Korrupsioni rrezikon arsimin

Hapësira universitare në Prishtinë (Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës).


Korrupsioni në Kosovë ka përfshirë edhe sistemin e arsimit, madje duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek arsimi i lartë, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe studentore.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se keqpërdorimet në arsim fillojnë që nga regjistrimi i fëmijëve në kopshte, punësimi i mësimdhënësve, regjistrimi i studentëve, e deri te blerja e diplomave universitare .

“Korrupsionin mund ta hasim në procesin e mosorganizimit të punës dhe detyrave që janë të obliguara, e që kanë të bëjnë me luftimin e formave të ndryshme të sjelljes asociale të pabarazisë, diskriminimit dhe shumë të tjera”, thotë Hyseni.

Edhe përfaqësues të studentëve pohojnë se korrupsioni është i pranishëm edhe në universitet.

Petrit Gashi, nga Organizata “ Paqja Studentore”, thotë se dukuria e korrupsionit në këtë institucion ka ekzistuar dhe ekziston. Kjo organizatë ditëve të fundit ka reaguar ndaj keqpërdorimit të parasë së studentëve gjatë organizimit të “Panove 2012”

Si keqpërdorim tjetër në këtë sistem, Gashi përmend edhe udhëtimet e shpeshta, jashtë shtetit nga mësimdhënësit dhe studentët.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës.

“Çmimet për absolventiadë janë shumë të shtrenjta. Nëse e shikojmë tash një absolvent duhet të paguajë deri në 30 euro, dhe këtu bëhet një keqpërdorim. Pastaj udhëtimet zyrtare që po ndodhin jashtë shtetit, po bëhen keqpërdorime të mëdha. Udhëtime jashtë shtetit ka nga profesorët, dekanët, mirëpo edhe nga studentët e ndryshëm”, tregon Gashi.

Sidoqoftë, fenomeni i korrupsionit në sistemin e arsimit po rrezikon cilësinë e arsimit në Kosovë, thotë Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës. Hyseni, madje konsideron se pa cilësi të lartë të arsimimit, korrupsioni nuk mund të zhduket në shoqërinë kosovare.
Forma më e mirë e luftimit të korrupsionit është sigurimi i një arsimi cilësor.

“Forma më e mirë e luftimit të korrupsionit është sigurimi i një arsimi cilësor. Vetvetiu, burimi i të gjitha këtyre, mitos, korrupsionit burimin e ka në sistemin e arsimit cilësor. Do të thotë pa siguruar një arsim cilësor, ne nuk mund të flasim për luftimin e korrupsionit, as në fushën e arsimit, por as në shoqëri”, thekson Hyseni.

Edhe zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk e përjashtojnë mundësinë e ekzistimit të korrupsionit në sistemin e arsimit, por, sipas tyre, deri më tani, palët nuk kanë paraqitur dëshmi.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, thekson se nëse ekzistojnë faktet, askush nuk do të jetë imun, pasi, thotë ai, të tillët nuk i nevojiten procesit arsimor.

“Nëse kemi fakte të mjaftueshme, personat kapen me vepra të tilla, medoemos do të përjashtohen nga procesi mësimor. Ne do kërkojmë edhe nga Rektorati, por nëse do të ketë raste edhe në shkolla fillore dhe të mesme, dhe nuk do të lejojmë që të tillët, të jenë pjesë e procesit mësimor, qoftë në arsimin parauniversitar, qoftë në arsimin e lartë”, deklaron Mustafa.