Puna sezonale - shumë interesim, pak oferta

Fotografi ilustruese

Punësimi sezonal i të rinjve, në shumë vende është praktikë efikase, përmes së cilës të rinjtë angazhohen për të krijuar një buxhet solid, për plotësimin e nevojave të tyre. Të rinjtë kosovarë thonë se duke u bazuar në mundësitë modeste financiare që u ofrojnë familjet e tyre, për shkak të situatës aktuale jo të mirë ekonomike dhe sociale në Kosovë, punësimi sezonal për ta do të ishte me shumë domethënie.

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, ata thonë se punësim sezonal, gjatë pushimeve të verës, do të ishte tejet i mirëseardhur, për të siguruar sadopak të ardhura që do t’u ndihmonin më pas, gjatë studimeve. Por, lidhur me atë se ka ose jo oferta dhe çfarë janë mundësitë për të siguruar një punësim të tillë, ata kanë mendime dhe përvoja të ndryshme...



Adonis Shabani, i cili ka mbaruar shkollën e mesme, thotë se viteve të fundit, gjatë sezonit të verës, ka punuar dhe shpreson se edhe sivjet të gjejë punë. Sipas tij, interesimi i të rinjve për punë sezonale është i madh.

“Ka interesim dhe kërkojnë shumë. Varet tash, më së shumti që po punohet është puna e kamerierit në lokale. Sidomos gjatë sezonit të verës ka interesim, por gjithçka funksionon me shoqëri. Domethënë, e ke shokun dhe pastaj lidhje pas lidhje, ka njerëz që çelin lokale gjatë verës, ka tarraca dhe kështu punohet. Ka punë”, thotë Adonis Shabani.

Beslidhje Jonuzi është studente. Ajo thotë se kërkesat e të rinjve për të gjetur punë sezonale janë të shumta, por ofertat për një gjë të tillë, janë të pakta.

“Duke pasur parasysh numrin e madh të studentëve - si të nxënësve si të studentëve - përgjithësisht të rinjve, kërkesat janë shumë të mëdha për punë. Por, oferta ka shumë pak. Nuk e di pse, Natyrisht që puna sezonale na nevojitet, meqenëse kemi kohë më të lirë, nuk jemi të angazhuar shumë rreth studimeve. Por, nuk ka punë. Ndoshta edhe mund të ketë, por jo aq sa të mbulohen kërkesat e të gjithëve”, shprehet Besëlidhje Jonuzi.

Mendim të ngjashëm ka edhe Dardanie Kuçi, studente e Fakultetit Juridik, e cila thotë se për shumicën e të rinjve, puna sezonale pothuajse është e domosdoshme:

“Ka interesim shumë të madh po kushtet po dihet se si janë. Ofertat janë shumë të pakta. Pikësëpari, për t’i mbuluar shpenzimet tona si studentë, thjesht për nevojat tona, sepse shpenzimet janë katastrofale. Shpenzimet janë rritur shumë. Kemi shikuar shumë dhe nuk kemi pasur sukses për t’u punësuar. Kemi kërkuar nëpër vetëshërbime, butikë dhe në të gjitha thuajse, por nuk ka pasur punë. Ka shumë pak dhe ata që hyjnë, e bëjnë këtë me intervenime ose që e njohin dikë aty”.

Por, gjetja e një pune gjatë sezonit të pushimeve për të rinjtë, duket se është më e lehtë për meshkujt sesa për femrat. Kështu thotë edhe Zog Katanolli, i cili pohon se punë sezonale ka gjetur edhe më parë dhe pret që edhe këtë vit të ketë fat.

“Kam punuar në punë sezonale, në IPKO. Kur kam filluar të punoj, do të thotë, më ka ardhur oferta dhe jo që jam interesuar unë shumë. Nuk e di për tash, ende nuk jam interesuar. Do të punoja, por ende nuk kam shikuar se ku. Edhe një muaj e përfundoj shkollën e mesme dhe me siguri që interesohem pasi që ta përfundoj shkollën”, tregon Zog Katanolli.

