotë diçka të tillë. Kush do ta shprehte qëndrimin e qeverisë, nëse jo përfaqësuesi i qeverisë i cili është përgjegjës për këtë resor”, tha Ivanoviq.

Por, kryetari paralel i Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka deklaruar se tashmë është formuar i ashtuquajturi Komisioni Komunal i Zgjedhjeve dhe se në këtë komunë, me 6 maj, do të mbahen zgjedhjet në të gjitha nivelet.

Ajo për të cilën jam i sigurt është se qytetarët tanë janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën gjendemi, por një nga të drejtat e tyre themelore është që të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur. Prandaj, sa i përket komunës së Zveçanit, pres që zgjedhjet e 6 majit të mbahen si më mirë dhe pa ndonjë problem”, theksoi Miloviq.

Edhe nënkryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sërgjan Gjuroviq, thotë se zgjedhjet e të gjitha niveleve, përfshirë edhe ato lokale, do të mbahen në këtë komunë.

Zgjedhjet për kuvendin lokal, për Kuvendin e Serbisë, si dhe zgjedhjet për kryetarin, i kanë shpallur organet e republikës së Serbisë. Për këtë arsye, administrata jonë lokale është e obliguar që t’i zbatojë të gjitha zgjedhjet që janë shpallur nga ana e shtetit dhe në qoftë se këtë nuk e bën, do të bartë konsekuencat. Qëndrimi i shumicës së partive politike në Zubin Potok është që të marrin pjesë në zgjedhje“, tha Gjuroviq.

Ndryshe, Ivanoviq, thotë se Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi, në mënyrë të qartë e ka definuar mos mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Por, nëse dy komunat në veri të Kosovës, megjithatë, i mbajnë këto zgjedhje, ai ka thënë se Serbia nuk do ta njeh rezultatin e tyre.

Shteti nuk do t’i njohë zgjedhjet, të cilat dikush i organizon në mënyrë private. Këtë nuk ka për ta bërë as qeveria e tashme e as e ardhshmja. Ligji për vetëqeverisje lokale i parasheh situatat e tilla. Në përputhje me këtë ligj do të formohen këshillat komunal, të cilat do t’i kenë anëtarët dhe kryetarët e tyre. Ato do të kryejnë obligimet deri në momentin kur Kuvendi ose Qeveria e Serbisë të vendos ndryshe lidhur me çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës“, tha Ivanoviq.

Ndryshe, në dy komunat tjera në veri të Kosovës, në Leposaviq dhe në veri të Mitrovicës zgjedhjet nuk janë shpallur, për shkak se, siç kanë thënë zyrtarët serbë, mandati i administratave lokale vazhdon ende.