Ngjashëm shprehet edhe i riu tjetër, Egzon Gashi. Por, sipas tij, të rinjtë duhet të jenë më këmbëngulës kur kërkojnë punë sezonale dhe, siç thotë ai, nuk duhet të presin që dikush t’i lusë për punë:

“Kam punuar me mobile te ‘Hani i Dilit’, në pushim të verës. Duhet të punoj se pa punuar nuk ka asgjë. Posa të mbarojë mësimi e derisa të fillojë mësimi, unë punoj. Ka punë sezonale. Duhet gjetur diku. Duhet kërkuar, sepse puna nuk vjen te shtëpia e të të thotë ‘eja puno’. Po të ishte mundësia të dalim jashtë vendit, do të kishim punuar edhe atje, por ato mundësi nuk janë”.

Edhe Blerim Bajoku thotë se të rinjtë duhet të jenë më këmbëngulës për të kërkuar punë sezonale, pavarësisht se ofertat për punë të tillë janë të varfra.

“Ofertat nuk janë edhe aq shumë, por secili njeri duhet të kërkojë, pavarësisht se lodhet duke kërkuar punë. Mirëpo, duhet gjetur diku, qoftë te ndonjë i afërm ose diku tjetër. Unë, normalisht, si të përfundoj gjysmë-vjetori i dytë, më 11 qershor e deri në fillim të shtatorit punoj. Kam shikuar edhe te ‘Lesna’ dhe kam aplikuar për punë sezonale, e më pas, nëse pëlqehet puna ime, pse jo, mund të vazhdoj edhe në të ardhmen aty”, thotë Blerim Bajoku.

Por, Shpresa Baliu, studente, vlerëson se të rinjtë kanë nevojë për një mbështetje më të madhe për të siguruar punë sezonale:

Të rinjtë e Kosovës kanë nevojë shumë të madhe për mbështetje të tilla, siç është punësimi sezonal. Mendoj se është shumë me rëndësi. Unë i përdori mediat sociale, në kuptimin që të informohem për këto mbështetje, por mendoj se mungojnë. Ka mungesë të madhe të ofertave, e gjithashtu ka një mungesë të koordinimit të institucioneve shtetërore, bizneseve etj. Megjithatë, nuk mendoj se mungon interesimi i të rinjve. Po mendoj se ka me të vërtetë mungesë të mbështetjes në tregun e Kosovës për rininë kosovare”.

Por, krejtësisht ndryshe mendon Fiton Ahmeti, student në Fakultetin Ekonomik. Ai thotë se në shumë raste ka oferta për punë sezonale, madje edhe jashtë vendit, por të rinjtë nuk informohen sa duhet lidhur me këto oferta.

“Tash varet prej studentit se a kërkon punë ose jo. Tash edhe dihet se si është gjendja në Kosovë dhe duhet hulumtuar shumë për të gjetur një punë të përshtatshme. Besoj që ka edhe organizata, jashtë, për shembull ‘Work and travel’, që shumica shkojnë për të punuar por është edhe fakti se ndalen atje, që të mund të studiojnë. Pastaj, jane “Zip travel’, “Discover America”. Unë kam shumë shokë të mi, studentë dhe kolegë të fakultetit që më herët kanë shkuar në Amerikë përmes këtyre organizatave dhe janë kthyer. Janë ndarë shumë të kënaqur me punën që kanë kryer atje”, tregon Fiton Ahmeti.

Ndërkaq, Enis Vidishiqi vlerëson se interesimi i të rinjve për punë sezonale nuk mungon, por ai kritikon institucionet e Kosovës, që, sipas tij, nuk kanë bërë asgjë për të krijuar mundësi të tilla për të rinjtë.

“Një herë për një herë nuk ka punë sezonale, e as punë të përditshme. Mund të thuhet se ka diçka pak te privatët, por diçka shtetërore jo, që ofron shteti për rininë. Po mendoj, ndoshta synime ka, por deri tash nuk ka pasur asgjë konkrete, të paktën me aq sa di unë”, thotë Enis Vidishiqi.